Kushtet e reja ekonomike dhe gjeopolitike do të sjellin një kërkesë të re për mallra kudo në botë dhe nevojën për ndryshimin e burimeve të furnizimit. Shqipëria mund të shndërrohet në një fabrikë të Europës për veshjet dhe pajisjet mjekësore. Kërkesa më e lartë për perime të freskëta dhe prodhime organike, një mundësi e re për bujqësinë. Frenimet për turizmin ndërkontinental do të nxisin udhëtimet tokësore në Shqipëri. Mundësitë e reja që gjeneron kriza e COVID-19 për eksportet shqiptare. Shansi i zhvillimit të teknologjisë
Më shumë se 105 mijë persona do të dalin të papunë këtë vit, ekonomia do të bjerë të paktën 7%, teksa zinxhirët e prodhimit, furnizimit dhe konsumit janë dëmtuar rëndë nga pandemia e COVID-19, sipas bilancit paraprak të Bankës Qendrore.
Por kushtet e reja ekonomike dhe gjeopolitike të krijuara nga pandemia mund të kthehen në një burim mundësish për ekonominë shqiptare, nëse grupet e interesit dhe qeveria do të mund t’i shfrytëzojnë këto shanse pa humbur kohë. “Covid19, mund të quhet si lajmëtari i madh ose shëruesi i madh, pasi “stres testi” që i bëri sistemeve ekonomike, mund të jetë në fakt mundësia e madhe për të rimenduar ekonominë për ta udhëhequr në epokën e re të zhvillimit”, thotë Arben Shkodra, sekretar i përgjithshëm i Shoqatës së Prodhuesve.
Shanset janë të shumta. Duke qenë pjesë e Europës, me një popullsi ende të re në moshë, me një përvojë të gjatë në industrinë fason, Shqipëria mund të kthehet në fabrikën e Europës për prodhimin e maskave dhe veshjeve mjekësore në afat të shkurtër, duke zëvendësuar furnizimet në ato vende që po rishikojnë marrëdhëniet tregtare me Kinën.
Në afat të mesëm, mundësitë për të diversifikuar dhe për të rritur vlerën e shportës së eksporteve dhe shërbimeve mbeten të larta, duke shfrytëzuar orientimin e kërkesës së re brenda kontinentit europian dhe avantazhin konkurrues nga kostot e ulëta të punës.
Ekonomistët, bizneset dhe institucionet financiare ndërkombëtare bien dakord se Shqipëria mund të shfrytëzojë kushtet e reja, në të cilat ndodhet ekonomia globale, duke orientuar prodhimin drejt produkteve me vlerë të lartë dhe duke zgjeruar më tej gjeografinë e eksporteve.
Florian Zekja, nga Dhoma Kombëtare e Veshjeve tha se, klientët kanë rritur porositë për maska dhe veshje specifike pune. Në 10 vitet e ardhshme do të ketë një kërkesë të lartë për maska dhe veshje mjekësore për spitalet. Mirëpo që industria shqiptare e fasonit të përshtatet me këtë kërkesë të re duhet që mbështetet nga qeveria. Zekja tha se një fabrike, që sot prodhon këpucë, i duhen investime shumë të mëdha për të përshtatur teknologjinë dhe ambientet që të prodhojnë pajisje mjekësore.
Eksperti i ekonomisë, Arben Malaj, thotë se qëndrimi i Kinës në bllokimin e eksporteve për pajisje logjistike apo medikamente do të nxisë vende të ndryshme edhe brenda BE-së, të identifikojnë mundësi brenda kontinentit. Ai sugjeroi se qeveria duhet të ketë një strategji të rritjes së eksporteve, për të parë se sa vendi ynë mund të jetë potencial për prodhimin e tyre për sa më shumë vende. Kjo, sipas tij, kërkon identifikimin dhe lobimin tek kompanitë e mëdha, që mund ta kenë filluar këtë aktivitet brenda vendit të tyre si në Gjermani dhe Itali.
Shkodra i Shoqatës së Prodhuesve thotë se një nga shanset e fundit që politikë-bërja ka për ta kthyer problemin e pandemise në mundësinë e shekullit, lidhet me mënyrën se si do të do të qaset me fazën e katërt, atë të rimodelimit ekonomik e cila duhet të bazohet në një mënyrë të re të qeverisjes, politikë-bërjes, hartimit dhe zbatimit të politikave publike, bërjes biznes por gjithashtu edhe të mënyrës se si ne sillemi në ekonomi
Ekonomisti Pano Soko shikon avantazhe edhe në sektorin e turizmit. Sipas tij, europianët, për një kohë të konsiderueshme, do të orientohen në resurset turistike brenda kontinentit, ku kultura, rregullat, kulinaria të jenë të ngjashme, të njohura. Për ta thënë më thjesht, do të shmangin maksimalisht vendet ku lakuriqi i natës shërbehet si ushqim, apo ku kultura sanitare është e ndryshme. Në këtë pikë, me një politikë të zgjuar nxitëse dhe marketingu, shumë prej këtyre turistëve mund të devijojnë destinacionin drejt Shqipërisë, shtoi ai.
