Nga Albi Xhunga
Dështimi shqiptar i epokës moderne ka vetëm një emër, korrupsion. Format se si korrupsioni bën që një shoqëri të dështojë mund të jenë të ndryshme e të larmishme, por nëse flasim për shqiptarët në Ballkanin Perëndimor kryefjala e dështimeve ekonomike, politike e shoqërore është padyshim korrupsioni.
Është gjerësisht e pranuar se korrupsioni përveç vjedhjes së parasë publike shkakton dhe utopi ekonomike. Nuk mund të zhvillohet e të ketë prosperitet ekonomik një shoqëri e korruptuar. Me shoqëri të korruptuar nuk duhet të kuptojmë korruptimin e shoqërisë në tërësi (mgjs nuk jemi shumë larg) por korruptimin e pothuaj çdo instance vendim-marrëse në pothuaj çdo nivel.
Ekonomia e tregut është e bazuar në funksionimin e lirë të këtij të fundit ku konkurrenca është një motor i fuqishëm i përparimit, përmirësimit të vazhdueshëm të produkteve dhe shërbimeve. Mirëpo në një treg të kapur nga klientelizmat e monopolet konkurrenca vritet. Në një treg jo të lirë biznesmenët më të mëdhenj nuk bëhen ata që janë më të suksesshëm në biznes, por ata që dinë t’i afrohen më shumë pushtetit e që rëndom quhen oligarkë. Oligarkët janë korruptuesit më të mëdhenj, por nuk janë të vetmit. Korruptues është edhe qytetari i thjeshtë që jep një ryshfet për të marrë më shpejt ose më mirë një shërbim. Mund të thuhet se modeli korruptiv nuk i lë atij zgjedhje tjetër. Por e njëjta gjë mund të thuhet edhe për oligarkët. Në një treg të korruptuar korrupsioni është e vetmja mënyrë për të mbijetuar në biznes. Kjo mund të jetë pjesërisht e vërtetë, por kurrsesi nuk duhet të justifikojë korruptuesin.
Për të vërtetuar se shoqëritë shqiptare në Ballkanin Perëndimor kanë një normë shumë të lartë korrupsioni nuk ka nevojë të lexohen raportet ndërkombëtare. Në një botë interneti qeverive nuk iu mjafton kontrolli mbi median. Rrjetet sociale bëjnë që informacioni të mos jetë më monopol i televizioneve të mëdha. Klanet e grupet e ndryshme të interesit nxjerrin në shesh të palarat e kundërshtarëve të tyre. Po ashtu edhe politikanët e krahëve të kundërt denoncojnë përditë aferat korruptive respektive. Dhe ne shohim çdo ditë se si korrupsioni gëlon në çdo qelizë të shtetit dhe jo vetëm. Filozofët e mëdhenj na kanë thënë se çdo posedues pushteti ka prirjen të abuzojë me pushtetin që ka. Duke marrë të mirëqenë se edhe forca ekonomike është pushtet më vete (shpesh më i fortë se pushtetet ekzekutive e legjislative) kemi edhe abuzim me pushtetin në rrafshin privat. Pra abuzimi me punësimin nuk ndodh vetëm në shtet ku për një vend pune duhen bërë shërbime partiake, elektorale etj. etj., por edhe në privat ku paraja bën që një vajzë e re për të mbajtur një vend pune duhet të bëhet dashnorja e shefit të moshuar, ku një ‘’vajzë e mirë’’ bëhet prezantuese televizive, ku dikush që paguan grumbullohet në ekipin kombëtar në vend të dikujt që e meriton më shumë, ku edhe në emisionet e fëmijëve dikush është aty sepse është biri apo nipi i dikujt dhe i zë vendin një bashkëmoshatari më të talentuar, etj., etj., etj.
