Raiffeisen Bank: Riskedulimi i kredisë do të vendoset me konsensus mes Bankës dhe klientit

0

Ka pasur një interes të lartë nga bizneset dhe individët për ristrukturimin e huave të tyre, menjëherë pas urdhrit të përbashkët të guvernatorit të Bankës së Shqipërisë dhe kryeministrit.

Delina Millona, Menaxhere e Riskut Strategjik për Retail në Raiffeisen Bank, tha se janë angazhuar të mundësojnë lehtësimin e gjendjes së klientëve në kushtet kur këta të fundit gjenden në izolim apo në vështirësi, pamundësi për të punuar, për të siguruar të ardhurat mujore dhe për të përmbushur detyrimet kontraktuale me bankën. Pjesa më e madhe e klientëve janë adresuar në kanalet dixhitale, duke mundësuar kështu uljen e pranisë fizike dhe radhëve në degë. Ajo tha se, miratimi për riskedulim të kredisë, vendoset me rënien dakord mes Bankës dhe klientit.

A kanë filluar kërkesat nga biznesi për ristrukturim të kredive sipas orientimeve të BSH-së?

Që nga momenti kur Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko, njoftoi mbi masat që Banka Qendrore po merr në rishikimin e rregulloreve për administrimin e rrezikut të kredisë, në mbështetje të ekonomisë shqiptare, ashtu siç pritej, pati reagime të menjëhershme nga bizneset dhe individët.

Banka jonë, si pjesa më e madhe e institucioneve financiare, ka marrë të gjitha masat në përgjigje të këtij vendimi. Ne jemi të angazhuar të mundësojmë lehtësimin e gjendjes së klientëve tanë, në kushtet kur këta të fundit gjenden në izolim apo në vështirësi, pamundësi për të punuar, për të siguruar të ardhurat mujore dhe për të përmbushur detyrimet kontraktuale me bankën tonë.

Raiffeisen Bank u mundëson të gjithë klientëve të aplikojnë për shtyrjen e afatit të pagesës së këstit të kredisë, duke plotësuar formularin “Kërkesë për shtyrje kredie” nëpërmjet faqes së web, aplikacionit RaiffeisenOn, ose duke skanuar kodin QR që është publikuar në derën e çdo dege të bankës, megjithëse duke pasur në fokus shëndetin, ne sugjerojmë që klientët t’u drejtohen kanaleve dixhitale.

Nëse keni dijeni, çfarë natyre kanë kërkesat e klientëve?

Deri tani mund të themi që kërkesa më të shumta kanë ardhur nga individët, të cilët kërkojnë lehtësimin e kushteve të tyre, duke shtyrë afatin e pagesës së këstit të kredisë deri pas 31 Maj 2020, në vijimësi të urdhrit të Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë.

Situatat më të zakonshme kanë pasur të bëjnë me rënien e të ardhurave personale dhe familjare, si pasojë e pamundësisë për të punuar. Por nuk kanë munguar edhe biznese të cilat janë në vështirësi ekonomike për të përmbushur detyrimet kontraktuale, si pasojë e ndërprerjes së aktivitetit tregtar.

A parashikojnë bankat ndikim afatgjatë të këtij procesi?

Duket që kjo pandemi po shkakton nje recesion glabal të ekonomisë, në shumë drejtime dhe industri. Sigurisht do të ketë ndikimin e saj edhe në vendin tonë. Aktualisht, ne jemi në përgjigje të një situate emergjente, por në paralel, banka ka struktura solide dhe po ndërmerr të gjitha masat për të zbutur apo për të shmangur një situatë krize në të ardhmen dhe për të garantuar vazhdueshmërinë e financimit të tregut në përmbushjen e nevojave ndaj klientëve. Referuar edhe fjalës së Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, gjendja financiare e sistemit bankar vazhdon të jetë e shëndetshme për momentin. Sistemi bankar është likuid dhe i mirëkapitalizuar, si një nga shtyllat kryesore që do të mbështesë ekonominë.

Cilët klientë përfshihen? Të gjithë lejohen të kërkojnë këtë trajtim? (Klientë retail, biznes i vogël e biznes i madh)?

