BILD
Dhjetëra vdekje nga koronavirusi në Mbretërinë e Bashkuar mund të kenë ardhur për shkak të një ndeshje të Ligës së Kampioneve mes Liverpulit dhe Atletiko Madridit më 11 mars. Kështu thuhet në një studim.
Sipas rezultateve nga kompania e analizimit të të dhënave, Edge Health, e cila bazohet te statistikat e Shërbimit Kombëtar të Shëndetit, ka pasur 41 vdekje të lidhura me këtë ndeshje futbolli.
Vdekjet ndodhën mes 25 dhe 35 ditëve pas ndeshjes, në spitalet e Liverpulit.
Ndeshja e raundit të nokautit në Ligën e Kampioneve u zhvillua përpara 52 mijë spektatorëve. Rreth 3 mijë tifozë erdhën nga Spanja. Ishte ndeshja e fundit më e madhe që u zhvillua në Britaninë e Madhe dhe në klasën mbretërore të futbollit përpara se të vendoseshin kufizimet e përgjithshme të koronavirusit.
‘Imperial College London’ dhe Universiteti i Oksfordit vlerësojnë se Spanja në këtë pikë kishte 640 mijë raste me korona, kurse Mbretëria e Bashkuar 100 mijë.
Kryebashkiaku i Liverpulit, Steve Rotheram, kishte kërkuar në prill një hetim se përse duhej zhvilluar ndeshja me spektatorë. Nëse njerëzit do infektoheshin në një ngjarje sportive, do të ishte skandaloze, tha ai për BBC.
Një tjetër ndeshje e Ligës së Kampioneve dyshohet si përgjegjëse për hapjen e virusit të koronës.
Më 19 shkurt u zhvillua në Milano ndeshja e parë e raundit të nokautit mes Atalantës së Bergamos dhe Valencias, në një stadium të mbushur plot. Rajoni italian i Lombardisë, kryeqyteti i të cilit është Milano, u bë zona më e goditur nga pandemia në Itali.
Studimi thotë gjithashtu se 37 vdekje kanë ardhur për shkak të festivalit ‘Cheltenham’. Kjo garë klasike me kuaj u zhvillua në Angli nga 10 deri më 13 mars, kur virusi po përhapej në të gjithë vendin.