Pas mbylljes që i bëri vendit ditën e festës së Fitër Bajramit, kryeministri Edi Rama doli sërish në një dalje publike nga Facebook, nga ku bëri të ditur se duke nisur nga data 1 qershor do të hapen kufijtë tokësorë me fqinjët, ndërsa theksoi se plazhet ende nuk do të hapen.
“Duke nisur nga 1 qershori do të hapim kufijtë me fqinjët, për të gjithë shqiptarët. Ne do të vazhdojmë t’u bëjmë thirrje të gjithëve për kujdes. Ende nuk do të hapen plazhet”, tha ai.
Më tej, kryeministri theksoi se kjo do të jetë java e fundit e kufizimit të orareve.
“Kjo do të jetë java e fundit e kufizimeve të orareve, por fundjava pa makina do të mbetet në fuqi edhe për dy fundjava të tjera”, u shpreh Rama.