Donald Trump ka ngrirë fondet amerikane për Organizatën Botërore të Shëndetsisë, si një përgjigje e drejtpërdrejtë ndaj atij që sipas tij ishte reagim i avashtë i OBSH-së, për ngritjen e alarmit mbi kërcënimin global nga koronavirusi dhe të qenurit tepër “të orientuar nga Kina” në reagimin e saj. Por financimi i organizatës ishte në vëmendjen e tij që në 7 shkurt, kur administrata e Trump po sugjeronte uljen e kontributit të SHBA-së, që është rreth 400 milion dollarë në vit.
Pretendimi nga Trump dhe përkrahësit e tij se OBSH ishte e ngadaltë në paralajmërimin e rrezikut të transmetimit nga njeriu te njeriu dhe se ajo nuk arriti të ekzaminojë transparencën kineze në fillim, nuk është provuar ende me prova konkrete. Udhëzimi teknik i OBSH-së i lëshuar në fillim të janarit ishte paralajmërues i rrezikut të transmetimit nga njeriu tek njeriu dhe organizata shpalli koronavirusin një emergjencë shëndetësore publike me shqetësim ndërkombëtar, një ditë përpara se Trump të njoftonte ndalimin e pjesshëm të fluturimeve nga Kina.
Duket se Trump po ndjek taktikën e njohur: të gjejmë të tjerë për të fajsuar në mes të shpërthimit të koronavirusit dhe për të hequr vëmendjen nga menaxhimi që po i bën krizës. Ai e filloi duke e quajtur “virusi kinez”, duke fajësuar administratën e mëparshme të Obamës dhe duke sulmuar guvernatorët e shteteve.
Sa ndikim do të kenë shkurtimet e fondeve amerikane?
Ndërsa pezullimi i financimit nga SHBA për 60-90 ditë është relativisht i vogël – por pasojat potenciale nga një tërheqje e përgjithshme e SHBA-së nga fondet globale të shëndetit nën mbulesën e këtij njoftimi do të të jenë shumë serioze, dhe do të ndjehen më thellësisht në vendet që kanë nevojë për më shumë mbështetje.
Edhe para njoftimit të Trump, organizata po shikonte shkurtime të mundshme për programimin tashmë të nën-financuar. Ndikime të tilla mund të ndjehen në programet tashmë të komplikuara nga koronavirusi, të tilla si vaksinimi për sëmundjet ngjitëse dhe ndërtimi i sistemeve të paralajmërimit të viruseve.
Devi Sridhar, kryetarja e shëndetit publik global në Universitetin e Edinburgh, e quajti vendimin e Trump jashtëzakonisht problematik, duke përmendur se OBSH ishte duke udhëhequr përpjekjet për të ndihmuar vendet në zhvillim për të luftuar përhapjen e Covid-19. “Kjo është agjensia që po kujdeset për vendet e tjera dhe po bën përpjekje për të ndaluar pandeminë. Tani është koha kur ata kanë nevojë për më shumë fonde, jo më pak”, tha ajo.
Çfarë ndikimesh të tjera do të ketë?
Sulmi i Trumpit mbi besueshmërinë e të dhënave të OBSH-së dhe sistemeve të paralajmërimit, në ndjekjen e planit të tij kundër Kinës, kërcënon rolin e Amerikës si “udhëheqëse”. Ndërsa diplomacia globale e shëndetit është një veprim balancues kur kemi të bëjmë me vende si Kina, të cilat kanë një rekord të dobët për lirinë e fjalës, transparencës dhe të drejtat e njeriut, informacioni i ofruar nga zyrtarët shëndetësorë të OBSH-së është krijuar për të qenë i dobishëm shkencërisht dhe klinikisht, për të vën nën kontroll përhapjen e sëmundjes. / BBC