Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti tha në një konferencë për media se vendimi për hapjen graduale të kufirit me shtetin e Shqipërisë do të jetë shkencore, e jo politike.
Ai iu përgjigj edhe deklaratave të një nate më parë të kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, në lidhje me hapjen e kufirit midis dy shteteve.
“Unë nuk e kam parë atë emision, por ne jemi të interesuar se porsa të hapen sadopak kushtet ta bëjmë këtë hapje të kufirit, veçse ta dini që vendimet tona, nuk janë politike, nuk janë demokratike sa janë shkencore, sepse bazohen në rekomandimet e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike. Unë jam kryeministër në detyrë, unë nuk kam dilema për këtë gjë, kush ka dilema duhet të pyeten ata. Dje kam takuar ambasadorin e Republikës së Shqipërisë, ku kemi biseduar për shumë gjëra, ndër të cilat edhe hapja e kufirit”, tha Kurti.
Dje, kryeministri Rama u shpreh për një hapje të mundshme graduale të kufirit, por se pret të koordinohet me Prishtinën zyrtare pasi të dijë me kë të flasë.
“Po, dakord, patjetër, ne jemi gati, por po presim të koordinohen në Kosovë të gjithë që ta dimë që me kë do të flasim atje ndërkohë që do të hapim apo s’do ta hapim”, u shpreh Rama.