Greqia hap baret dhe restorantet

0

Greqia ka hedhur hapin e katërt drejt lehtësimit të masave kundër pandemisë në vend, duke rihapur bizneset e bar-restoranteve dhe lëivzjet me traget mes ishujve grekë. Sezoni turistik pritet të gjallërohet veçanërisht pas datës 1 qershor.

Pas më shumë se dy muajve izolim, Greqia ka rihapur baret dhe restorantet, si edhe ka lejuar sërish udhëtimet me traget për turistët e brendshëm.

Të hënën, qeveria greke njoftoi hyrjen në etapën e katërt të luftës kundër pandemisë, me lehtësime të reja që synohet të shpëtojnë sezonin turistik të vendit.

Bar-restorantet rivunë në funksion ambientet e jashtme duke respektuar rregullat e distancimit nga 70 centimetra deri 1,7 metra midis karrigeve, dhe një maksimum prej 6 klientësh për tavolinë.

Ambientet e brendshme mbeten të papërdorshme përveçse për qëllime të higjienës apo tualetit.

Rikthimi i një normaliteti të pjesshëm u mirëprit nga qytetarët dhe pronarët e restoranteve.

“Na ka munguar dalja kështu. Për ne është si terapi psikologjike, shumë, shumë e rëndësishme.”

“Isha shumë i ligështuar ditë e natë në shtëpi. Tani që janë hapur, mund të dalë të pi një kafe.”

“Për mua është diçka e paprecedentë, më duket sikur po punoj për herë të parë. Është një ndjenjë e çuditshme dhe shpresoj të mos e përjetojmë më kurrë.”

Me hapjen e bar-restoranteve, Greqia ka rikthyer në punë 45 për qind të forcës së vet punëtore të goditur fort prej disa muajsh nga pandemia.

Megjithatë, jo të gjitha bizneset e tilla u rihapën këtë javë pasi nuk e zotërojnë licensën për të ushtruar aktivitetin në ambientet e jashtme.

Hotelet sezonale pritet që të hapen nga e hëna që vjen për të vijuar më 15 qershor me fluturimet ndërkombëtare në aeroportin e Athinës dhe nga 1 korriku në aeroportet e të gjithë vendit.

Kostas Bakojanis, kryebashkiaku i Athinës, shpreh optimizëm për të ardhmen e turizmit në vend.

“Jemi optimistë për ekonominë tonë dhe se mund ta përhapim nëpër botë mesazhin se vendi është i hapur dhe i sigurt, një destinacion ku shijoni pushimet e njëkohësisht jeni i mbrojtur nga shëndeti.”

Turizmi i siguron ekonomisë greke më shumë se 10 për qind të të ardhurave kombëtare.

Mbi 34 milionë turistë që vizituan vendit vitin e kaluar.

Për bilancin e pandemisë, Greqia numëron 2,900 të infektuar dhe 172 viktima nga koronavirusi.

Artikulli i mëparshëmRoli i fundit i një artisti barbar
Artikulli i radhësPolicia e pranon që sistemi TIMS ra për disa orë: Iku energjia