Nga Ben Andoni
Askush nuk mundet të parashikojë sot sesi do të shkojnë zgjedhjet e ardhshme të vitit 2021, qeveria tranzitore e kërkuar nga Opozita apo edhe një Aleancë e mundshme, që po përvijohet disi nga larg e PS dhe LSI. Me habirat që solli pandemia, shtuar me situatën e tmerrshme të tërmetit dhe me paparashikueshmërinë e ngjarjeve e kemi të vështirë, që të bëjmë një prognozë të Shqipërisë, përveç një fakti që e dimë të gjithë: Jemi pranë një zgripi ekonomik, që vërtetë mund të jetë pak më i butë prej informalitetit por që do të ndryshojë shumë të ardhmen tonë. Mbase edhe këndvështrimin politik të zgjedhësve dhe mënyrën sesi do të votojmë.
Shqipëria, ashtu si vendet e tjera të Europës Lindore por më së shumti në Ballkan, është pjesë e një spektri që përball një demokraci të cënueshme ku korrupsioni por edhe autoritarizmi nuk ndalet. Të mjafton të dëgjosh diskursin dhe narrativën e ngritur të kryeministrit Rama për të kuptuar sesa larg jemi demokracisë së vërtetë. Por, ndërsa me gjuhën e tij po “mësohemi”, shqetësues mbetet zëri që vjen prej mëtuesve të tij opozitarë dhe sidomos ata që mezi presin rokadat për të mësyrë bordet dhe privilegjet bashkë me influencat e harruara të pushtetit.
Politologët e sotëm për një gjë janë fare të qartë se ndërtimi i demokracisë së vërtetë është i vështirë dhe i pasigurt në vendet tona, që dolën nga komunizmi. Përvoja historike tregon se dështimi është më i zakonshëm se suksesi, madje edhe në periudhat kur demokracia liberale ka pak rivalë, citojmë Hampton Stephens në The Battle for Democracy in Central and Eastern Europe. Për fat të keq shikojmë se të gjithë vendet e Europës Lindore por edhe të Ballkanit po humbasin në hapësirën e autokracisë, që e drejtojnë njerëzit më të fuqishëm në pushtet, favoritët e Brukselit.
Dhe, kur kjo ndodh me vende me demokraci me parametra më të larta se tonat, si Hungaria, Polonia e Çekia atëherë e llogarit lehtë se ku gjendemi ne. Po pse Brukseli nuk shqetësohet apo pse ishin aq të sigurt para disa muajve që nuk do kishte “Pranverë ballkanike”, duke iu referuar zgjerimit të përjavshëm të fluksit të protestave në Serbi, Mal të Zi dhe Shqipëri, vendet aspirantë në BE?! Pse BE preferon të respektojë më shumë këto statuos quo për vendet që janë në platformën e saj të integrimit sesa proceset e demokracive të vërteta, shtron si hipotezë Stephens.
Kjo pak e shumë kuptohet. Ballkani, paçka kumteve demokratike, mbetet larg interesave qoftë sa i përket historisë së sotme por edhe fuqisë ekonomike. Ndaj, zëri i njerëzve po bëhet gjithnjë e më i zbehtë, por jo ndryshimi. Këtë të fundit Brukseli e mbështet derisa nuk prishet status quo, që impenjon strukturat e saj.
PS-ja, forca më e konsoliduar por me një piramidë strukturale që kulmon dhe zbret me kryeministrin Rama, e ka kuptuar mirë këtë politikë, përveç një mësimi të madh, që tregoi përvoja e kundërshtarit të saj më të madh PD-së. Dhe, ajo çdo gjë ia ka deleguar Ramës, kurse pjesa tjetër e partisë duket një zgjatim, ku mungon krejt zëri ndryshe.
Gremisja dhe mos pasja e strukturave të duhura demokratike në parti, që vërtetë nuk lexohen si duhet nga BE, njihen mirë nga njerëzit dhe kjo e kërcënon realisht të ardhmen, e cila ka të ngjarë të jetë shumë më keq se PD-ja e sotme në luftën e saj për të krijuar një identitet.
BE-ja duket se është më shumë e interesuar për gjëra sipërfaqësore në vendin tonë sesa realisht me demokracinë e vërtetë, atë që duhen dekada të ngrihet. Bash, këtë demokraci, që e kuptojnë shumë pak individë te PS-ja me mungesën totale të vetëkritikës dhe mbytjen e çdo zëri ndryshe në parti.