“Shqipëria ç’do të bëhet” – manifesti i pashkruar

0
Lazimi

Më shumë se 120 vite më parë, Sami Frashëri do të shkruante manifestin e parë dhe ndoshta të fundit politik shqiptar. “Shqipëria ç’ka qënë, ç’është dhe ç’do të bëhet” mishëron vizionin e Shqipërisë së ëndërrave, shumë larg moçalit të realiteti të sotëm.

Shoqëria shqiptare dhe të ashtuquajturat “elitat” e saj politike, ekonomike dhe intelektuale kanë harxhuar energji pafund duke “luftuar” betejat e së kaluarës, ndërkohë që po dështojmë suksesshëm në menaxhimin e Shqipërisë së sotme dhe projektimin e së ardhmes për brezat e rinj.

Shqipëria më shumë sesa izolimin fizik me rregullat e tij absurde “ngriva” – “shkriva”, po vuan nga “karantinimi” i mendjes dhe “prangosja” e shpresës.

Mediokriteti po triumfon mbi meritokracinë, injoranca mbi dijen, padrejtësia mbi ndershmërinë, dhe varfëria mbi mirëqënjen e qytetarëve. Kemi 108 vite pavarësi, por skemi institucione. Kemi 30 vite demokraci, por përleshemi akoma për liritë dhe të drejtat themelore. Kemi kapitalizëm, por skemi konkurencën e tregut dhe lirinë ekonomike. E kështu me rradhë mund të rendisim dështimet spektakolare të politikës, shtetit dhe tregut.

Shqiptarët nuk po ikin nga sytë këmbët nga ky vend vetëm për shkak se nuk ushqejnë dot familjet dhe fëmijët e tyre. Absolutisht , jo. Ato nuk janë fatalist për të sotmen, por mjerisht të pashpresë për të nesërmen. Sikurse në ekonomi dhe në biznes, ku vlera dhe pasuria e sotme përcaktohet nga pritshmëritë e së ardhmes, ashtu është dhe fati i një kombi.

Vizioni i Sami Frashërit “Shqipëria ç’do të bëhet” po degradon në pyetjen ekzistenciale “C’do bëhet me Shqipërinë”?

Teksa ekonomia është në agoni, bizneset janë pranë falimentit, papunësia në “shpërthim”, varfëria po”ha” njerëzit, rinia pa busull, debati publik dhe mediatik dominohet nga loja e neveritshme dhe e paskrupullt politike.

Sa urrejtje, pesimizëm dhe përçarje mbjellim për të zgjidhur “dilemat e kotësisë” të llojit : a duhet të zgjedhim mes alternativave politike apo mjafton thjesht të votojmë? A kemi nevojë për Gjykatën Kushtetuese apo le të rrimë dhe pa gjykata fare? A jemi pro apo kundër prishjes së Teatrit Kombëtar?

Sa larg halleve të popullit janë hallet e politikës. Sot qytetarët janë të braktisur, pa një plan për shpëtimin e ekonomisë. Bizneset janë në kufijtë e mbijetesës. Punonjësit janë në makth për të mbajtur vendet e punës. Të papunët janë të dëshpëruar se nuk e dinë nëse do rifuten në tregun e punës etj.

Sot duhet të kishim tejkaluar fazën e mbijetesës dhe të kishim ndezur një debat të qënësishëm publik dhe politik mbi vizionin dhe modelin qeverisës, ekonomiko-social, arsimor dhe shëndetësor, për të tashmen dhe për Shqipërinë e vitit 2030.

Nuk ka nevojë të rishpikim rrotën. Mjafton të adoptojmë modelet e suksesshme në botë dhe të vendosim ne krye të punëve të vendit njerëz profesionistë dhe me integritet, të cilët nuk i mungojnë Shqipërisë, si brenda dhe jashtë saj. Formula magjike e suksesit të Singaporit, për tu transformuar nga një vend i varfër para 60 vitësh në një nga vendet më të zhvilluar të botës sot, ishte pragmatizmi i modelit ekonomik, sistemi meritokratik në menaxhimin publik dhe në qeverisje, si dhe promovimi i ndershmërisë në sistemin gjyqësor për të zhdukur pandëshkueshmërinë. Fatkeqësisht, ne po bëjmë ekzaktësisht të kundërtën.

Ka ardhur koha që “shumica e heshtur” dhe “elita e fjetur” e këtij vendi të merr përgjegjësitë historike për të dal përtej llogoreve politike, interesave të ngushtë financiare dhe zonës së komfortit të kafeneve ku të gjithë nxjerrim dufin e vjetër se “ky vend nuk bëhet”.

Thuhet se “njerëzit ëndërrojnë vetëm gjërat që mund të realizojnë”. Sami Frashëri na dhuroi një ëndërr të bukur për Shqipërinë. Ne duhet ta bëjmë atë realitet, me çdo kusht dhe të gjithë së bashku.

Artikulli i mëparshëmLleshaj si baraceltë, ish- ministrat e PD zihen se kujt i ka shkuar më shumë në zyrë për…
Artikulli i radhësAmbasadori italian: Faleminderit Lulzim Bashës për fjalët e bukura mbi prokurorin Falcone