Ish-ministri i Drejtësisë i LSI, Ylli Manjani ka reaguar në lidhje me vendimin e qeverisë për ta kaluar në pronësi të Bashkisë së Tiranës, truallin e Teatrit Kombëtar.
Në një postim në rrjetet sociale, Manjani shkruan se nëse Teatri shembet është krim kundër një trashëgimie kulturore, e mbrojtur edhe nga ndërkombëtarët.
Sipas Manjanit, pushtetarët në Shqipëri i përdorin ndërkombëtarët kur u duhen dhe i hedhin në kosh kur u prishin punë.
Ai thekson se në fakt ky realitet shpreh krizën më të thellë që Shqipëria ka patur në marrëdhënien e saj me botën politike e diplomatike ndërkombëtare.
Sipas Manjanit, Qeveria (mjeshtrisht) i injoron duke bërë sikur i do shumë. Përfaqësuesit e tyre këtu (ambasasorët pra) i përdorin si zëdhënës të ligësive që bëjnë vetë.
Postimi i plote i Manjanit:
Për ndërkombëtaromaninë.
============
Shkatërrimi eventual i Teatrit Kombëtar është krim kundër kulturës dhe tragëgimisë së Shqipërisë. Jo vetëm ligji “Danez” e zë këtë krim, por çdo ligj që njerëzimi ka nxjerrë për të mbrojtur trashëgiminë e tij nga sundues si këto që na kanë rënë për hise.
Shembet apo jo ajo godinë e mbrojtur ndërkombëtarisht mbetet për t’u parë. Por një gjë shihet kristal qartë. Këta që sundojnë, medemek “dashnorët” e ndërkombëtarëve dhe, që nuk bëjnë dot as një pordhë pa i pyetur të huajt, nuk e qethin e as e rruajnë fare për ta!
I përdorin kur u duhen dhe i hedhin në kosh kur u prishin punë. Kjo është e vërteta e marrëdhënieve të sundimtarëve me ndërkombëtarët.
Kur shoh se si ambasadorët e huaj fryhen e marrin kot kur pushteti e politika i vë në krye të vendit, më vjen të qesh. Asgjë nuk kanë në dorë dhe asgjë nga parimet që përfaqësojnë realizohen.
Në fakt ky realitet shpreh krizën më të thellë që Shqipëria ka patur në marrëdhënien e saj me botën politike e diplomatike ndërkombëtare.
Qeveria (mjeshtrisht) i injoron duke bërë sikur i do shumë. Përfaqësuesit e tyre këtu (ambasasorët pra) i përdorin si zëdhënës të ligësive që bëjnë vetë.😔😔
Të huajt ndërkombëtarë, fjala vjen edhe shefat e zotit Sorecca, kanë mbështetur mbrotjen dhe jo shembjen e Teatrit Kombëtar. Por zoti Sorecca, i ulur në krye të vendit këtu, as për sy e faqe nuk e thotë kët gjë. 🤷♂️
E njëjta gjë ndodh edhe me çështje të tjera. Ambasada Amerikane, psh, na ka krijuar idenë fallso se vetë zoti Trump ka dhënë porosi që Dvorani të mos e dorëzojë detyrën pa mandat.
Imagjinoni, Trump ka lënë çdo punë atje e po sodit reformën në drejtësi këtu. Madje po merr këshilla nga ne se si të luftojë popullin e vet në kohë pandemie… Se edhe ai Anglezi nuk dëgjoi në fillim, por kur i thamë ne “what the fuck…” e mbylli Anglinë…
Qesharake në ekstrem! Por dëmi që i bëhet vendit tonë me këtë keqpërdorim ndërkombëtar është i madh.
Jo vetëm me Teatrin, por edhe me protestat e opozitës, zgjedhjet e vjedhura, krijimin e gjykatës kushtetuese, votimet moniste,lirinë e shprehjes, koncensionet, nxjerrjen nga fuqia të shetit kushtetues e normativ, etj, etj, njësoj është dëmi. Në të gjitha rastet kemi dëgjuar vetëm reagime fantastiko-shkencore ambasadorësh…
Fakt është që Shqipëria rrëshqiti në sundim monist dhe reagimet e fantazisë diplomatike nuk e ndalën dot.
Normale është që askush në kancelaritë perëndimore e ka mendjen tek pisllëqet tona lokale, tek fantazitë e sundimtarëve lokalë që hiqen si përparimtarë të njerëzimit, tek dështakët e qeverisjes sonë që mendojnë se janë më të mirët e gjithë botës.
Ndaj në këtë pikë jam dakort me idenë dhe sjelljen e sunduesve tanë se problemet tona do marrin zgjidhje vetëm nga ne këtu.
Askush nga jashtë nuk do na e zgjidhë marrëdhënien e keqe dhe shumë të keqe që qeveria jonë ka me vendin e popullin e vet.
Pa asnjë dyshim që kështu është. Jo vetëm për Teatrin, që ka marrë përsipër ta shembë një zyrtar i pa zgjedhur.
Nuk e ka votuar as Tirana, por merr përsipër ti bëjë dëm trashëgimisë kulturore kombëtare.
Nëse sundimtarët vazhdojnë të bëjnë dëme, tregon se na pëlqen të jetë kështu dhe faji është i gjithi i yni.