Nga Irena Beqiraj
John Kenneth Galbraith me plot ironi thotë “parashikimet ekonomike kanë vetëm një qëllim, të rrisin respektin e shoqërisë për astrologjinë”. Në një periudhë të trazuar pandemie ekziston një marrëdhënie komplekse midis jetëgjatësisë së virusit, efektivitetit të kontrollit të tij, politikave mbështetëse ekonomike dhe sjelljes së sektorit privat. Në kushtet e një pasigurie ekstreme dhe komplekse, në kushtet e mungesës së ligjeve universale në shkencën ekonomike, përpjekja për të parashikuar thellësinë, zgjatjen dhe efektet e këtij recesioni, mund të duket një përpjekje që do të vërtetonte ironinë e Galbraith-it.
Megjithatë çdo qytetar apo lexues ka pyetje të thjeshta, të cilat kërkojnë përgjigje. A do jetë ky një recesion afatshkurtër? Si do të jetë normaliteti i ri ekonomik, i ngjashëm me atë që kishim?
“Gjeometria e goditjeve” njeh disa forma standarde të rikuperimit ku format më standarde janë format V, U dhe L.
Goditja në formë V-je tregon një dalje të shpejtë nga recesioni, gjë që do të thotë se humbjet në PBB, janë afatshkurtra dhe ekonomia rikthehet shpejt në kushte normale të parakrizës.
Goditja në formë U-je tregon një dalje më të ngadaltë nga recesioni. Prodhimi i Brendshëm Bruto pëson një humbje permanente për shkak të falimentimit të bizneseve, edhe humbjes së përkohshme të disa tregjeve. Në këto kushte, duhet të paktën 2-3 vjet për të dalë nga recesioni.
Goditja në formë L-je tregon që recensioni ka krijuar dëme sinjifikante strukturoro-ekonomike, sidomos nga ana e ofertës. Thënë këtë rënia ekonomike do të jetë afatgjatë, duke ndikuar në uljen e investimeve (formimin e kapitalit fiks bruto) në rritjen e papunësisë dhe në uljen e produktivitetit.
Grafiku tregon tri vende që shfaqin gjeometri të ndryshme të rimëkëmbjes gjatë recesionit të 2008-s. SHBA në formë V-je , Islanda në formë U -je dhe Greqia në formë L-je.
Studimet empirike sjellin lajme të mira. Në përgjithësi recesionet e shkaktuara nga katër pandemitë më të mëdha të shekullit të fundit kanë qenë në formë V-je. Por këtë here, për shkak të pasigurive mbi “jetëgjatësinë e pandemisë” si dhe kohës që duhet për të zbuluar vaksinën apo kurimin e duhur, shpresa që recesioni të jetë në formë V-je po zbehet çdo ditë edhe më shumë.
Nëse virusi nuk vendoset nën kontroll brenda verës 2020, forca goditëse do të jetë me e fortë për ekonomitë të ngjashme me tonën që, 1) në stukturën e tyre prodhuese kanë kryesisht sektorë që bazohen më së shumti te krahu i punës, 2) struktura e ndërmarrjeve paraqitet e fragmentizuar ku pjesën dërrmuese e zënë bizneset me më pak se 10 punëtorë dhe vendet që pavarësisht madhësisë së stimulit fiskal, qartësia dhe shpejtësia në implementim ka qenë e dobët.
Me rritjen e forcës goditëse, aftësia e goditjes për të dëmtuar kapacitetin e formimit të kapitalit bruto (ndryshe Investimet) do të rritet, duke përkeqësuar aneminë që ka shfaqur ekonomia jonë në dekadën e fundit pas recesionit të madh të 2008, pikërisht në këtë aspekt. Rrjedhimisht “gjeometria e goditjes” do të mund të përkeqësohet, duke kaluar në U ose më keq në L.
Grafiku i formimit të kapitalit bruto tregon luhatshmërinë në normat e rritjes së këtij të fundit, sidomos në dekadën e fundit, ku nuk kanë munguar edhe vlerat negative. Kjo për shkak edhe të varësisë që ka ekonomia jonë e vogël nga investimet e huaja direkte.
Eksperienca e recesioneve të mëparshme tregon se vendet eksportuese, pra vendet me surplus të bilancit tregtar,(vende që më shumë eksportojnë se importojnë) vendet që kanë bankat e tyre qendrore (d.m.th monedhën e tyre kombëtare) dhe vendet që aplikojnë kurset fleksibël të këmbimit valutor, kanë mundësi që me politikat e duhura të rrisin shpejtësinë e rimëkëmbjes. Historia ekonomike e recesioneve ka treguar katër determinantë kryesorë, të cilët kanë përcaktuar shpejtësinë e rimëkëmbjes nga recesioni . Faktori i parë është mbështetja e sektorëve kryesorë eksportues. Çdo kontraktim apo kufizimim i kërkesës së brendshme për mallra edhe shërbime mund të tejkalohet lehtësisht në ekonomitë eksportuese. Faktori i dytë në përcaktimin e shpejtësisë së rimëkëmbjes është ndryshimi në bazën monetare M2. Një rritje e bazës monetare M2 do të çonte në një rikuperim më të shpejtë. Rritja e bazës monetare M2 nëpërmjet lehtësimit sasior (kryesisht nëpërmjet monetarizimit të borxhit publik) i krijon likuiditetin e nevojshëm buxhetit, duke rritur kështu shpejtësinë e rikuperimit ekonomik. Po ashtu një zhvlerësim i monedhës është i nevojshëm për të rritur shpejtësinë e daljes nga recesioni. Faktori i tretë është rritja e normës së formimit i kapitalit si përqindje e PBB-së, pasi në ekonomitë në zhvillim nivelet më të larta të investimeve çojnë në një rikuperim më të shpejtë. Faktori i katërt është ruajtja edhe forcimi i besimit të konsumatorit dhe investitorëve në ekonomi.
Megjithëse jemi një ekonomi me bilanc tregtar negativ, mund të rrisim shpejtësinë e daljes nga recesioni nëse vëmendjen dhe mbështetjen tonë e përqendrojmë te sektorët eksportues, duke ofruar paketë mbështetje të strukturuar vetëm për këtë sektor.
Së dyti më shumë sesa rritja e konsumit familjar është e rëndësishme për vitet në vazhdim, rritja e investimeve dhe formimi i kapitalit bruto. Për këtë arsye përtej ndihmës ekonomike, sociale e dogmave “mbi fytyrën humanitare të qeverisë”, fokusi i rimëkëmbjes duhet të jetë zhvillues, edhe duhet të jetë te biznesi, moscenimi i kapaciteteve ekzistuese dhe rritja e mëtejshme e kapaciteteve të tij investuese.
Dhe së treti, ndryshe nga Greqia që përjetoi një goditje të formës L në recesionin e 2008-s, si rezultat edhe i mungesës së një Banke Qendrore Kombëtare dhe të një monedhe vendëse, gjë që nuk ndodhi me Islandën, Shqipëria sot i ka të dyja.
Në epokën e Covid-19, asgjë nuk është e pamundur, por duhet të urojmë më të mirën dhe të përgatitemi për më të keqen.