Ja pse shtëpitë e hollandezëve nuk kanë perde

0

Për shumë vizitorë, teksa enden rrugëve mahnitëse të Amsterdamit apo qyteteve të tjera, një nga zbulimet më interesante është fakti se mund të shohin lehtësisht brenda shtëpive të hollandezëve. Kjo për faktin se vendasit nuk i mbyllin perdet, nuk kanë grila ose në disa raste, nuk kanë perde fare. Një sërë pyetjesh janë ngritur për këtë fenomen: Është një mentalitet për të thënë “Unë s’kam asgjë për të fshehur” apo për të thënë “Shiko çfarë kam unë?”. Apo të dyja?

Shpjegimi që përdoret më shpesh i referohet traditës fetare protestante të kalvinizmit, që këmbëngulte se qytetarët e ndershëm nuk kanë asgjë për të fshehur.

Shën.red. Protestantizëm – emërtim i përbashkët i disa besimeve të krishtera, që u shkëputën nga Kisha Katolike në shekullin XVI. Kalvinizëm – degë e protestantizmit që ndjek traditën teologjike të John Calvin, një nga teologët e epokës së Reformimit.

Megjithatë, dëshira për të treguar orenditë dhe arredimin mund të jetë një tjetër shpjegim. Rritja e standardeve të jetesës me kalimin e kohës e kanë nxitur më tepër dëshirën për të shfaqur çfarë zotëron.

Të tjerë thonë se ky fenomen shpjegohet edhe nga mënyra si bëhej biznes në kohët e vjetra. Njerëzit linin perdet hapur për të treguar dhomat me mobilje, dekorime, vepra arti, si një mënyrë për t’u promovuar te tregtarët.

Gjithashtu mendohet se tradita daton në 1950-n dhe ka filluar të ndryshojë. Hilje van der Horst dhe Jantine Messing, antropologë, hulumtuan këtë dukuri në vitin 2006 dhe vunë re se perdet e hapura ishin më të pranishme në komunitete ku njerëzit janë në kontakt dhe kanë një lloj raporti me njëri-tjetrin.

Një tjetër shpjegim është edhe kultura e vendasve, që duan të shohin çfarë ndodh përtej dritares. Ata pëlqejnë të shohin dritat, njerëzit që ecin, nxitimin e mëngjeseve etj. Ndërveprimi brenda-jashtë ndihmon në nxitjen e kulturës së hapur, për të cilën hollandezët njihen./ CNN

Artikulli i mëparshëmCOVID-19/ Shkon në mbi 190 mijë numri i të vdekurve në botë, 50 mijë vetëm në SHBA
Artikulli i radhësÇfarë duhet të dini për nervin vagus?