Ashtu siç sqarova pak më sipër, mund të aplikojnë të gjithë klientët të cilët kanë pësuar një dëmtim/humbje financiare, si pasojë e masave shtrënguese apo mbylljes së përkohshme të aktivitetit. Këtu përfshihen të gjithë ata individë, Biznese të Vogla, të Mesme dhe të Mëdha të cilët kanë drejtuar në bankë një kërkesë, duke argumentuar nevojat e tyre për shtyrjen e afatit të pagesave të kësteve mujore pasi janë ndikuar financiarisht nga situata e krijuar për shkak të COVID-19 dhe nuk kanë mundësi të vijojnë rregullisht ripagimin e kësteve mujore, për këta tre muaj.

A ka filluar procesi i aplikimit?

Po, procesi i aplikimit ka filluar menjëherë pas njoftimit për media nga Guvernatori i BSH-së, si dhe Urdhrit të firmosur nga Kryeministri ynë, i datës 17 mars 2020. Flukset ditore të kërkesave janë të larta, megjithatë Raiffeisen Bank ka marrë të gjitha masat e nevojshme për të procesuar në kohë kërkesat, në zbatim të urdhrit të lëshuar. Pjesa më e madhe e klientëve janë adresuar në kanalet dixhitale, duke mundësuar kështu uljen e pranisë fizike dhe radhëve në degë, duke qenë se edhe këto të fundit po punojnë me orare të shkurtuara dhe numër më të vogël, por me kapacitet të plotë të stafit.

Cilat janë arsyet për aplikim?

Nga sa kemi vënë re, të gjitha arsyet vijnë si pasojë e masave të këtyre javëve. Pjesa më e madhe e klintëve individë rendisin “rënie e të ardhurave personale dhe familjare”, “reduktim i pagës mujore nga punëdhënësi”, “kostot mujore, ndërkohë që nuk hyjnë të ardhura”, “papunësi e përkohshme”.

Ndërsa për bizneset mund të përmend “ndërprerje e aktivitetit”, “ulje e porosive”, “ndërprerje e furnizimeve”, “mbajtja e kostove operacionale”…

Çfarë përfiton klienti nga shtyrja e pagesave për periudhën në fjalë?

Nga ky urdhër, klientët e klasifikuar si raste të miratuara, do të përfitojnë shtyrje të këstit të kredisë, apo spostimin e interesave të overdraftit, për periudhën 12 mars – 30 maj 2020, pa ju ngarkuar me asnjë penalitet për mospagesë të detyrimeve të kredisë gjatë kësaj periudhe.

Në përfundim të kësaj situate të jashtëzakonshme, klientët janë njoftuar se duhet të paraqiten në bankë për të pranuar dhe për të marrë planin e rishikuar të pagesave të kredisë në të cilin do të jetë e pasqyruar mënyra e shlyerjes së kësteve të kredisë, pas shtyrjes së përfituar. Ky riskedulim i kësteve nuk duhet të kuptohet apo të interpretohet në asnjë rast si ndryshim i kushteve të kontratës së kredisë së nënshkruar me Bankën Raiffeisen. Të gjitha kushtet kontraktore do të mbeten në fuqi dhe janë të detyrueshme për palët deri në shlyerjen e plotë të kredisë. Në asnjë rast shtyrja e kësteve për periudhën e sipërpërmendur tremujore nuk do të thotë dhe nuk duhet të kuptohet nga klienti si falje detyrimi apo çlirim i palëve nga detyrimet e tyre kontraktuale.

Banka e shqyrton në detaje kërkesën e klientit dhe a mund të bjerë dakord me të për më shume se sa kaq, nëse e gjykon të nevojshme?

Miratimi për riskedulim të kredisë, vendoset me konsensus mes Bankës dhe klientit. Veçanërisht, nëse banka gjykon që klienti ndodhet në vështirësi financiare, e cila nuk ka ardhur vetëm si pasojë, por është rënduar nga gjendja emergjente e shkaktuar nga COVID-19, banka ka të drejtë të vlerësojë dhe të gjykojë sipas të gjitha procedurave e mjeteve në fuqi, mbi mënyra të ndryshme të ristrukturimit të kredisë. Këto variojnë sipas specifikave të rasteve të klientëve, duke u mbështetur në një plan ripagimi referuar situatës financiare aktuale për secilin klient. Raiffeisen Bank do të qëndrojë gjithmonë pranë klientëve të saj, duke mundësuar kalimin sa më lehtë të kësaj gjendje./monitor.al

Artikulli i mëparshëmVlorë/ Identifikohen autorët e plagosjes. Policia në ndjekje të tyre
Artikulli i radhësCOVID-19/ Apple nis prodhimin e maskave mbrojtëse. Një shembull se si të gjithë mund të japin kontributin e tyre në këtë “luftë”