Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar vendosi të shtyjë pa afat seancën paraprake për shqyrtimin e kërkesës për gjykim për ish-kreun e Prokurorisë së Përgjithshme, Adriatik Llalla, i cili akuzohet për veprën penale të mosdeklarimit, fshehjes ose deklarimit të rremë të pasurisë.
Gjyqtarja Irena Gjoka vendosi të mërkurën të shtyjë seancën paraprake për Llallën për shkak të aktit normativ për marrjen e masave në gjykata, si pasojë e epidemisë së shkaktuar nga COVID-19. SPAK njoftoi më 9 mars se kishte përfunduar hetimet ndaj Llallës, i akuzuar se ka kryer tre herë fshehje ose deklarim të rremë të pasurisë.
Akuza është ngritur sipas nenit 257/a, i cili parashikon dënime nga gjobë deri në 3 vjet burg.
Adriatik Llalla u zgjodh Prokuror i Përgjithshëm në vitin 2012 dhe e mbajti këtë post deri në nëntor 2017, kur i mbaroi mandati 5-vjeçar dhe u zëvendësua nga Prokurorja e Përgjithshme e Përkohshme, Arta Marku.
Hetimi ndaj Llallës u regjistrua fillimisht nga Prokuroria e Durrësit më 15 mars 2018 nën akuzat e fshehjes së pasurisë, shpërdorimit të detyrës dhe pastrimit të parave. Ai u hetua edhe për veprën penale të “mosdeklarimit të shumave monetare në kufi”.
Më pas, dosja u dërgua në ish-Prokurorinë e Krimeve të Rënda dhe në korrik 2018, gjykata respektive vendosi sekuestron e pronave të ish-Prokurorit të Përgjithshëm. Në një njoftim për shtyp të atëhershëm, Prokuroria e Krimeve të Rënda bëri të ditur se Llallës iu vendosën nën sekuestro një apartament 67 metra katrorë në Durrës dhe katër parcela toke me sipërfaqe të përgjithshme prej rreth 22 mijë metrash katrorë në periferi të Tiranës.
Megjithatë, akuzat u rudhën dhe SPAK i përfundoi hetimet vetëm për veprën penale “refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”, të kryer tri herë.