Fatima, shfaqja hyjnore, 3 profecitë: Historia e një misteri 103-vjeçar

0

13 maj 1917, Kova da Iria, zonë në një fshat të Portugalisë Qendrore, Fatima. Tre fëmijë – 10-vjeçarja Luçia dos Santos dhe kushërinjtë e saj 9 dhe 7-vjeçarë Francisko dhe Xhakinta Marto, motër e vëlla – po luanin midis tyre ndërsa po kullosnin një tufë të vogël delesh, në një kullotë në pronësi të babait të Luçias.

Afër mesditës, pasi recituan lutjet si zakonisht, ata panë dy fenomene të shndritshme, si dy llampa të fuqishme, dhe më pas një Zonjë misterioze të ndritshme me një Rruzare në dorë. Është shfaqja e parë nga 6 të tilla që 3 barinjtë e vegjël do të shohin deri në tetor të atij viti.

Gjithnjë në datën 13, përveç muajit gusht, kur në datat 13-15 ata u “rrëmbyen” nga kryetari i bashkisë që përpiqet të demaskojë atë që ai beson se është një mashtrim (më pas Shën Mëria do t’u rishfaqet 3 fëmijëve më 19 gusht). Më 13 tetor 1930 peshkopi i Leirisë i shpalli vizionet si “të denja për t’u besuar”, duke autorizuar kështu lindjen e kultit të Zonjës së Fatimas.

Mrekullia e Diellit

Sapo u përhapën zërat mbi këto ngjarje të mbinatyrshme, në Fatima nisën të mbërrinin mijëra pelegrinë. Më 13 tetor 1917, një turmë prej 30-100 mijë njerëz, në mesin e tyre shumë gazetarë, dëshmuan “Mrekullinë e Diellit”, shenjën e madhe që ishte paralajmëruar nga Virgjëresha Mari:pas një rebeshi të madh shiu, që lagu deri në palcë tokën dhe rrobat e njerëzve, qielli u hap dhe disku Diellor u pa të ndryshojë ngjyrë, madhësi dhe pozicion për rreth 10 minuta. Ishte një fenomen që mund të shihej drejtpërdrejti nga të gjithë të pranishmit. Pas asaj ngjarje, veshjet dhe toka ishin papritmas sërish të thata.

Një sekret i ndarë në 3 pjesë

Mesazhi kryesor i atyre shfaqjeve të mbinatyrshme lidhej me 3 sekrete, ose më saktë me një zbulesë 3-pjesëshe që Shën Mëria u bëri barinjve të vegjël në shfaqjen e datës 13 korrik 1917. Luçia, e cila u bë më vonë murgeshë, shkroi 2 pjesët e para në kujtimet e saj. Të tretën, e shkroi më 3 janar 1944, dhe ia dha në një zarf të mbyllur peshkopit të Leirisë. Rrëfimi i saj, iu dorëzua në vitin 1957 arkivit sekret të Zyrës së Shenjtë në Vatikan, dhe përmbajtja e dëshmisë u zbulua vetëm në vitin 2000.

Vizioni i Ferrit

Në pjesën e parë të sekretit, Motër Luçia thotë se Shën Mëria u tregoi 3 fëmijëve barinj “një det të madh zjarri, që dukej se shtrihej nëntokë”. “Të zhytur në atë zjarr, demonët dhe shpirtrat, si të ishin transparente dhe në ngjyrë të zezë ose bronzi, kishin forma njerëzore dhe notonin në zjarr… Demonët dalloheshin nga format e kafshëve të frikshme apo të panjohura për fëmijët. Ky vizion zgjati një moment. Dhe ishte falë Nënës tonë të mirë të Parajsës, e cila më parë na kishte premtuar të na çonte në Parajsë (në shfaqjen e parë), pasi në të kundërtën mendoj se do të kishim vdekur nga frika dhe terrori”.

Rusia dhe Zemra e Papërlyer

Pjesa e dytë përmban këto fjalë të Marisë:”Ju patë Ferrin ku bien shpirtrat e mëkatarëve të ngratë. Për t’i shpëtuar ata, Zoti dëshiron që të vendosë në botë përkushtimin ndaj Zemrës Time të Papërlyer. Nëse njerëzit do të bëjnë atë që po ju them, shumë shpirtra do të shpëtohen dhe do të kenë paqe. Lufta do të përfundojë. Por nëse ata nuk do të ndalen së ofenduari Zotin, gjatë papatit të Piut XI, do të nisë një luftë tjetër edhe më e keqe.

Kur të shihni një natë të ndriçuar nga një dritë e panjohur, dijeni se ajo është shenja e madhe që po ju jep Zoti, se do ta ndëshkojë botën për krimet e saj, përmes luftës, urisë dhe persekutimit të Kishës dhe Atit të Shenjtë. Për ta parandaluar këtë gjë, unë do kërkoj shenjtërimin e Rusisë në Zemrën Time të Papërlyer, dhe Kungimin e Shpërblesës në të shtunat e para.

Nëse ata do të pranojnë kërkesat e Mia, Rusia do të konvertohet dhe ata do të kenë paqe. Nëse jo, ajo do t’i përhapë në mbarë botën gabimet e veta, duke promovuar luftëra dhe persekutime ndaj Kishës. Të mirët do të martirizohen, Ati i Shenjtë do të vuajë shumë, vende të ndryshme do të shkatërrohen. Por në fund, do të triumfojë Zemra Ime e Papërlyer. Ati i Shenjtë do të shenjtërojë Rusinë, e cila do të konvertohet, dhe një periudhë paqeje do t’i jepet botës”.

