Nga “Washington Post”
Administrata Trump po mundohet ta bindë Amerikën të mbajë një qëndrim të egër kundër Kinës, sepse koronavirusi mund të ketë dalë aksidentalisht nga një laborator në Wuhan dhe jo nga një treg i gjësë së gjallë. Por me siguri pyetja më e madhe që duhet të bëjmë është pse kemi parë viruse që përhapen nga kafshët tek njerëzit me një frekuencë të tillë vitet e fundit. SARS, MERS, Ebola, gripi i shpendëve dhe gripi i derrave të gjithë filluan si viruse te kafshët dhe më pas u përhapën te njerëzit, duke lëshuar shpërthime vdekjeprurëse. Pse?
Peter Daszak është studiues sëmundjesh, i njohur ndryshe si “gjuetar i viruseve”. Ai futet në shpella e lakuriqëve të natës me veshje të plotë mbrojtëse për të marrë pështymën ose gjakun e kafshëve për të përcaktuar origjinën e një virusi. “Ne po bëjmë çdo ditë gjëra që e bëjnë më të mundur shpërthimin e një pandemie. Ne duhet ta kuptojmë që nuk është faji i natyrë. Shkaku i vërtetë është ajo që ne po i bëjmë natyrës”, thotë ai.
Mos harroni, shumica e viruseve vijnë nga kafshët. Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve vlerësojnë se tre të katërtat e sëmundjeve të reja njerëzore burojnë nga kafshët. Ky koronavirus mund të ketë ardhur nga një nga tregjet e gjësë së gjallë në Wuhan, ku theren dhe shiten kafshët e egra, një praktikë që duhet të ndalohet në të gjithë botën. Por ndërsa civilizimi njerëzor zgjerohet, ndërtimi i rrugëve, pastrimi i tokës bujqësore, ndërtimi i fabrikave, gërmimi i minierave, ne po shkatërrojmë edhe habitatin natyror të kafshëve të egra, duke i afruar më shumë me ne. Disa shkencëtarë besojnë se kjo po shkakton transferimin e sëmundjeve nga kafshët te njerëzit.
Virusi që shkakton Covid-19 duket se ka origjinën tek lakuriqët, të cilët janë veçanërisht inkubatorë të mirë për viruset. Shkencëtarët janë duke studiuar ende atë që ndodhi, por në raste të tjera, ne kemi parë se si sjellja njerëzore mund t’i shtyjë lakuriqët të kërkojnë ushqim përreth tokës bujqësore, ku infektojnë bagëtitë, dhe përmes tyre, njerëzit.
Por ka rrugë të tjera. Ajo më e lehta vjen direkt nga oreksi ynë i pangopur për mish. Ndërsa njerëzit në të gjithë botën pasurohen, ata kanë tendencë të hanë më shumë mish. Rreth 80 miliardë kafshë theren për mish çdo vit në të gjithë botën. Shumica e bagëtive bujqësore theren, rreth 99 përqind në Shtetet e Bashkuara dhe 74 përqind në të gjithë botën, sipas një grupi për të drejtat e kafshëve. Kjo nënkupton mijëra kafshë që rriten ngjitur me njëra-tjetrën në kushte të mjerueshme. Ato janë pothuajse të dizajnuara për të mbledhur viruse dhe për t’i inkurajuar ata të përhapen. Fermat e kafshëve janë mënyra më e mirë për të zgjedhur për patogjenët më të rrezikshëm të mundshëm.
Ato janë gjithashtu vendi nga ku lindin bakteret e reja, rezistente ndaj antibiotikëve, duke cuar drejt epidemive. Kafshët e rritura në ferma janë bombarduar me antibiotikë, që do të thotë se bakteret që mbijetojnë janë shumë të fuqishme. Rreth 2.8 milion amerikanë sëmuren nga bakteret rezistente ndaj antibiotikëve në vit, nga të cilët 35,000 vdesin.
Një problem tjetër janë edhe ndryshimet klimatike, të cilat intensifikojnë gjithçka, duke shkatërruar ekosistemet, duke detyruar më shumë kafshë të lënë habitatet e tyre. Raportet shkencore thonë se moti i ngrohtë është duke e bërë më të lehtë transmetimin e sëmundjeve të tilla si malaria, ethet e dengos, ethet e verdha, virusi Zika, virusi Nil West dhe sëmundja Lyme në shumë pjesë të botës. Ndërkohë që ekosistemet ndryshojnë, mund të shfaqen shumë sëmundje ndaj të cilave nuk kemi imunitet.
Në maj 2015, dy të tretat e antilopës së vogël u shuan papritmas brenda disa javësh. Një bakter i quajtur Pasteurella multocida, i cili kishte jetuar për një kohë të gjatë në kafshë pa bërë dëm, papritmas u vë vdekjeprurës. Pse? Eksperti Ed Yong shpjegon se rajoni i Azisë Qendrore në të cilën jetojnë antilopat po bëhet më tropikal dhe 2015 ishte një vit veçanërisht i ngrohtë. “Klima është pistoleta. Pasteurella është plumbi” thotë ai.
Përshtati në shqip gazeta Si