Pse po e masakrojnë Ermal Mamaqin në rrjetet sociale?

0

Ermal Mamaqi ka pasur fatin e atyre që flasin edhe për gjëra që nuk i kuptojnë. Ai ka ngjallur një reagim të shproporcionuar në rrjetet sociale nga figura publike dhe komentues të thjeshtë, pas një mesazhi video që më shumë i ngjante një sallate fjalësh.

Me maninë për të dhënë mendimin e tij për gjithçka, aktori humorist ka tentuar të flasë për letërsi.

Në një mesazh të parë ai e ka ftuar publikun e tij të mos lexojë romane se në këtë kohë pandemie ato mund të jenë ushqim shpirtëror vetëm për pensionistët.

Por më brilant është mesazhi i dytë video, kur pasi ka marrë reagimet e para showmeni shpjegon se pse e ka thënë atë. Aty me mënyrën si ndërton fjalitë, si flet për librat, për lexuesit, për kategoritë shoqërore dhe fashat moshore, ai ka shpalosur gjithë bagazhin e vet intelektual dhe formimin e thellë.

“Mos lexoni budalliqe, ka ca që lexojnë romane. Nuk kam gjë kundër tyre, po kush lexon më romane tani! Lexoni libra që kanë vlerë e që lidhen me profesionin tënd dhe situatën që po kalon” porosiste Mamaqi (poshte).

Por, kjo këshillë për fansat nuk është kapërdirë lehtë nga botuesja Arlinda Dudaj. “Më vjen keq po do mbahesh mend si opinionbërësi i vetëm në historinë e botës që predikon mosleximin” i ka reaguar ajo duke i përmendur depresionin dhe lodhjen nga karantina. “Ashtu siç e paraqet ti, duket se njeriu duhet të bëjë një gjë, atë që ti beson, duke përjashtuar gjithçka tjetër. Le të mos fasim për diskriminimin moshor edhe gjinor që i ke bërë dhe herë të tjera, po s’ka gjë të kemi falur se e kemi quajtur humor, edhe pse i tillë nuk është”, i ka shkruar ajo.

Edhe gazetari Isa Myzyraj duke i numëruar një sërë romanesh që nuk duhen humbur: “Ne nje perpjekje deshperuese per te qene inspirues/frymezues, aktori i humorit Ermal Mamaqi paskeka “keshilluar” njerezit duke thene se “Mos lexoni Romane” ose sa me keq, pa u bazuar askund, as shkencerisht por as ne ndonje sondazh te thjeshte paska thene: Kush Lexon me romane?

E tmerrshme, menyra si ka zgjedhur t’i flase audiences ky zoteria”.

Edhe në reagimet në rrjet poshtë videos të postuar nga Mamaqi, ka pasur shumë ironi dhe fshikullim për të.

Por, në fakt, të gjithë ata që po i gjuajnë Ermalit po trokasin në adresën e gabuar. Ata kanë për letërsinë, kinematografinë, operat që përmend në videon e tij humoristi, një koncept krejt të ndryshëm nga i tij. Mamaqi i shef të gjitha këto, ashtu sikurse u drejtohet edhe ndjekësve të vet, si një burmim për të mbushur xhepin, ndërsa këtë të fundit si një mënyrë për të mbushur shpirtin.

Për këtë arsye këto janë dy botë që as mund të komunikojnë, as mund të debatojnë mes tyre. Dhe për fatin e mirë të Ermalit, në rrugën që ai ka zgjedhur e ndjekin shumë të tjerë. Boll të shohësh sa herë e kanë parë videon prej së cilës ai nxjerr lekë dhe sa komente pozitive ka poshtë saj. 

Artikulli i mëparshëmJa me se duhet të keni kujdes kur bëni blerje online
Artikulli i radhësDorëhiqet drejtori i Autoritetit të Aviacionit Civil, Krislen Keri.