Sot ka filluar lëvizja e lirë me më pak kufizime për disa qarqe dhe bashki të vendit, pasi ato kanë qenë më pak të prekura nga koronavirusi ose aspak. Megjithatë, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ardi Veliu, pasi ka inspektuar ngritjen e pikave të kontrollit, ku ndahet Tepelena me Mallakastrën dhe Vlora me Sarandën, ka nënvizuar se në Sarandë apo në Himarë nuk do të lejohet absolutisht frekuentimi i plazheve. Pikat kontrolli do të vendosen midis qyteteve të Tepelenës dhe Mallakastrës dhe në Llogara.
“Për të gjithë qytetarët e kësaj zone, kjo mundësi për të lëvizur lirshëm midis fashave për moshën e tretë nga ora 6:00 deri në orën 08:30 dhe nga ora 09:30 deri në orën 17:30 për pjesën tjetër të popullsisë është një mundësi që nuk duhet keqpërdorur, – tha Veliu, – por duhet shfrytëzuar duke respektuar të gjitha normat e sjelljes dhe detyrimet të cilat janë përcaktuar tashmë përsa i përket distancimit social, por edhe për sa i përket pjesës tjetër të mënyrës së lëvizjes, të cilët nuk duhet të jenë jo më shumë se dy persona apo mosfrekuentimit të parqeve, lokaleve e vendeve publike.
Gjithashtu, për Sarandën dhe për zonën e Himarës dhe për gjithë zonën e bregdetit, duke qenë se janë zona të cilat lagen nga deti dhe do të jenë një mundësi për t’u shfrytëzuar nga pushuesit për të hyrë në det, bëj me dije se këto veprime janë veprime totalisht të ndaluara dhe nuk do të tolerohen në asnjë moment nga Policia e Shtetit.
Prandaj gjej një mundësi t’u bëj thirrje gjithë qytetarëve të mos kenë absolutisht asnjë tendencë që të frekuentojnë plazhet derisa të dalë një urdhër i dytë që të normojë mënyrën sesi do të trajtohet, mënyrën sesi do të veprohet me plazhet.
Po kështu, për të parandaluar këtë mundësi, midis Sarandës dhe Gjirokastrës do të jetë përsëri një pikë kontrolli, e cila do të bëjë të mundur që asnjë nga qytetarët e Gjirokastrës apo të zonës së gjelbër në qarkun e Gjirokastrës të mos vijnë në Sarandë për të frekuentuar qoftë këtë zonë, por edhe për ta parë si mundësi për të hyrë në det”.
KUSH JANE ZONAT E GJELBERTA
Nga e hëna, datë 27 prill, Qeveria ka marrë vendim që të ketë një lehtësim të posaçëm të lëvizjes, por me rregulla strikt për lëvizjen në disa qarqe dhe bashki të vendit, që kanë rezultuar “të pastra” nga infektimi i koronavirusit.
Konkretisht:
Qarku Dibër
Qarku Gjirokastër
Zona e përbashkët e bashkive Pogradec, Prrenjas, Librazhd
Zona e përbashkët e bashkive Sarandë, Himarë, Delvinë, Konispol, Finiq
Bashkia Divjakë
Në zonat e gjelbërta automjetet private do të lëvizin pa autorizim nga ora 9.30 deri në orën 17.30, por me rregullin e vetëm 2 personave në makinë, nga i cili përjashtohen kategorikisht pensionistët!
Ndalohet rreptësisht hyrje-dalja në perimetrin e këtyre zonave
Pensionistët do të lëvizin lirisht në këmbë, deri në orën 8.30 dhe deri në këtë orë asnjë këmbësor tjetër përveç atyre që kanë autorizim për punë, ndalohet të dalë nga shtëpia.
Nga ora 9.30 deri në 17.30 të gjithë të tjerët mund të dalin nga shtëpia.
Ndalohet lëvizja në këmbë e më shumë se dy personave
Ndalohet rreptësisht qëndrimi në një vend i më shumë se dy personave dhe nuk lejohet frekuentimi i parqeve publike në 14 ditët e ardhshme.