Rama i trembet reportazhit të RAI 3/ Nxjerr para kohe intervistën: Neveri që…

0

Kryeministrit Edi Rama, i frikësuar nga bomba që mund të plasë në emisionin “Report” të “Rai3”,  ka publikuar para kohe intervistën me gazetarin italian. Edhe pse emisioni ishte planifikuar për t’u nisur 20:55, Rama nxitoi të nxirrte intervistën e tij me gazetarin, Giorgio Mottola një orë më parë, në rrjetin e tij social “Facebook”

Rama e nisi intervistën me kritika për emisionin e parë të transmetuar nga “Rai3”, duke e quajtur të neveritshëm atë episod ku lidhej qeveria shqiptare me trafikun e narkotikëve, pasi sipas tij, kjo nuk është e vërtetë.

“Tani jeni këtu në shtëpinë time. Qëllimi ishte sikur donit të bënit një emision për qendrat e pritjes së emigrantëve dhe kjo është e drejta juaj e shenjtë, që ju të keni opinionin dhe të informoni publikun tuaj, por ta lidhësh këtë histori italiane tuajën me gjithçka kishit qepur bashkë për Shqipërinë, qeverinë shqiptare, personazhe mjaft të errëta të Shqipërisë, ishte i qartë mesazhi që marrëveshja bëhej midis një qeverie italiane, që nuk e vlerësoni dhe midis një qeverie në Shqipëri me personazhe të lidhur me trafikun e narkotikëve. Kjo ishte pjesa e neveritshme, jo fakti që ju trajtoni në programin tuaj, problemin sesi do të administrohet kjo marrëveshje”, tha Rama

Ndërkohë sa i takon marrëveshjes për emigrantët, kryeministri i qëndroi idesë fillestare, se plani për emigrantët iu kërkua në mënyrë miqësore nga Meloni. Ai shtoi se fakti që Shqipëria nuk është anëtare e BE-së, ka sjellë këtë zhurmë lidhur me marrëveshjen.

“E kam thënë dhe e përsëris, ka qenë një kërkesë mjaft miqësore nga Xhorxha, nëse do ta merrja në konsideratë mundësinë për të bërë diçka bashkë për këtë dhe unë i thashë “pse jo, ta mendojmë”. Pastaj, kaluan muaj, ajo erdhi në Shqipëri dhe patëm mundësi të diskutojmë më gjatë se çfarë mund të bëhej, cila mund ishte pjesa jonë në këtë gjë dhe, pastaj, e bëmë. Kjo është një mënyrë për ta parë gjënë, por ka edhe një mënyrë tjetër për ta parë, sepse gjeografia nuk mund të jetë mallkimi i Italisë, që është lënë e vetme për shumë kohë. Në momente dramatike në kohë është braktisur vërtet në vetminë e saj, sepse, nëse dikush vë këmbë në Itali, vë këmbë në Europë. Pra, nuk është një që mbërrin aty dhe Italisë i duhet ta menaxhojë vetë; është dikush që mbërrin në Europë dhe Europa duhet ta menaxhojë së bashku. Për më tepër, ka një dispozitiv të rëndësishëm të legjislacionit europian, që është rishpërndarja dhe që, qartësisht, nuk ka funksionuar. Në dëm të Italisë. Ndërkohë ne nuk jemi një vend që është pjesë e BE-së, ne jemi pjesë e E-së, pra jemi vend europian e  gjendemi në anën tjetër të detit nga Italia dhe, thjesht, kemi marrë përsipër një përgjegjësi si europianë, në kuptimin që, ju keni nevojë që ne të kontribuojmë e të marrim pjesë. Nëse këtë gjë do ta kishte bërë Sllovakia, Polonia apo kushdo tjetër që është në Bashkimin Europian, asgjë nuk do të ishte thënë, por fakti që Shqipëria nuk është në Bashkimin Europian, ngre gjithë këtë zhurmë dhe, më pas, këtë interpretim, do të thoja subjektiv, të faktit”, tha Rama

Ende i mllefosur me akuzat ndaj qeverisë së tij për lidhje me krimin, Rama theksoi se nuk mund të quhet Shqipëria narkoshtet, në një kohë kur ajo ka hapur negociatat me BE-në. Ai shtoi se Shqipëria nuk ka mafie, por ka eksponencalë të cilët operojnë në mafien ndërkombëtare dhe që nuk jetojnë në Shqipëri, por në vende si Holanda, Ekuadori etj.

“Po ç’narkoshtet?! Nuk ju duket se po më jepni vetë një provë të neverisë së atij programi? Të quash narkoshtet një vend që ka çelur negociatat me Bashkimin Europian, për t’u anëtarësuar në BE… Të çelësh bisedimet me Bashkimin Europian nuk është njësoj si të hapësh programe televizive dhe të mbledhësh bashkë pikëpamje të përafërta, por ka të bëjë me kryerjen e disa detyrave shtëpie që janë tepër të monitoruara, fakt për fakt. Po, e di, personazhet që zgjodhët të ftonit pa të drejtë replike në atë program e mendojnë kështu, por janë të gjithë personazhe që kanë probleme me drejtësinë. Unë besoj që, kur flitet për të tilla gjëra, duhen parë gjithnjë faktet. Të flasësh për rritje eksponenciale të mafies shqiptare do të thotë, mbi të gjitha, të flasësh për një mafie ndërkombëtare që nuk njeh kufij, që nuk ka etni. E duke qenë se vijnë nga vende të ndryshme dhe që, për shembull, Eldoradon e vet nuk e ka në Shqipëri, e ka në Holandë, e ka në Portin e Roterdamit. Dje, Wall Street Journal botonte një artikull për Holandën dhe Belgjikën që e bënte Italinë të dukej një vend steril dhe Shqipërinë një vend të tredhur nga këndvështrimi i kapaciteteve mafioze. Atëherë, për çfarë po flasim dhe pse nuk thuhet asnjëherë që Holanda është një narkoshtet? Që nuk është… Po është kaq e lehtë që ta quash Shqipërinë narkoshtet sikur s’po thua asgjë, ndërkohë që Shqipëria sot është një vend ndryshe dhe ju mund ta dëshmoni këtë”, tha Rama.

Artikulli i mëparshëmDemagogjia e Edi Ramës dhe realiteti i emigrantëve shqiptarë
Artikulli i radhësAkuzat e Arben Ahmetajt ndaj Ramës në RAI3: Ai që akuzon ka dhe barrën e provës!