Jetojmë në shoqëri ku korrupsioni është prezent në çdo zyrë të shtetit, në shkolla, në spitale, në hipoteka, në bashki, në komuna e deri në sferën private. Paguhet ryshfet për një konçesion miliona eurosh, për një leje ndërtimi, por edhe për një vulë të thjeshtë në një dokument.
Pra shoqëritë tona funksionojnë si një treg favoresh ilegale, trafiku influencash dhe bashkëjetojnë me faktin ulëritës të korrupsionit që shihet si normë e pranuar në heshtje e që pothuaj nuk skandalizon më askënd.
Por një erë anti-korrupsion po fryn në viset shqiptare. Është një erë me rryma të ndryshme, por e orientuar njësoj kundra korrupsionit që ka kapur peng e po bën të lëngojnë dy shtetet shqiptare të Ballkanit Perëndimor.
Shqipëria
Në Shqipëri anti-korrupsioni nuk ka një përfaqësim politik, jo sepse Shqipëria nuk mund të nxjerrë figura të pa korruptuara, por sepse sistemi është i kapur. Brenda partive me funksionim mafioz është i pamundur promovimi i figurave të pa korruptuara që kërkojnë ndryshim. Ka në këto parti figura që nuk janë të lidhura direkt me korrupsionin, por që janë figura gjithsesi të kompromentuara nga intoksikimi i atmosferës së përgjithshme. Nga ata jo vetëm që nuk mund të shpresohet ndryshimi i status quo-së, por edhe ndonjë denoncim të rrallë e bëjnë vetëm pasi janë përzënë nga pushteti nga lideri i radhës.
Është krijuar një bindje e gabuar (dhe sigurisht e sponsorizuar) se në Shqipëri nuk ngjisin forcat e reja politike. Si shembull jepen tentativa forcash të reja si LIBRA, SFIDA etj. Nuk është qëllim i këtij shkrimi të përcaktojë nëse këto forca ishin vërtet forca anti-korrupsion, por përderisa nuk patëm rastin t’i provojmë kjo nuk ka përse të përjashtohet si mundësi. Gjithsesi një gjë është e sigurt, asnjë forcë e re në Shqipëri nuk lejohet të ketë komisionerë dhe kjo sjell vjedhjen industriale të votës së tyre me marrëveshje të heshtur mes të mëdhenjve që këto vota i ndajnë mes tyre. Pra kapja e sistemit pamundëson çdo iniciativë të re politike.
Megjithatë në Shqipëri po fryn një erë e fortë anti-korrupsion. Interesi perëndimor instaloi me forcë një reformë të thellë të sistemit gjyqësor. Reforma ende nuk ka mbaruar, por deri tani kemi me dhjetëra gjyqtarë e prokurorë të korruptuar të flakur jashtë sistemit. Është humbje kohe të përpiqesh të shpjegosh këtu bashkëpunimin e heshtur Drejtësi-Politikë me qëllim vjedhjen e shtetit dhe të popullit. Rezultati është një Shqipëri e varfër, e lodhur dhe e pa shpresë nga e cila ikin njerëz çdo ditë. Por me gjithë sulmet e pareshtura nga të gjitha anët e politikës e medias së sponsorizuar dhe me gjithë skepticizmin e një populli të vjedhur e të varfëruar, reforma po i afrohet fundit. Për të kuptuar suksesin e saj të ardhshëm mjafton të shohësh reagimet e atyre që janë objektivi i saj. Krerët e opozitës e nxorën atë nga sistemi dhe donin të digjnin Shqipërinë me shpresë se nga destabilizimi do të shpëtonin. Presidenti përpiqet të sabotojë çdo fazë të procesit. Ai tentoi të krijojë një trazirë sociale e një pështjellim kushtetues me shtyrjen e datës së zgjedhjeve lokale në koordinim të plotë me krerët e opozitës. Ai u bë edhe presidenti i vetëm në botë që organizon tubim për të përmbushur një parlament të ligjshëm (të korruptuar por të ligjshëm), të cilin deklaroi se do ta shpërndante (megjithëse Kushtetuta nuk ia njeh këtë kompetencë).
