Nga Lionel Shriver, Spectator
Nëse e ardhmja do na e lejojë ndonjë angazhim të pavlerë, historianët shumë vite nga tani do bëjnë një gabim të madh nëse do fajësojnë rënien e frikshme të PBB-së globale në vitin 2020 drejtpërdrejt te një koronavirus i ri. Në fund të fundit- dhe më falni për përsëritjen, pasi disa të dhëna janë në shqyrtim akoma- përafërsisht 290 mijë vdekje nga Covid nuk do kishin ndonjë ndikim në grafikën e vdekshmërisë në të gjithë botën (sa për informacion: 58 milionë vdekje globale u regjistruan në vitin 2019). Vdekjet nga Covid zor se duken gjëkundi në panoramën e madhe, edhe nëse shifra do të shumëfishohet me disa herë.
Për të ruajtur një sens të çmuar të proporcionalitetit, shikoni disa vdekje të tjera globale: nga gripi, mbi 650 mijë. Ethet tifoide, deri në 160 mijë. Kolera, mbi 140 mijë. Malaria, 620 mijë në vitin 2017, pothuajse të gjitha në Afrikë (po kush po shqetësohet apo jo?). Në vitin 2018, tuberkulozi, duke krijuar rezistencë ndaj antibiotikëve, vrau 1.5 milionë njerëz. Pse nuk e kemi mbyllur gjithë botën prej tuberkulozit?
Ajo që po shkatërron jetën dhe jetesën nuk është kryesisht sëmundja. Ekonomia e Mbretërisë së Bashkuar nuk është në rënie pikiatë sepse nuk mund të mbijetojë pa punën e 32 mijë viktimave, sado që na mungojnë këta individë. Kjo nuk është fatkeqësi natyrore, por e krijuar nga njeriu.
Nuk do ju sjell më shumë të dhëna, por provat janë të shumta se bllokimi ka pasur një efekt të papërfillshëm në kurbën e infeksioneve. Në një kampion së fundmi, shumica e pacientëve Covid në spitalet e Nju Jorkut ishin sëmurë ndërsa ishin strehuar në izolim. Një numër në rritje i mjekëve në Nju Jork duan që të hiqen kufizimet. Kështu që motoja e re e Boris, se duhet të kontrollojmë virusin, duket veçanërisht qesharake, duke pasur parasysh se ky infeksion, nëse do kënaqemi me antropomorfizmin popullor, duket qartë se ka mendjen e tij.
Politika, ndryshe nga shkenca, nuk shpërblen korrigjimin e gabimeve, duke pasur parasysh se korrigjimi i një gabimi gjithashtu nënkupton të pranosh se e ke bërë një të tillë. Më keq akoma, sa më i madh gabimi, aq më e madhe nevoja politike për ta mbrojtur me çdo kusht. Boris dhe grupi janë detyruar të vazhdojnë të justifikojnë bllokimin, që do të thotë të vazhdosh të ekzagjerosh rrezikun e infeksionit për jetën. (Rast konkret: në fjalimin e së dielës, kryeministri përsëriti parashikimin e profesor Pantsdown për 500 mijë vdekje, megjithëse ai modelim është diskredituar shumë. Duke iu bindur këtij versioni, tani publiku britanik është i detyruar të veprojë sipas një teatri të paranojës mjekësore, sepse për të lehtësuar rregullat e distancimit social, duhet t’ia nisësh duke thënë se ato ishin një budallëk që në fillim).
Unë jam i shqetësuar shumë. Parashikoj muaj, në mos vite, me gjeste të pakuptimte drejt ‘sigurisë’, që nuk do bëjnë ndonjë ndryshim në shëndetin e kombit, por do arrijnë që 1) të prishin kënaqësinë e të gjithëve; 2) të përjetësojnë idenë helmuese shoqërore se fqinji është kërcënim për vetë jetën; 3) të mbajnë një atmosferë të jashtëzakonshme në të cilën shteti mund të shkelë të drejtat sipas dëshirës; 4) të hedhin në kosh atë pak që ka mbetur nga ekonomia e këtij vendi. Bllokimi ka qenë mjaft i keq. Post-bllokimi do jetë akoma më i keq.
A ka ndonjë shkencë të vërtetë pas këtij rregullit të dy metrave? Apo është një konvencion arbitrar me të cilin kemi ngecur? Hulumtimet e fundit sugjerojnë se Covid është çuditërisht nosociomal (çfarë fjale e mrekullueshme): pra që përhapet kryesisht në spitale dhe azile. Kemi mësuar gjithashtu se shumica e infeksioneve vijnë nga ekspozimi i afërt dhe i gjatë, diçka që nuk ndodh kurrë me të huajt në supermarket. Megjithatë rregulli i dy metrave ka krijuar radhë kilometrike nëpër supermarkete dhe shumë shpejt kudo.
Me marzhe të ulëta fitimi, restorantet nuk do mbijetojnë kurrë duke i shërbyer vetëm një pjese të klientelës së mëparshme. Gjysma e pub-eve në Mbretërinë e Bashkuar janë tashmë kaput, dhe gjysma e tyre do pasojë nëse klientët e vetmuar vetë-izolohen mbi pijet e tyre. Shumë fabrika nuk do funksionojnë me punonjësit e ndarë. Artet kanë mbaruar. Teatrot rrezikojnë të mbyllen.
Oh, dhe transporti. Në Londër, distanca sociale pritet të reduktojë numrin e pasagjerëve në metro me 90 përqind. 5 milionë njerëz udhëtojnë çdo ditë me metro. Si keni menduar se do udhëtojnë 4.5 milionë të tjerët tani? Me biçikletë. Oh, po e drejtë. Mund t’ju siguroj që tani se ishte një makth të lëvizje në biçikletë në kryeqytet edhe para Covid. Pastaj mos harroni autobusët, që do lejohen të përdorin 15 përqind të kapacitetit. Na kanë thënë që të mos përdorim edhe ashensorët. Por kurrë nuk duhet të keni frikë. Mund të hidheni edhe nga ballkoni. Pse jo, me maska dhe doreza, të zgjedhësh rrugën më të shkurtër për në trotuar duket joshëse.
Më e keqja nga të gjitha, sikur të mos mjaftonte që është një sektor që po lufton për mbijetesën, tani do i porosisim pasagjerët që vijnë nga ajri se duhet të karantinohen për dy javë pasi të zbresin nga avioni. Për shkak se udhëtarët mund të premtojnë se do të karantinohen në një vend të caktuar, kjo politikë ka problemet e saj. Karantina ose do injorohet në mënyrë të rregullt, ose do të kërkojë burime të jashtëzakonshme policore për të trokitur në çdo derë që të sigurohemi se disa kanadezë që na kanë ardhur për vizitë, nuk kanë dalë jashtë për të blerë qumësht. Kjo politikë është e garantuar se do të shkatërrojë plotësisht industrinë turistike dhe linjat ajrore britanike.
Parashikoj se këto masa të lodhshme, të kushtueshme dhe kohë-konsumuese, do të bazohen te shkenca. Ne do jemi të detyruar të bëjmë gjeste të zhurmshme për të treguar pajtueshmëri, kurse shumica e tyre nuk do ketë asnjë ndryshim te fakti se kush sëmuret dhe kush vdes. Megjithatë do e bëjnë gropë në mënyrë të pakthyeshme ekonominë, kurse jetën tonë do e zhysë në mjerim të pandreqshëm.