Peshkopi i veshur me të bardha

Pjesa e tretë e sekretit raportohet nga Motër Luçia:”Pas dy pjesëve që tashmë i kam treguar, ne pamë pak më lart në të majtë të Zonjës sonë një Engjëll, me një shpatë zjarri në dorën e majtë. Shpata e tij lëshonte shkëndija, që dukej sikur po i vinin zjarrin botës.

Por ato fikeshin në kontakt me shkëlqimin që lëshonte Zonja Jonë ​​nga e djathta e saj: Engjëlli duke treguar Tokën me dorën e djathtë, tha me zë të lartë:Ndëshkim, ndëshkim, ndëshkim! Dhe ne pamë në një dritë të jashtëzakonshme që është Zoti:Diçka e ngjashme me atë se si njerëzit e shohin veten në një pasqyrë kur ata kalojnë pranë saj”, një Peshkop i veshur me të bardha. Patëm ndjesinë se ai ishte Ati i Shenjtë.

Peshkopë të tjerë, priftërinj, burra dhe gra besimtare po i ngjiteshin një mali të pjerrët, në majë të të cilit ndodhej një kryq i madh. Përpara se t’i mbërrinte atje, Ati i Shenjtë, kaloi nëpër një qytet të madh, që ishte përgjysmë në gërmadha. I prekur nga dhimbja, ai u lut për shpirtrat e të vdekurve që ndeshi rrugës.

Pasi mbërriti në majë të malit, u gjunjëzua para Kryqit të madh, dhe u vra nga një grup ushtarësh që e qëlluan me disa të shtëna me armë zjarri. Në në të njëjtën mënyrë vdiqën priftërinjtë peshkopët, burra dhe gratë besimtare, por edhe njerëz të ndryshëm laikë, burra dhe gra të shtresave dhe pozicioneve të ndryshme. Nën dy krahët e Kryqit gjendeshin dy Engjëj, secili me nga një enë prej kristali në dorë, me të cilën mblodhën gjakun e Dëshmorëve, dhe me to ujisnin shpirtrat që iu afruan Zotit”.

Jeta e vizionarëve

Barinjtë e vegjël, raportuan se Maria kishte folur për vdekjen e parakohshme të Franciskos dhe dhe Xhakintës, duke shtuar se Luçia do të qëndronte në Tokë për një kohë të gjatë. Dhe në fakt ashtu ndodhi. Francisko u sëmur nga Gripi Spanjoll në dhjetorin e vitit 1918. Ai e përballoi në fillim mirë sëmundjen, dhe bëri Kungimit të Parë gjatë asaj periudhe.

Por vdiq më 4 prill 1919. Edhe Xhakinta u prek nga Gripi Spanjoll në dhjetorin e 1918-ës. Sëmundja e saj ishte më e gjatë dhe më e dhimbshme se ajo e vëllait të saj. Xhakinta u shtrua në në spitalin e Lisbonës, por pa dobi, pasi vdiq më 20 shkurt 1920. Motër Luçia hyri në manastirin e Murgrshave të Shën Doroteas në vitin 1925, ndërsa më 1948-ën kaloi në manastirin Karmelitan të Koimbras. Ajo qëndroi aty deri në vdekjen e saj në vitin 2005.

Arsyet e lumturimit dhe shenjtërimit

Procesi i lumturimit të Francisko dhe Xhakinta Marto nisi në dioqezën e Leirias në vitin 1952:Francisco dhe Xhakinta u lumturuan më 13 maj 2000 nga Papa Gjon Pali II, dhe tashmë janë shenjtëruar nga Papa Françesku. Ndërkohë procesi i shenjtërimit të Motër Luçias nisi në vitin 2008, dhe përfundoi fazën e parë në dioqezën e Koimbras në janarin e 2017-ës.

Papët dhe Fatima

Më 13 maj 1917, në ditën e shfaqjes së parë, Eugjenio Pacelli u emërua peshkop. Si Papë ai do të kishte një nderim të veçantë për Zonjën e Fatimas. Më 13 maj 1967, Papa Pali VI shkoi në një pelegrinazh në Fatima. Po kështu ndodhi edhe me Papa Gjon Palin II në vitet 1982, 1991 dhe 2000.

Për Vojtilën ishte Virgjëresha e Fatimas, ajo që i shpëtoi jetën gjatë atentatit ndaj tij më 13 maj 1981. Edhe Benedikti XVI, e vizitoi Fatiman në vitin 2010. Edhe Anxhelo Ronkali dhe Albino Luçiani vizituan vendin e shenjtë portugez, por si kardinalë dhe jo Papë:i pari në vitin 1956, dhe i dyti më 1977-ën.

Artikulli i mëparshëmYuri Kim mesazh të fortë klasës politike: Mjaft me lojëra. Reforma në drejtësi dhe ajo zgjedhore të domosdoshme
Artikulli i radhësTestoni, gjurmoni dhe ndiqni atë që Koreja e Jugut bëri si duhej, në përballje me pandeminë