Kreu i opozitës, Lulzim Basha, pasi ka dalë sot për të bërë pazar, ka reaguar me një mesazh në faqen e tij në “Facebook”, duke theksuar se pa me kënaqësi respektimin e rregullave të distancimit social. Ai përsëriti thirrjen drejtuar qytetarëve për të respektuar të gjitha udhëzimet mbi distancimin social, sidomos kur dalin jashtë për nevojat e ditës.
Mesazhi i Bashës
Të dashur bashkëqytetarë, si shumë prej jush, sot dola për disa blerje dhe pashë me kënaqësi respektimin e rregullave të distancimit social.
Ndonëse është një ditë e bukur pranvere, nuk duhet të harrojmë që jemi në kushtet e emergjencës dhe karantinës.
Ndaj dua t’ju përsëris sërish thirrjen time, të respektoni të gjitha udhëzimet mbi distancimin social, sidomos kur jeni jashtë për nevojat e ditës! Ruani me fanatizëm distancën 1,5 metër!
E di që për shumë prej jush po bëhet e vështirë, por ju lutem mendoni se në këtë mënyrë po ruani veten, familjen dhe të afërmit tuaj. Çdo ditë sakrificë për të ruajtur jetën dhe shëndetin është një betejë e fituar. Bashkë do t’ia dalim. #ditemetemira