Ministri i Brendshëm, Sandër LLeshaj ka dhënë detaje se si do zbatohet reforma për largimin e punonjësve të policisë mbi 55 vjeç.
Lleshaj është shprehur se ka keqkuptime. “Sigurisht që vendimi i qeverisë për të miratuar vendimin për trajtimin financiar të punonjësve të policisë që dalin para kohe nga shërbimi është një nga investimet më të mëdha, më serioze, në mbështetje të policisë së shtetit.
Policia e shtetit është një strukturë e cila e kryen angazhimin e saj përmes shumë elementëve ku elementi fizik ka një rëndësi të dorës së parë, pra patrullimi, kontrolli i territorit, përballimi i konflikteve, zgjidhja e konflikteve, përballimi i turmave, përballimi i ngjarjeve masive, monitorimi dhe patrullimi i kufijve, e shumë e shumë të tjera që kërkojnë njerëz me parametra fizik të përshtatshëm për të kryer këtë punë me angazhim të lartë fizik.
Për këtë arsye kërkohet që policia tonë përveç se duhet të shtohet në numër, duhet edhe të rinohet në moshë për arsye se kemi një moshë mbi 45 vjeç si moshë mesatare e cila është shumë e lartë me vendet të cilat ne krahasohemi. Vendet e rajonit dhe më tej.
Dhe që të adresohet kjo çështje ka dy rrugë; ose t’i nxjerrësh pa i trajtuar njerëzit duke i thënë që nuk plotëson parametrat fizikë, kushtet janë këto, mirupafshim shko te shtëpia, ose t’i nxjerrësh duke i trajtuar. Ne kemi zgjedhur këtë të dytën. Ne do t’i nxjerrim atëherë kur është e domosdoshme. 55 vjeç e lartë do të thotë mbi 55, pra mund të jetë 56, 60,61 varet…
Ata që do të dalin do të jenë jashtë shërbimit, do të marrin një trajtim financiar. Pastaj përveç trajtimit financiar përfitojnë edhe trajtime të tjera nga sigurimet shoqërore për shkak të pensionit. Dhe në total trajtimi financiar i tyre shkon afërsisht sa rroga që kanë sot.
Por nuk do të thotë që kjo do të aplikohet masivisht sepse kjo varet nga fuqia jonë financiare. Varet rast pas rasti dhe nga buxheti. Nëse do kemi buxhet do ta aplikojmë, nëse nuk kemi do rrimë me këtë që kemi, por e rëndësishme është kjo që punonjësit e policisë janë të garantuar plotësisht që edhe nëse do të dalin nga shërbimi këtu nuk do tu cënohet asgjë nga standarti i jetës dhe nuk do rrezikohen nga “përfundimi në rrugë” dhe ky është gjithë qëllimi.”