Censusi/ Kërkesat shtesë të minoritetit lidhur me regjistrimin e popullsisë

0

Organizatat e minoriteteve i kërkojnë faktorit ndërkombëtar në Tiranë të ndërhyjë për procesin e censusit, duke e cilësuar atë si antiligjor dhe jo të përshtatshëm.

Nën udhëheqjen e organizatës së minoritetit grek “OMONIA”, është kërkuar shtyrja me të paktën 6 muaj e procesit të regjistrimit dhe mos mbajtja e censusit në muajin tetor, me argumentimin se disa kushte në ligjin mbi regjistrimit janë anti-kushtetuese.

Anëtari i Kryesisë së Omonia-s dhe ish anëtar i Komitetit Shtetëror të Minoriteteve, Kristostom Kamberi, në një intervistë, theksoi kushtet e kërkuara nga ana e përfaqësuesve të minoriteteve.

                                   
Pika e parë e kushteve është shtyrja me 6 muaj e procesit, ndërsa si ndërhyrje e dytë kërkohet që ligji të rishikohet sërish.

Sipas organizatave të minoriteteve, gjobat apo ndëshkimet e tjera mbysin vullnetin dhe vetëdeklarimin e lirë të personave që janë të një etnie tjetër. “Ky ligj u hartua pa asnjë konsultim me Komitetin Shtetëror për Minoritetet dhe as organizatat përfaqësuese të minoriteteve tona.

Ne, përfaqësuesit e grupit të punës të organizatave të minoriteteve, shprehim kundërshtimin kategorik në lidhje me dispozitat e miratuara, të cilat ndëshkojnë dhe mbysin vetëdeklarimin e lirë të përkatësisë etnike të shtetasve të Republikës të Shqipërisë”, deklaroi Kamberi.

Duke theksuar se censusi duhet të shtyhet me 6 muaj në mënyrë që të kryhen konsultimet e duhura, ai shtoi se amendimet e reja nga ana e Partisë Drejtësi, Integrim dhe Unitet, që iu bënë këtij ligji, do të shkaktojnë një proces të deformuar.

“Ne, përfaqësuesit e minoriteteve, kërkojmë nga ana e institucioneve shqiptare shtyrjen për 6 muaj të procesit të regjistrimit të përgjithshëm të popullsisë për të kryer konsultimet e mësipërme”, tha Kamberi.

Një tjetër kërkesë e tyre ishte edhe vendosja e më shumë se një etnie në formularin e regjistrimit, duke mos u mjaftuar me pikën që, nëse i përket një etnie tjetër, mund ta shtosh në formular.

Shoqatat kërkuan përfshirjen në strukturat e regjistrimit edhe të personave që u përkasin minoriteteve. Një kërkesë e veçantë është edhe mbajtja e një kopjeje të formularit dhe t’i lihet në dispozicion cilitdo personi që plotëson formularin.

“Kërkojmë që një kopje e pjesës së formularit që ka të bëjë me përkatësinë e shtetasve t’i lihet në përdorim personit për t’u përdorur si dëshmi në të ardhmen, në përfitimin e të drejtave dhe lirive që i takojnë në bazë të legjislacionit shqiptar”, shtoi Kamberi.

Kërkesa e minoriteteve është firmosur nga shoqatat minoritare dhe u është dërguar institucioneve shqiptare, kancelarive diplomatike në Tiranë, siedhe Komisionit Europian dhe Strasburgut.

Artikulli i radhësRespektimi i të drejtave të minoriteteve, sfidë e pa përmbushur. Pa u tejkalur nuk ka integrim