“TUI Group”, një nga operatorët më të mëdhenj të turizmit në botë po bën shkurtime të konsiderueshme pas një humbje të thellë gjatë muajve të fundit, për shkak të pandemisë së koronavirusit.
Grupi i udhëtimeve me seli në Gjermani njoftoi sot se gradualisht do të rifillojë aktivitetet e tij të udhëtimeve pas pezullimit të pjesës më të madhe të operacioneve në mars për shkak të koronavirusit.
Gati 8 mijë vende pune në të gjithë botën mund të shkurtohen ose nuk do të rinovohen me qëllim që të ulin kostot administrative deri në 30 për qind, thuhet në një deklaratë në faqen e internetit të kompanisë.
Në deklaratë thuhet se hotelet e TUI në disa rajone gjermane do të rihapen në ditët e ardhshme, ndërsa hotelet dhe klubet në destinacionet europiane janë gjithashtu të gatshëm të mirëpresin turistët.
TUI është duke hartuar një katalog me 10 pika për higjienën e shtuar, ndërsa aktualisht janë dukeu zbatuar masat mbrojtëse.
“Siguria dhe mirëqenia e turistëve dhe punonjësve tanë në të gjithë botën vazhdojnë të kenë përparësi kryesore. Pushimet verore në Europë gradualisht mund të bëhen të mundshme përsëri – me përgjegjësi dhe me rregulla të qarta”, tha CEO i TUI Fritz Joussen./CNN