Eurodeputetja greke: Të kushtëzohen negociatat me Shqipërinë. Problemet me “pronat” shqetësojnë Greqinë

0
This image has an empty alt attribute; its file name is ana-850x450.jpg

Eurodeputetët grekë kërkojnë ndërhyrjen e Komisionit Europian që Shqipëria të ndryshojë ligjin për transferimin e titujve të pronësisë, pasi sipas tyre, ligji në fjalë nuk bie ndesh me parimet themelore të të drejtave të njeriut.

Anna-Michelle Asimakopoulou, deputete e Parlamentit Europian e dalë nga listat e Demokracisë së Re, partia në pushtet në Greqi i kujton Komisionit se në raportin e progresit të publikuar në fillim të marsit i kërkohet Shqipërisë që të rishikojë ligjin për kalimin e titujve të pronësisë dhe të reflektojë në të rekomandimet e Komisionit të Venecias.

“Me këtë rishikim, Komisioni synon mbrojtjen e të drejtës së pronës për qytetarët shqiptarë, përfshirë minoritetit grek dhe Shqipëria të tregojë efektivisht se u qëndron parimeve dhe vlerave të Bashkimit Europian”, thotë eurodeputetja greke.

Ministria e Punëve të Jashtme greke ka reaguar më 9 mars ndaj ligjit, duke akuzuar palën shqiptare se ka reflektuar pjesërisht rekomandimet e Komisionit të Venecias, duke injoruar parimet dhe të drejtat thelbësore europiane.

Nisur nga kjo, eurodeputetja greke, Asimakopoulou i kërkon Komisionit që të kushtëzojë mbledhjen e parë ndërqeveritare në kuadër të negociatave të anëtarësimit me përshtatjen e plotë të ligjit në fjalë, sipas saj, me parimet dhe vlerat themelore të BE.

“A mendon Komisioni se ligji i mësipërm përputhet me parimet dhe të drejtat themelore të Bashkimit Europian?”, pyet ajo. Komisioni ka reaguar duke deklaruar se ligji në fjalë reflekton në sasi të kënaqshme dhe të mjaftueshme rekomandimet e Komisionit të Venecias.

Ligji i miratuar nga Parlamenti shqiptar në mars të 2020 reflekton mjaftueshëm rekomandimet e Venecias. BE do të ndjekë me vëmendje zbatimin e tij. Në vazhdën e përfundimeve të 25 marsit të Këshillit Europian, në strukturën e negociatave që duhet të miratohen, mes të tjerave duhet të reflektohet edhe përparimi në procesin e regjistrimit të pronave. Komisioni do të vazhdojë të vëzhgojë këtë progres dhe nëse ai është në përputhje me parimet dhe vlera e BE”, thotë Komisioni.

Në tetor të vitit të kaluar, Komisioni i Venecias nxorri rekomandimin për ligjin në fjalë, njohur ndryshe edhe si ligji i pronave. Qeveria nisi një proces konsultimi, në të cilin u përfshinë edhe ekspertë ndërkombëtarë të Këshillit të Europës dhe të vendeve anëtare të Bashkimit Europian.

Ligji u miratua në fillim të muajit mars. Por, në fund të muajit mars, Presidenti Ilir Meta e ktheu për rishqyrtim në Kuvend duke deklaruar se cenonte dispozitat kushtetuese. Mes arsyeve të renditura prej Metës ishte edhe ajo se ligji krijon mbivendosje kompetencash midis Agjencisë Shtetërore të Kadastrës dhe Agjencisë së Trajtimit të Pronës, që sipas Metës do të sillte veç të tjerash, trajtimin e subjekteve të të njëjtit ligj në mënyrë të pabarabartë dhe krejtësisht të ndryshme, duke shkaktuar diskriminim.

Megjithatë, mazhoranca e rrëzoi dekretin e Presidentit dhe në seancën e 16 prillit ligji kaloi pa asnjë ndryshim.

Artikulli i mëparshëmISHP tregon kur do të ndodhë hapja përfundimtare e Shqipërisë
Artikulli i radhësZgjidhni një gur dhe zbuloni atë se çfarë keni më shumë nevojë në jetë