Berisha dështon, Basha ruan PD-në dhe selinë

0

Sali Berisha nuk e mori dot selinë e Partisë Demokratike. Mbështetësit e tij thyen dyert e fortifikuara. Në një pikë të nxehtë të përplasjes, Basha njoftoi policinë, dhe uniformat blu ndërhynë me gaz lotsjellës e shpërndanë protestuesit. Berisha shpërndau turmën pas disa orësh dhe tha se do të rikthehen sërish më fuqishëm.

Si nisën incidentet?
Përplasja mes mbështetësve të Berishës dhe Roland Bejkos ishte vetëm nxemja e një dite të vrullshme përplasjesh në selinë e Partisë Demokrate. Ende pa mbërritur Sali Berisha, përkrahësit e tij ja dolën të thyejnë derën kryesore të selisë dhe të hynin në katin e parë. Basha ndodhej ndërkohë në katin e dytë të selisë me disa bashkëpunëtorë të tij, dhe njerëzit e Berishës duhet të rrëzonin disa porta të hekurta për të hyrë aty. U provuan disa metoda po nuk ja dolën.

Prej orës 11:00, deri në orën 13:00, përplasja mes berishistëve dhe bashistëve vazhdoi, dhe policia që mohoi që të ishte ajo që kishte përdorur sprajin irritues në selinë blu. Kur fortifikimet e Bashës filluan të rrëzohen, PD i kërkoi ndihmë zyrtarisht policisë për të mbrojtur jetën e kryetarit dhe deputetëve që ishin brenda. Uniformat blu reaguan brenda pak minutash, duke mos e kursyer gazin lotsjellës dhe duke e shpërndarë turmën disa metra larg selisë.

Të dëmtuar nga gazi, protestuesit u shtrinë buzë Lanës për të marrë veten, ndërsa policia u vendos gardh në portën kryesore të PD-së duke mos lejuar njeri të rikthehet. Por armiku kryesor i Bashës, ishte ende në fole. Gjatë aksionit të policisë, Sali Berisha dhe disa bashkëpunëtorë të tij, ishin strehuar në një nga zyrat anësore të partisë, ku ishin pajisur edhe me mjete mbrojtëse.

Berisha doli dhe grumbulloi mbështetësit e tij, duke bërë një ecje afër kryeministrisë, dhe tentoi sërish t’i drejtohej selisë blu. Por policia reagoi sërish me gaz lotsjellës, duke mos e lejuar të kalojë urën e Lanës. Pas kësaj zbrapsje të dytë, Berisha ndenji pak kohë në bulevard duke komunikuar me grupin e tij të ngushtë, se cfarë duhet të bënte. Pastaj komunikoi vendimin duke mbyllur protestën. Pa mundur të ri-marrë shtëpinë e demokratëve, Berisha e mbylli kapitullin e parë.

Artikulli i mëparshëmMomente tmerri brenda selisë së PD-së/ Si e përjetuan njerëzit e Bashës sulmin e dhunshëm të protestuesve të Berishës (VIDEO)
Artikulli i radhësFabio Cannavaro shumë pranë drejtimit të kombëtares së njohur