Sikur të mos mjaftonte situata e nderë mes Italisë dhe Gjermanisë sa i përket krizës së krijuar nga koronavirusi i ri, gazeta gjermane ‘Die Welt’ i ka hedhur benzinë zjarrit.
“Zonja Merkel, mos u përkulni,” thuhet në artikullin që mban firmën e Christoph Schlitz. Ai kërkon që qeveria gjermane të mos lëshojë përpara kërkesave italiane për koronabondet.
“Duhet të jetë e qartë se në Itali, ku mafia është e fortë dhe tani vetëm po pret financimet nga Brukseli- fondet duhet të paguhen vetëm për sistemin shëndetësor dhe jo për sistemin social dhe fiskal”, shkruan ai.
“Edhe në krizën e koronavirusit, parimet themelore duhet të zbatohen”.
Artikulli ka zemëruar edhe ministrin e Jashtëm italian, Luigi di Maio.
“Një deklaratë e turpshme dhe e papranueshme. Shpresoj që qeveria gjermane të distancohet nga ajo. Italia po vajton viktimat e koronavirusit, por ka mbajtur zi dhe ka vajtuar edhe viktimat e mafias,” tha ai.
Kurse senatori kalabrez, Nicola Morra tha se Gjermania e ka Ndrangheta- në shtëpinë e saj e akuzon të tjerët.
Më herët, gjatë një interviste për gazetën gjermane BILD, kryeministri italian, Giuseppe Conte tha se “koronavirusi mund të sjellë fundin e ëndrrës evropiane”.