Pushteti është gjithashtu i trembur, megjithëse këtë përpiqet ta fshehë. Kushdo që ka vjedhur tani duhet të ketë frikë. Në praktikat gjyqësore është i njohur fenomeni i avantazhimit të të akuzuarit për mos pengim të drejtësisë dhe shmangje vonesash. Ndaj ndoshta është e mundur që kryeministri të amnistohet njëfarësoj për t’i njohur meritën e përkrahjes së reformës në votimin e saj në Kuvend. Nuk duhet harruar se PD dhe LSI shkuan dhe e votuan reformën kundra vullnetit të tyre të shantazhuar nga përfaqësia amerikane në Tiranë, ndërsa PS dukej më e prirur në përkrahjen e saj. Këtu nuk duhet të aludohet se PS është më pak e korruptuar se partitë e tjera, por lëvizja politike në favor të reformës mund t’i ketë krijuar njëfarë avantazhi kryeministrit me logjikën e mësipërme të çuarjes së reformës përpara sa më shpejt që të ishte e mundur. Të mos
harrojmë se me të njëjtën logjikë iu kërkua gjyqtarëve e prokurorëve të korruptuar të dilnin me dëshirë nga sistemi dhe kjo do t’iu shmangte procesin penal.
Nuk është e drejtë që kryeministri të ketë të tilla lehtësira, por është gjithsesi e mundur. Demokracitë bënë aleat Stalinin për të luftuar një të keqe më të madhe që ishte Gjermania Naziste. Praktika e bashkëpunimit me të keqen më të vogël haset shpesh në historinë moderne, sidomos në politikën e jashtme amerikane.
Logjika pragmatiste thotë që mund të tolerohet lideri në një masë të cilën nuk mund ta vlerësojmë dot këtu. Pra kryeministri mund t’i shpëtojë ndëshkimit penal, por goditja morale do të jetë e pashmangshme. Nuk mund të jetë më aktor politik një kryeministër ministra të të cili do të jenë të dënuar për korrupsion.
Pra që reforma të ruajë besimin e publikut nuk mund dhe nuk duhet të ketë tolerim ministrash të korruptuar dhe goditja ligjore duhet të fillojë pikërisht nga pushteti dhe të jetë minimumi në rang ministral.
Pothuaj askush nuk e besonte këtë reformë në fillimet e saj. Por ja ku jemi. Ngritja e organeve të reja është drejt fundit, përfshirë Gjykatën Kushtetuese dhe Gjykatën e Lartë. Pritet ngritja e Byrosë Kombëtare të Hetimit e cila do të mundësojë fillimin e goditjes penale të korrupsionit në nivel të lartë.
Në sistemin e kapur të shtetit shqiptar e vetmja shpresë për të pasur një politikë të pa korruptuar është spastrimi i skenës politike e cila mbahet e okupuar prej tre dekadash. Kur skena të pastrohet atëherë do shohim aktorë të rinj që do të hedhin në treg ofertat e tyre të ideve. Ndryshimi i këtij sistemi zgjedhor do të jetë një domosdoshmëri të cilën nuk do të ketë më kush ta pengojë. Shqiptarët meritojnë të votojnë emra me integritet, jo lista të korruptuara të imponuara nga kryetarët me përbërje domethënëse kriminelësh e injorantësh. Në një vend ku drejtësia funksionon nuk do të jetë më i mundur punësimi i militantëve të paaftë i cili përbën bazën e forcës së partive të kalbura politike.
Një goditje e korrupsionit do të sjellë domosdoshmërisht çlirimin e tregut dhe prosperitet ekonomik. Përmirësimi i klimës së biznesit do të sjellë padyshim dhe një fluks investimesh të huaja.
