Lazio po bën të pamundurën për të rinovuar me Strakoshën. Vlera e portierit të kombëtares kap 30 milionë Euro

0

Një investim i tillë nuk mund të shpërdorohet. Lacio pagoi vetëm 75 000 euro për kartoni e Tomas Strakoshës, kur e mori nga Panioniosi i Greqisë, por tashmë vlera e portierit shqiptar është rritur kaq shumë, saqë nuk mund të nënvleftësohet. U fol për vështirësi në gjetjen e gjuhës së përbashkët për rinovimin e kontratës, por mediat italiane shkruajnë se përfaqësuesit e 25-vjeçarit, dhe drejtuesit e klubit, si Igli Tare, janë duke u përafruar në qendrimet e tyre.

Oferta e Lacios është për 2 milionë euro rrogë në sezon me gjithë bonuse, ndërsa paga aktuale arrin në 1.2 milionë. Pritet të ketë kompromis për mënyrën e realizimit të kësaj rritjeje, dhe për shpërblimet e ndryshme për portierin e kombëtares së Shqipërisë. Gjithçka, natyrisht, duke shpresuar që kriza e shkaktuar nga koronavirusi të kalojë sa më shpejt.

Për Strakoshën ka pasur interesim nga klube të ndryshëm, sidomos në Angli dhe thuhet se Leisteri apo Totenhemi janë gati të shpenzojnë për kartonin që mund të arrijë në 30 milionë euro, ndërsa kontrata e tanishme e tij në kryeqytetin italian vlen deri në 2022. Këtë sezon, Strakosha ka luajtur 26 ndeshje në Serinë A, duke pësuar 23 gola, më pak se çdo portier tjetër i kampionatit, ndërsa në sezon ka qenë në portë për 32 ndeshje.

Artikulli i mëparshëmArsenal/ Trajneri nuk mjaftohet me stërvitjen, shikoni çfarë ju kërkon tjetër lojtarëve
Artikulli i radhësEgbo i hap punë vetes. Trajneri i Tiranës lyen shtëpinë gjatë qëndrimit në karantinë (VIDEO)