Shqiptarëve duket sikur nuk i intereson, por me ligj mund të marrin gjoba; Ja arrestimet që janë bërë këto dy ditë nga daljet e tepërta

0

Dita e djeshme në Tiranë ngjante me një dite normale, sikur COVID-19 mos të kishte ekzistuar asnjëherë. Nëse nuk do të shihje disa njerëz me maska, pasi edhe kjo masë ka nisur të neglizhohet tashmë, askush nuk do ta besonte se jemi ende në periudhë pandemie.

Edhe pse kjo javë konsiderohet si “java e burgut”, duke qenë se hyjnë në fuqi ndryshimet në Kodin Penal, që nuk parashikon më gjoba, por burg për ata që shkelin rregullat, qytetarët duket se ende nuk e kanë kuptuar seriozitetin e rolit që do ketë tashmë Policia. E njëjta Polici që deri dje të vendoste 10 mijë lekë gjobë, nëse të gjente në rrugë jashtë fashës orare kur ishte e lejuar dhe që më parë duhej të merrje leje në e-Albania, tashmë, për 2-3 ditë, do të kryejë arrestime.

Tashmë, gjithçka është në dorë të policit, me të cilin do të përballemi në rrugë. Moszbatimi i masave të autoriteteve shtetërore gjatë gjendjes së masave të jashtëzakonshme apo gjatë gjendjes së epidemisë, bën që një shkelës përsëritës, i cili ka marrë më parë një gjobë, do të dënohet sërish me gjobë ose me burgim deri në 6 muaj. Por në rast se një qytetar bëhet shkak për përhapjen e sëmundjes, duke rrezikuar jetën e personave të tjerë, mund të dënohet edhe deri me 8 vjet burg.

DENIMET

Në Nenin 242/1, “Moszbatimi i masave të autoriteteve shtetërore gjatë gjendjes së masave të jashtëzakonshme apo gjatë gjendjes së epidemisë”, parashikohet që një shkelës përsëritës, i cili ka marrë më parë një gjobë, do të dënohet sërish me gjobë ose me burgim deri në 6 muaj.

“Moszbatimi ose kryerja e veprimeve në kundërshtim me aktet ligjore apo nënligjore të nxjerra nga organet shtetërore, në funksion të gjendjes së epidemisë apo të zbatimit të masave të jashtëzakonshme, nga personi ndaj të cilit është dhënë më parë masë administrative, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim deri në 6 muaj”. Po kjo vepër, kur është kryer në ushtrim të aktivitetit tregtar, duke vendosur në rrezik shëndetin e njerëzve, dënohet me gjobë ose me burgim deri në 2 vite.

Moszbatimi i urdhrit të dhënë nga organet kompetente për karantinimin ose izolimin apo shkelja e rregullave të karantinës ose të izolimit, nga personi mbartës ose jo i sëmundjes infektive, të cilit i është njoftuar ky detyrim nga autoritetet shtetërore përkatëse, dënohet me burgim nga 2 deri në 3 vjet.

“Përhapja e sëmundjeve infektive”, parashikohet që kur një person ka pasur dijeni të plotë për veprimet e kryera dhe me to ka përhapur sëmundjen, pasi personi është diagnostikuar si mbartës i sëmundjes apo kur personi ka qëllim përhapjen e saj, dënohet me burgim nga 2 deri në 5 vjet.

Përhapja me dashje e sëmundjes infektive me rrezikshmëri të lartë për shëndetin, nëpërmjet kryerjes së veprimeve apo mosveprimeve nga personi që është diagnostikuar si mbartës i sëmundjes apo nga personi që ka qëllim përhapjen e saj, dënohet me burgim nga 2 deri në 5 vjet. Kur kjo vepër është kryer nga pakujdesia dënohet me gjobë ose burgim deri në 2 vjet. Po kjo vepër, kur ka shkaktuar pasoja të rënda për shëndetin ose është rrezikshme për jetën e njerëzve, dënohet me burgim nga 3 deri në 8 vjet.

MASAT E POLICISE

Që nga momenti kur vendi u fut në karantinë, Policia u ka bllokuar patentat rreth 2400 drejtuesve të automjeteve, të cilët janë konstatuar duke lëvizur me mjetet e tyre pa autorizimin përkatës. Ndërsa janë gjobitur edhe mbi 10 mijë këmbësorë, të cilët janë konstatuar në rrugë jashtë fashave orare të lejuara dhe pa dhënë një arsye të vlefshme për daljen e tyre nga banesa. /Panorama

Artikulli i mëparshëmDhjetë golat më poshtërues për kundërshtarin në historinë e futbollit, duke përfshirë atë të Messit dhe Tottit
Artikulli i radhës“Maturantët këtë vit nuk do të kenë ese, por 60 pyetje me alternativa”