Nga hapësira mes çadrave te tavolinat e restoranteve/ Rregullat e reja në plazhe, ndalohet shijimi i ushqimeve me gishta

0
plazh

Prej javësh është thënë se do të jetë një verë më e lehtë pas qetësimit të situatës pandemike, por paketa e rregullave që duhen respektuar gjatë pushimeve vijon të jetë e fryrë.

Ministria e Turizmit në bashkëpunim me atë të Shëndetësisë kanë bërë gati protokollin e masave për një verë të sigurt, që ndalon njerëzit të shijojnë ushqimin me duar.

Nga ana tjetër, si në plazhe, pishina apo ambiente të brendshme të strukturave akomoduese, çdokush duhet të sigurojë distancën e detyrueshme anti-COVID prej 1.5 metrash me të tjerët.

Gjithashtu, protokolli përfshin dezinfektimin e herëpashershëm të duarve, dhomave apo çdo ambient tjetër të frekuentuar. Në rastet kur haset një person me shenja infeksioni, duhet adresuar menjëherë tek Urgjenca Kombëtare.

MASAT SPECIFIKE

Sa më pak njerëz në të njëjtin vend njëkohësisht. Ky është parimi kryesor që synon parandalimin e infeksionit. Që në hyrje, strukturat akomoduese duhet të marrin masa për të zvogëluar në maksimum kohën e pritjes së klientëve duke regjistruar sa më shpejt, e mundësisht përmes sistemit elektronik.

Po ashtu, çdo sipërfaqe, veçanërisht atyre që preken shpesh nga vizitorët, por edhe grilat e ajrimit duhet të dezinfektohet, referuar protokollit. Masa të posaçme janë hartuar edhe për konsumin e ushqimit a pijeve. Përveç rasteve kur janë të paketuara, çdo pije do të shërbehet me gota plastike njëpërdorimshe.

Ata që gatuajnë në restorante përgjatë muajve përvëlues i kanë të detyrueshme maskë e doreza. Por, edhe ata që i konsumojnë, pra klientët, do të kushtëzohen.

Ekspertët që kanë hartuar dokumentin ndalojnë shijimin e ushqimit me gishta. Rregulla strikte ka edhe për gatimin e mishit, në raport me ushqimet e tjera apo edhe midis atij të përpunuar dhe të freskët. Ndalohet qëndrimi i tyre në të njëjtën enë, sikundër edhe prerja në të njëjtën dërrasë apo përdorimi i një salce për marinim.

DISTANCA E DETYRUAR

Distanca minimale midis njerëzve në periudhë COVID-i është 1.5 metra, por në ambientet e lokaleve lejohet edhe një metër.

“Klientët duhet të ruajnë distancën e miratuar nga MSH-ja midis tyre, 1.5 metra. Tavolinat duhet të vendosen në atë mënyrë që distanca nga pjesa e pasme e një karrige në pjesën e pasme të një karrige tjetër të jetë më shumë se 1 metër larg dhe që klientët të përballen me njëri-tjetrin nga një distancë prej të paktën 1 metër”, citohet në protokollin që detyron bizneset të ngjisin në muret e tyre paketën e rregullave për klientët, njëjtë si ajo në fuqi që nis me larjen e duarve, mosprekjen e fytyrës e deri te mbulimi i gojës me krah gjatë teshtimave.

Në vendim theksohet se tavolinat në “beach bar”-e duhet të kenë distancë 2 metër larg njëra-tjetrës, ndërsa nga çadra në çadër nuk duhet të jetë më e vogël se 3.5 metër.

Artikulli i mëparshëmSKANDALI tronditës! Zbardhen detaje të rënda/ Ja si i ngacmonte seksualisht fëmijët 7, 8 dhe 14 vjeç të krushkut kur vini luanin tek shtëpia e tij
Artikulli i radhësKërcënohet deputeti i opozitës së re në Kuvend, kallëzim në Polici: Prokuroria t’i zbulojë, kjo lidhet me…