Mijëra e mijëra pyetje në portalin e qeverisë, mijëra të tjera në adresat dhe pikëpjekjet telefonike të kryeministrit, me gjasë mijëra të tjera në celularët e drejtuesve të emisoneve televizive- pa fund, pa fund, pa fund, siç nuk harrojnë të thonë ata gjithherë. Dhe shto këtu grumbujt e stoqet me pyetje në celularët dhe adresat e ministrave, të Institutit të Shëndetit Publik, të mjekëve dhe specialistëve të afishuar në vijën e parë të luftës kundër koronavurusit, të zyrtarëve të opozitës, të kryetarëve të bashkive…Pa fund, pa fund, pa fund.
Kaq shumë janë pyetjet dhe kaq e përorëshme vala e tyre sa për një çast Shqipëria mbarë të ngjan me një pyetsore të madhe.
Pandemia e Covid-19 mbart disa mistere për të cilat njerëzit ndjejnë nevojën të dinë. Sikurse mbart edhe pritjen dhe kërshërinë për zbulimin e vaksinës së këtij virusi.
Por nuk është fjala për pyetje që kanë të bëjne më kuriozitetin dhe nevojën mbarë botërore për të mësuar të reja të kësaj natyre. Pastaj pyetje të tilla nuk mund të jenë më shumë se sa të numërohen me gishtat e duarve.
Referuar pyetjeve që shohim e dëgjojmë të bëhen publike, qoftë kur kryeministri eksperimentoi një a dy herë të lidhej drejtpërsëdrejti me qytetarët dhe pa se do t’i duheshin disa javë non stop me telefon në dorë t’u përgjigjej gjashtëmijë e më shumë pyetjeve që thuhej se ishin depozituar ndërkohë në portalin e qeverisë, qoftë kur zoti Rama dhe zyrtarët e specialistët e ndryshëm i marrin si përmes një sekretarie telefonike apo centrali nga drejtuesit e emisioneve televizive, na rezulton se janë pyetje që kanë të bejnë kryesisht me sjelljen ndaj pandemisë, me paqartësi indivduale për jetën dhe punën në kushtet e gjendjes së fatkeqesisë natyore që ka diktuar edhe marrjen e vendimeve të jashtëzakosnhme, e të tjera të kësaj natyre.
Mirë, shumë mirë që qytetarët kanë ku t’i drejtojnë pyetjet e tyre dhe kanë mundësi të marrin përgjigje drejtpërsëdrejti nga autoritetet apo përmes mediave.
Ndërkaq, pak të rrish e të dëgjosh para ekraneve, e kupton menjëherë se shumica e pyetjeve, qoftë ato për sjelljen në pandemi, qoftë ato që kanë të bëjnë me mënyrën e zbatimit të vendimeve të reja bëhen përditë e për natë për disatën herë, deri pyetje tashmë të rëndomta për frekuencën e larjes së duarve, a thua se kush sheh televizor i injoron ose nuk i beson përgjigjet e pyetjeve që nuk i ka bërë vetë. Ose tjetra- dhe këtu do të ishim brenda një komedie të madhe që meriton thellim- shumë vetë këtu pyesin për gjëra që i dinë por e kanë për sport, për hobi, për kënaqësi, për argëtim a kush e merr vesh t’i shkarkojnë në magazen e madhe kombëtare të pyetjeve pa fund, pa fund, pa fund.
Sidoqoftë, ka këtu diçka që nuk shkon.
Së pari, nëse ka vërtet pa fund pyetje do të thotë se piramida e institucioneve që e kanë për detyrë të sqarojnë njerëzit, t’u bëjnë me dije rregullat, ndryshimet, të rejat që ka diktuar gjendja e jashtëzakonshme, janë jashtë fuksionit. Si është e mundur që një sipërmarrës, fjala vjen, kërkon të mësojë përmes medias hollësi për një ndryshim që ka ndodhur në regjimin e doganave, kur këtë duhet ta kishte mësuar nga vetë zyrtarët që punojnë në doganë- për të marrë një shembull të thjeshtë nga moria e shembujve të ngjashëm. Ideja e qeverisjes me telefon, për me shumë nga një telefon i vetëm, e çon përfytyrimin e qevesisjes në kufijtë e barcaletës me Zotin që u përgjigjet dhe i kënaq të gjithë nga përtej reve…si në përralla.
Është fakt i njohur se ku ka pyetje shumë ka trasparencë pak. Dhe ky mund të ishte reflektimi kryesor për “ pandeminë” e pyetjeve pa fund në vendin tonë. Në këto kushte, është e kuptueshme, që barra e pyetjeve shkarkohet nëpër media apo në portalin qendror të qeverisë.
Reflektimi i dytë lidhet me dyshimin e arsyeshëm, për të cilat ka folur nobelisti portugez Saramagos, rreth interesit të qeverive propagandistike për të nxitur pa fund, pa fund, pa fund pyetje të qytetarëve, duke ia arritur në një fazë të trushplarjes t’i lumturojnë ata thjesht duke administruar e duke u shprehur për pyetjet e tyre, por pa dhënë zgjidhje.
Një reflektim i tretë ka lidhje me vetë rolin e medias si pushtet i katër në shoqërinë e hapur. Ajo, media, ngre pikëpyetjet e veta, bën pyetjet e veta, jep përgjigjet e veta që shumë herë janë të ndryshme apo të kundërta me ato të qeverisë, tregon me fakte dhe me arsyetime të shëndosha të vërteta dhe realitete që qeveria mundohet t’i fshehë, t’i ngjyrosë. Ky është pushteti autonom i mediave. Kemi patur prej tridhjetë vitesh dhe kemi sot e gjithë ditën shembuj shumë të mirë dhe konstantë të pavarësisë dhe përgjegjësisë së mediave.
Unë shoh prej vitesh në disa televizone të huaja emisione politike. Nuk më ka ndodhur ndonjeherë të shoh drejtues emisionesh me celuar në dorë që t’u drejtojnë zyrtarëve të ftuar pyetjet që u vijnë direkt nga shikuesh të ndryshëm, të cilat i kanë stimuluar vetë duke dhënë numrin e duke mbajtur aparatin në dorë. Ka stafe që grupojnë dhe seleksionojnë pyetje dhe opinione të publikut, por kështu “ja, ç’më shkruan iksi” apo “pyete pak filanin që ke në studio”, nuk me ka qëlluar të shoh. Nuk di çfarë emri t’i vë këtij ndërmjetësimi, që e ka në mundësi prodhimin e incidenteve, madje ka prodhuar incidente. Mund të jetë i dobishëm nga një pikpamje. Por gazetari nuk është. Këtë e them me bindje.
Këto tre refleksione e marrin të mirëqenë vërshimin e pyetjeve pa fund.
Por nëse në këtë “ pa fund, pa fund, pa fund” ka ekzagjerim për qëllime marketingu, jemi në një histori tjetër./Gazeta Liberale