Shoqëria shqiptare ka nevojë të rigjejë moralin e humbur dhe kjo është lehtësisht e mundur kur korrupsioni nuk është sistem e model.
Kosova
Në ndryshim nga Shqipëria në Kosovë anti-korrupsioni ka sot një përfaqësim të qartë politik. Çifti politik Albin Kurti & Vjosa Osmani tronditi kastën e vjetër e të korruptuar të politikës kosovare. Vota e 6 tetorit 2019 duket se do ta ndryshojë njëherë e përgjithmonë skakierën politike në Prishtinë. Të korruptuarit janë trembur dhe janë bërë bashkë. Të kryesuar nga presidenti Thaçi po përpiqen të devijojnë verdiktin e 6 tetorit duke tentuar të lënë në opozitë ata që fituan votën popullore. Populli në Kosovë votoi qartë për ndryshim. Kurti e Osmani me premtim kryesor kundërvënien ndaj korrupsionit 20 vjeçar fituan shumicën. Por klanet e vjetra e të kalbura në Lidhjen Demokratike të Kosovës e anashkaluan Vjosa Osmanin dhe prishën koalicionin me Vetëvendosjen. Të trembur se ora e dhënies së llogarive po afrohej ata bënë ç’mos të sabotonin qeverinë e re.
‘’Mënyra më e mirë për të rrëzuar një qeveri është të bëhesh pjesë e saj.’’ – Talleyrand
Ironikisht pjesë e qeverisë Kurti u bë edhe kundërshtuesi më i fortë i një marrëveshje qeverisëse mes VV e LDK, Agim Veliu. Nuk ka nevojë të jesh gjeni për të kuptuar qëllimin. LDK përmes një letre i bën të ditur kryeministrit se nëse ai nuk ndryshon qëndrim për reciprocitetin me Serbinë koalicioni do të prishej me të mbaruar pandemia. Kjo lëvizje tinzare tentonte që ose ta bënte Albin Kurtin një politikan që shkel premtimet sapo ulet në kolltukun e pushtetit (pra njësoj si ata), ose ta nxirrte atë anti-amerikan. LDK kishte nënshkruar një marrëveshje me VV ku reciprociteti ishte pjesë e programit qeverisës, por nga një kërkesë e të dërguarit të presidentit Donald Trump, ambasadorit Richard Grenell, LDK e ndryshoi qëndrimin dhe pjesë të kësaj pabythësie politike donte të bënte edhe Albin Kurtin. Albin Kurti i rezistoi presionit të aleatit njësoj siç i kishte rezistuar edhe kërkesave arrogante të ambasadorit Grenell. Refuzimi i tradhëtimit të votuesve për interesa kulisash është një vlerë që nuk e kemi parë akoma tek politikanët shqiptarë. Dihet se të korruptuarit thonë vetëm ‘’yes sir’’, mjafton të mos ndëshkohen për çfarë kanë bërë e të mos detyrohen të kthejnë gjënë e vjedhur.
Shkarkimi i Agim Veliut që u bë edhe shkak i prishjes së një koalicioni (që gjithsesi ishte i prishur) tregon gjeninë politike të Albin Kurtit. Duke detyruar krerët e vjetër të LDK të prishin një koalicion në kohë krize pandemike dhe të hidhen në prehrin e ish aleatit në korrupsion, Hashim Thaçit, nxori në shesh fytyrat e tyre vërteta. Mocioni i mosbesimit vlente më shumë për të parë solidaritetin pa asnjë lloj principi të të gjithë të korruptuarve të këtyre dy dekadave të politikës kosovare. Edhe votat e Listës Serbe janë të vlefshme kur është puna për të rrëzuar rrezikun kryesor, Albin Kurtin.
