Përse është kaq e thjeshtë të dashurohesh me Lisbonën

0

Nëse ke sadopak pasion për kulturën, arkitekturën, e ushqimin e mirë, atëherë Lisbona, është vendi i duhur për ty. Kryeqyteti portugez është thjesht unik dhe me shumë gjasa një nga zonat urbane më piktoreske që do të mund të shihni ndonjëherë! Në një kombinim perfekt mes të vjetrës e të resë, qetësisë e gjallërisë,  Lisbona është një qytet që ka për t’i ofruar gjithçka vizitorëve të saj.

Mund të eksplorosh një librari të 1700-ës e të shijosh një drekë të shijshme mesdhetare në një restorant super modern vetëm pak hapa më tej.

Lisbona me historinë e saj të pasur, shquhet për arkitekturën e infastrukturën që është e pamundur të mos surprizojë këdo që e sheh për herë të parë dhe siç shprehen edhe vetë banorët e saj, pamjet e jashtëzakonshme të qytetit nuk të mërziten kurrë!

Mënyra më e mirë për t’u njohur me qytetin është padyshim në këmbë, për të eksploruar edhe rrugicat e vogla ku çdoherë mund të surprizohesh nga një gjetje e re: Ndonjë ndërtesë me arkitekturë mbresëlënëse, ndonjë restorant të këndshëm apo ndonjë dyqan antikuaresh për të gjetur një suvenir unik për të marrë në shtëpi nga Lisbona.

Por gjithësesi, askush nuk mund të largohet nga Lisbona pa bërë një xhiro tramin klasik nr.28, që është pikërisht ai që shihet masivisht në kartolinat e kryeqytetit portugez.

Çfarë të bësh në Lisbonë?

Torre de Belém është patjetër një ndër pikat që duhet vizituar. Kulla e famshme e ndërtuar në shekullin e 16-të për të mbrojtur qytetin  është një nga atraksionet kryesore turistike në Lisbonë. Një shkallare e ngushtë të çon në majën e saj nga ku mund të shijohet një pamje thjesht magjepsëse.

Muzeu i Pllakave nga emri nuk tingëllon si diçka shumë tërheqëse, por në brendësi do të mahniteni. Në të do të gjeni koleksione pllakash nga 5 shekuj të ndryshëm dhe duke qenë Portugalia djepi i artit në pllaka, gjithçka bën sens.

Nëse do të flisni me vendasit, është e sigurt që do t’ju pyesin: A keni shkuar në Sintra? Është pak më shumë se gjysmë ore larg me makinë, por një vizitë në Sintra është e domosdoshme. Qyteti i vogël bregdetar ofron një panoramë magjepsëse falë godinave shumëngjyrëshe, gjelbërimit të jashtëzakonshëm dhe pallateve të mbretërve e mbretëreshave postugeze.

Alfama është një nga lagjet më të vjetra të qytetit dhe është padyshim një nga zonat më të bnukura për t’u përhumbur nëpër rrugicat e ngushta, si dhe për t’u njohur me kishat e katedralet e shumta të mbushura me art. Në majën e kodrës ku shtrihet lagja Alfama, ndodhet dhe kështjella 2000 vjeçare St. George që ofron një tjetër pamje mahnitëse të qytetit, kombinuar me historinë.

Kaloni një ditë në plazh fare pranë qendrës së qytetit në Cascais. Plazhi magjepsës me ujra të kristalta mund të jetë pak i populluar përgjatë muajve të verës, por është gjithësesi një ide e mrekullueshme për këdo që do të largohet pakëz nga zhurma e qytetit.

Çfarë të hash në Lisbonë?

Të parat në listë janë padyshim Pastel de Nata: Një ëmbëlsirë tërësisht modeste e bërë me petë sfoliatë dhe të kuqen e vezës, por që është shndërruar në një obsesion për këdo që viziton Lisbonën. Ëmbëlsira daton që në 1800 dhe është bërë fillimisht në manastire për të mos shpërdoruar të kuqet e vezëve që dilnin tepër pasi të bardhat i përdornin murgjit për të ngrirë veshjet e tyre.

Bifana është një tjetër ushqim modest portugez, por me një shije të jashtëzakonshme. Sandëich-i  i thjeshtë në pamje të parë bëhet me mish derri  të prerë në feta të holla, që është gatuar për prë të tëra në verë të bardhë, hudhër dhe erëza. Ende i nxehtë, mishin vendoset në zemër të një panineje të butë brenda e krokante jashtë dhe mund të shoqërohet me mustardë. Kaq mjafton për të të lëshuar goja lëng.

Frutat e detit janë pasuri kombëtare e Lisbonës. Duke qenë vend bregdetar, kryeqyteti portugez është i famshëm për frutat e detit dhe freskia thuajse askund nuk vihet në dyshim. Karkalecat e tyre të mëdhenj mbajnë notën 10!

Sardelet e konservuara janë gjithashtu një nga ushqimet që duhen provuar patjetër në Lisbonë, duke qenë se qyteti shquhet për to. Sardelet me paketimet e tyre aq unike gjithashtu janë një suvenir ushqimor shumë i këndësh për t’u marrë me vete në shtëpi apo për t’jua dhuruar miqve.

Artikulli i mëparshëmItalia lehtëson kufizimet, pas një bllokimi dy mujor të Covid; 4,4 milion njerëz kthehen në punë
Artikulli i radhësQuarantine Fashion/ Ja çfarë na sygjerojnë të famshmet! Veshja në shtëpi, s’ka përse të jetë e mërzitshme