Manipulimi i Ramës me raportin e “Freedom House”

0

Raporti i organizatës së njohur “Freedom House” mbi demokracinë e “Vendeve të tranzicion” i publikuar këtë të mërkurë duket se ka lënë pa një alibi qeverinë shqiptare. Kjo e ka detyruar këtë të fundit të shkojë deri atje sa për të justifikuar kritikat, u ka paraqitur shqiptarëve një tjetër raport të Freedom House të 2 muajve më parë.

Por çfarë ka ndodhur?

Raporti i fundit bën kritika të forta për nivelin e demokracisë në vendin tonë duke e renditur atë edhe këtë vit është në kategorinë e regjimeve hibride/demokraci në tranzicion. Jo vetëm kaq pasi në raport vihet re një rënie e treguesve. Në një shkallë vlerësimi nga 1 deri në 7 pikë, ku 1 është niveli më i ulët i demokracisë dhe 7 më i larti, Shqipëria ka 3.82 pikë nga 3.89 pikë që kishte një vit më parë.

“Kjo ka të bëjë me një numër faktorësh, përfshirë bojkotimin e opozitës dhe konfliktin politik rreth zgjedhjeve që i la votuesit pa një zgjedhje të vërtetë për sa i takon votës”, – shprehet Michael Smeltzer, analist kërkimor i raportit “Vendet në Tranzicion”.

Smeltzer thotë se “nga Tirana në Tbilisi, ata që janë në pushtet, nuk janë të interesuar që ta bëjnë parlamentin një vend ku diskutohet. Në fakt, ata janë gjithnjë e më pak të interesuar për diskutime”.

Ndërsa Gjergji Vurmo, drejtor programi i Institutit për Demokraci dhe Ndërmjetësim në Tiranë i cili është autor i kapitullit për Shqipërinë i tha “Zërit të Amerikës” se opozita parlamentare në fillim të vitit të shkuar u përball praktikisht me një situatë ku realisht nuk mund të korrigjonte dot qeverisjen. Gjithsesi ai thotë se opozita duhet të qëndronte brenda institucioneve. Pas bojkotimit, sipas tij vazhduan një sërë përplasjesh institucionale…

“…duke filluar mes presidentit, parlamentit dhe Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Më pas kemi procedurën për shkarkimin e presidentit dhe rreth fundit të vitit të shkuar, kemi edhe përplasjet mes presidentit, parlamentit lidhur me emërimin e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese”. Të gjitha këto, thotë ai kontribuuan në rënien e nivelit të demokracisë.

Vurmo shton se mungesa e funksionimit të Gjykatës Kushtetuese, i thelloi edhe më tej problemet. Sipas tij, ka shumë aspekte të demokracisë që nuk rregullohen thjesht me fitoren e zgjedhjeve dhe sigurimin e shumicës.

Për këtë analisti Michael Smeltzer thotë se mekanizmi i kontrolleve dhe balancave në Shqipëri, nuk është efektiv për të parandaluar këto konflikte. Përveç rënies në kategoritë e qeverisjes demokratike dhe procesit zgjedhor, dy treguesit me vlerësimin më të ulët janë korrupsioni dhe pavarësia e gjyqësorit: respektivisht 3.25 dhe 2.75.

Këto konstatime dukshëm që kanë qenë të papranueshme për kryeministrin Edi Rama. Për raportin ai u pyet që në mëngjes nga gazetari Enkel Demi në një intervistë për Abc News, por e kaloi pyetjen me përgjigjen se “ende nuk e kishte lexuar raportin” (ndonëse ishte ora 10.00).

Por edhe 4 orë më pas kur bëri një reagim në Facebook duket se sërsih Rama nuk e ka lexuar raportin pasi flet për një tjetër raport të Freedom House që sipas tij e ka nxjerrë Shqipërinë “të parën në rajon për nivelin e demokracisë”.

“Kur e bardha bëhet e zezë dhe s’ka asgjë në mes…” , mbetet vetëm një “merr e jep” shterpë mbi lirinë e medias, që ka padiskutim të gjithë lirinë e të drejtat të thotë ç’i vjen për mbarë dhe ankohet gjithnjë për mungesë lirie, sa herë të tjerët, përfshirë edhe mua, ushtrojnë të drejtën e tyre të kundërshtimit ndaj të pavërtetave apo gjysëm të vërtetave të saj, të cilat janë edhe gënjeshtrat më të mëdha!” – shkruan Rama.

Ai thotë se Shqipëria ka një indeks të lirisë prej 67 pikësh!!! Që këtu kuptohet se Rama flet për raportin “Feedom in the World” (Liria në botë) të publikuar në 4 mars dhe jo për raportin “Nations in Transit 2020” (Vendet në tranzicion 2020) i publikuar të mërkurën, citon lapsi.al. Në raportin e fundit pikët janë nga 1 në 7 dhe jo nga 1 deri në 100. Raporti me të cilin mburret Rama nuk ka dalë ende i plotë, por në seksionin për Shqipërinë ka këtë përmbledhje.

“Shqipëria ka një historik të zgjedhjeve konkurruese, megjithëse partitë politike janë shumë të polarizuara dhe shpesh të organizuara rreth personaliteteve udhëheqëse. Në përgjithësi respektohet liria fetare dhe liria e tubimit. Korrupsioni dhe krimi i organizuar mbeten probleme serioze përkundër përpjekjeve të fundit të qeverisë për t’i adresuar ato dhe ndërthurja e interesave të fuqishme të biznesit, politik dhe mediatik pengon zhvillimin e mediave me të vërtetë të pavarura” – thuhet në faqen e Freedom House.

Një reagim për këtë “ngatërresë” të kryeministrit Rama ka bërë edhe Gjergji Vurmo i cili thotë me delikatesë se “nuk dëshiron të paragjykojë shkaqet e këtij konfuzioni dhe as të komentoj keqkuptimin e stafit te Kryeministrit”, por e ndjen si detyrim të shpjegohet se bëhet fjalë për 2 raporte të ndryshme.
“Raporti “Nations in Transit 2020” vëren se demokracia ne Shqipëri ka pësuar rënie e cila vjen si pasoje e përkeqësimit te 2 dimensioneve – “Qeverisja demokratike ne nivel kombëtar” dhe te “Proceset elektorale” – e mbyll Vurmo. /lapsi.al

Artikulli i mëparshëmMëlçia e sëmurë vret ngadalë! Mbrojeni duke i konsumuar rregullisht këto tri pije më të shëndetshme
Artikulli i radhësKoronavirusi kërcënon të ardhmen e Eurozonës