Sulmuesi argjentinas Paulo Dybala ishte një nga të parët futbollistë të kampionatit italian të prekur nga Covid-19, menjëherë pas shokëve të skuadrës, Daniele Rugani dhe Blaise Matuidi, por makthi nuk ka fund për numrin 10 të Juventusit, që edhe 6 javë më vonë, vijon të rezultojë pozitiv.
Më 21 mars ishte vetë Paulo Dybala që nëpërmjet një postimi në Instagramin e tij njoftoi se kishte rezultuar sërish pozitiv ndaj koronavirusit, ndërsa sot El Chiringuito ka konfirmuar se për të 4-tën herë radhazi, sulmuesi argjentinas ka rezultuar pozitiv.
Bashkë me Dybalën, pozitive ndaj Covid-19 është edhe e fejuara e tij Oriana Sabatini, ndërsa çifti janë duke kaluar kohën në karantinë së bashku, pasi virusi duket se nuk po u shoqërohet me pasoja të rënda, megjithatë mbetet shqetësues fakti që prej 6 javësh vijojnë të jenë të prekur.
Nga videot e shpërndara në rrjetet sociale, Dybala duket mjaft aktiv dhe kryen rregullisht seanca stërvitore në kushtet e shtëpisë, ndërsa nuk mungojnë as postimet humoristike me Orianën në rrjetin “TikTok”.
Ndërkohë te klubi i Juventusit janë shqetësuar për këtë situatë dhe kanë kërkuar të tjera teste të imtësishme, pasi shpresojnë që argjentinasi të lërë pas sa më shpejt këtë situatë dhe të jetë gati t’i përgjigjet një grumbullimi të mundshëm të skuadrës për të rinisur stërvitjen.
Në Itali shpresonin që të lejohej rinisja e stërvitjes më 4 maj, por qeveria nuk e ka dhënë ende miratimin e saj, ndaj opsioni i mbetur në tavolinë është ai i 18 majit, që do të shtynte edhe rifillimin e sezonit për më 13 qershor.