Qëndresa e një zonje
Duhet theksuar se fitorja e anti-korrupsionit në Kosovë nuk do të ishte e mundur pa qëndresën e Vjosa Osmanit. Fakti i të qenit zonjë nuk është avantazh në atmosferën politike thellësisht makinistë shqiptare. Plani i krerëve të vjetër të LDK ishte që popullit t’i servirnin figurën e pastër të Vjosa Osmanit dhe duke e larguar këtë të fundit në një post që zakonisht iu jepet politikanëve në fund karriere, atë të kryetares së kuvendit dhe ata të kishin duart e lira në manovrat e kulisave të pushtetit. Mirëpo basti u humb. Vjosa Osmani denoncoi fort dhe publikisht padrejtësinë e atyre që nuk kanë asnjë votë e që duan të devijojnë votën popullore në favor të forcave të vjetra e të korruptuara të politikës kosovare.
Iu deshën disa muaj LDK-së për të realizuar një marrëveshje qeverisëse me VV, por i mjaftuan dy ditë për të realizuar një marrëveshje me katër parti të ndryshme përfshirë Listën Serbe të sapo kthyer nga Beogradi. Dhe për ta bërë këtë koalicion edhe më qesharak, pas arritjes së marrëveshjes u realizua edhe një takim ku palët do të harmonizonin programin qeverisës. Pra njëherë shpejt e shpejt marrëveshjen e pastaj një detaj fare pa rëndësi, harmonizimin e programit të qeverisë së re.
Presidenti dhe Gjykata Kushtetuese
Presidenti i Kosovës me një sjellje politike aq orientale sa do ia kishin zili edhe vezirët e Stambollit, i dërgon 5 letra Albin Kurtit në cilësinë e kryetarit të forcës fituese, ku i kërkon të japë një emër të mandatuari për formimin e qeverisë së re. Letrat publikoheshin përpara se të mbërrinin në destinacion. E megjithëse nuk pati një refuzim të VV për të dhënë një emër, Thaçi vendosi arbitrarisht t’ia japë këtë mundësi forcës së dytë, LDK-së. Këtë herë letra mbahet e fshehur e nuk është publikuar as sot e kësaj dite. Dekreti për mandatimin e kandidatit nga LDK del të enjten e 30 prillit pesë minuta para
mbarimit të orarit zyrtar, për të shfrytëzuar festën e 1 majit dhe fundjavën duke planifikuar votimin në Kuvend të shtunën më 2 maj. Kjo do t’i hiqte mundësinë VV të ankohej në Gjykatën Kushtetuese dhe do ta vinte këtë të fundit përballë faktit të kryer. Gjykata megjithatë e pranoi ankesën dhe e pezulloi dekretin deri në vendimin final brenda datës 29 maj. Edhe pse Kushtetuta e Kosovës nuk e njeh dekretin konstruktiv (që realizohet për të votuar një qeveri të re nga i njëjti kuvend) por vetëm atë destruktiv (që nuk mund të shmangë fituesin e zgjedhjeve dhe e çon vendin në zgjedhje të parakohshme) kjo çështje nuk mund të quhet e fituar nga VV. Kjo sepse kemi të bëjmë me një gjykatë jo fort të besueshme dhe se një teori konspirative që po qarkullon në Kosovë është se u vendos ky afat nga gjykata për t’i dhënë mundësinë Behgjet Pacollit, i cili është i bllokuar në karantinë dy javore, të votojë qeverinë e re.
Edhe nëse Gjykata Kushtetuese e Kosovës do të japë një vendim që do t’ia kishin zili edhe gjykatat e Shqipërisë Komuniste, në terma afatgjatë anti-korrupsioni në Kosovë nuk mund të fitojë. Në sondazhin e fundit VV ka 52.8 % të votës popullore, çka ka detyruar korrupsionin kosovar të ndërmarrë manovra të dëshpëruara për të penguar çiftin Kurti & Osmani të vijë në pushtet. Por historia na ka mësuar se uraganet nuk ndalen nga diga gjethesh. Anti-korrupsioni në Kosovë i ka ditët të numëruara.