Ministrja për Marrëdhëniet me Parlamentin Elisa Spiropali në fjalën e saj në parlament, deklaroi se koronavirusi ka vrarë njerëz në të gjithë botën, duke shkaktuar një pandemi të pazakontë.
Spiropali theksoi se masat që janë marrë nga qeveria kanë qenë drastike, duke thënë se po ashtu janë miratuar paketa në ndihmë të qytetarëve, për të mbajtur në këmbë ekonominë.
“Koronavirusi po vret përditë si në një bilanc lufte. FMN tha se prritet që të ketë një rënie ekonomike, më e madhja që nga Depresioni i Madh. Amerika dhe vendet kryesore europiane do të përjetojnë goditjen më të fortë. Do goditet ekonomia e Francës, Gjermanisë, Italisë etj.
Shqipëria e ka përballuar me dinjitet këtë situatë. Spitalet tona nuk janë të mbushura me persona që luftojnë me jetën. Mjekët tanë janë pak të prekur, por sepse si qeveri, si shtet e popull kemi bërë gjënë e duhur. Masat kanë qenë drastike, duke qenë të vetëdijshëm se situata do përkeqësohej, ne kemi miratuar paketa për të ndihmuar popullin”, tha Spiropali.
Elisa Spiropali shtoi se qeveria tani po shikon që të rrisë fashon e orarit, duke bërë një hapje të ngadaltë të situatës.
“Duke nisur nga java e ardhshme, do të vazhdojmë me një fasho të re orari. Është e rëndësishme që qytetarët të respektojnë masat, për të ndaluar përhapjen e koronavirusit. Shpallja e fatkeqësisë deri më 23 qershor është një domosdoshmëri, që të ketë sa më pak të infektuar me virus”, u shpreh Spiropali.