“Në auditor vetëm të vaksinuarit”/ Shkolla e Magjistraturës: Të pavaksinuarit ndaj COVID-19, mësim online

0

Shkolla e Magjistraturës do të lejojë ndjekjen e mësimit në auditore vetëm për kandidatët për magjistratë, të cilët janë vaksinuara për COVID-19. Përmes një njoftimi zyrtar, bëhet me dije se çdo kandidat për magjistart, i vitit të parë dhe të dytë, i cili dëshiron të ndjekë mësimin në auditor do të duhet të depozitojë elektronikisht në sekretarinë mësimore vërtetimin zyrtar të vaksinimit për COVID-19. Shkolla  i referohet vitit të ri akdemik 2021-2022 që do të nisë në datën 4 tetor, duke shtuar se kryerja e vaksinës siguron mbarëvajtjen e programit të trajnimit fillestar.

Megjithatë, në njoftim bëhet me dije se ata kandidatë që nuk duan të vaksinohen, mund ta ndjekin atë online, duke shtuar se shkolla ka praktikuar dhe mund të praktikojë procesin e mësimit hybrid, sipas skemave që zhvilloi në vitin akademik që kaloi. Kjo është hera e parë, që një institucion arsimor vendos kritere përjashtuese për studentët e pavaksinuar, teksa edhe Komiteti Teknik i ekspertëve nuk ka dhënë sugjerime konkrete në këtë drejtim apo edhe mbi format në të cilat do të zhvillohet procesi i ri mësimor dhe akademik.

Ndërkaq, kandidatëve për magjistratë  iu vihet në dukje se muaji gusht do të jetë i hapur për vaksinimin e të gjithë qytetarëve mbi 18 vjeç në drejtim të kryerjes së vaksinës. Të dhënat zyrtare të Ministrisë së Shëndetësisë ka treguar një tendencë në rritje të rasteve të reja me COVID-19, teksa institucionet shëndetësore apelojnë çdo ditë për të shfrytëzuar ditët e hapura tëvaksinimit, për të mbrojtur veten dhe njerëzit e afërt dhe për të frenuar përhapjen e virusit. Aktualisht, këto institucione deklarojnë se deri në datën 12 gusht janë kryer 1 300 077 vaksinime.

Artikulli i mëparshëmNga pasuria në apartamente, automjete e garazhe te transaksionet e dyshimta të bashkëshortit/ Argumentet e KPK në shkarkimin e Zegjine Sollakut
Artikulli i radhësEcja me “të kuqe”,dora mbi marsh, këmba mbi friksion… 9 zakone të këqija që dëmtojnë makinën!