Struktura e ekonomisë shqiptare dominohet në më shumë se 40% të saj nga sektorët e bujqësisë, tregtisë dhe ndërtimit. Industria përpunuese zë 6,1% të saj. Banka Botërore, në një analizë të thellë, që i bëri profilit të ekonomisë shqiptare në mars të këtij viti, tha se ka hapësira shumë të mëdha për të rritur vlerën e prodhimeve të bujqësisë dhe të fabrikave, të cilat do ta bëjnë më të qëndrueshme rritjen ekonomike të vendit. Pajisjet mjekësore dhe ushqimet janë produkte që kanë tregun e garantuar gjatë kësaj dekade, ndaj politikat mbështetëse duhet të nxisin këta sektorë.
Fasoni, para një shansi të ri
Sektori fason është para një shansi të ri për të rritur fitimet nga kërkesa e re që imponohet gjatë kësaj dekade, por edhe në vijim. Florian Zekja, nga Dhoma Kombëtare e Veshjeve, tha se aktualisht Europa, por edhe mbarë globi kanë deficite të larta për maska, veshje mjekësore dhe për spitalet. Nga njëra anë, magazinat dhe stoqet janë boshatisur ndërsa në anën tjetër, kërkesa e re është shumëfishuar për shkak të pandemisë.
Kjo situatë ka nxitur përshtatjen e disa fabrikave në vendin tonë për të prodhuar artikuj të veshjeve spitalore. Ai tha se shumë klientë italianë dhe gjermanë, të cilët furnizoheshin me veshje pune në Shqipëri, kanë nisur të porosisin edhe maska pune. Por Zekja tha se për të përshtatur industrinë shqiptare me kërkesën e re duhen certifikime. Maskat dhe çarçafët për përdorim spitalor duhet të kenë disa certifikime specifike, që kërkojnë kohë dhe procedura.
Aktualisht Ministria e Sipërmarrjes dhe ajo e Shëndetësisë po koordinohen për të ndihmuar në certifikime, por në afat të mesëm, industrisë fason i duhen investime të mëdha për përshtatjen e teknologjisë. Aktualisht më shumë se 50% e industrisë fasone dominohet nga prodhimi i këpucëve. Përshtatja e një fabrike këpucësh për të prodhuar maska dhe veshje mjekësore kërkon investime gati trefish më të mëdha në makineri dhe ambiente, pasi duhen plotësuar disa standarde të reja në drejtim të sterilizimit.
Në dekadat e ardhshme, Europa do të përballet me një kërkesë të fortë për mjete dhe shërbime shëndetësore, për shkak të plakjes së popullsisë. Aktualisht mbi 23% e popullsisë së Europës është mbi 60 vjeç. Europa ka popullsi relativisht të moshuar. Ky është rezultat i jetëgjatësisë më të madhe dhe uljes së niveleve të lindjes dhe vdekshmërisë.
Deri në vitin 2030, më shumë se 25% e popullsisë në Europë do të jetë 60 vjeç ose më e vjetër. Sipas të dhënave nga kompania, Johnson & Johnson, njerëzit mbi moshën 65 vjeç përdorin afërsisht shtatë herë më shumë produkte dhe shërbime të lidhura me kujdesin shëndetësor sesa të rinjtë. Kjo kërkesë e lartë për veshje dhe pajisje mjekësore do të nxitet më tej nga realiteti i ri gjeopolitik që ka krijuar pandemia COVID-19. Furnizimet nga Kina do të tentojnë të diversifikohen dhe në këtë këndvështrim, Shqipëria do të jetë përfituese.
Nikolin Jaka, kryetar i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, tha se fasoni është para një mundësie të madhe për të rritur fitimet nga kërkesa e re. Maskat dhe veshjet mjekësore do të mund të prodhohen me lehtësi nga kompanitë shqiptare që aktualisht prodhojnë për kompanitë më të mëdha të modës si Max-Mara, Massimo Dutti, Zara, etj. Kërkesa për veshje të sektorit shëndetësor mund të jetë një shans për diversifikimin e gjeografisë së eksporteve dhe daljen në tregjet e Europës Qendrore dhe Veriore.
Mirëpo pandemia e COVID e gjeti industrinë fason të rrënuar nga humbjet që krijoi rënia e euros dhe tërmeti i 26 nëntorit 2019, çka e vështirësojnë përshtatjen e shpejtë me kërkesën e re.
Pajisjet dhe makineritë mjekësore, një perspektivë e re
Shqipëria, vitet e fundit, ka nisur të zhvillojë prodhimin e pajisjeve kabllore për industrinë automative për klientët gjermanë, koreanë dhe francezë. Të nxitura nga pandemia, fabrikat e automjeteve në të gjithë botën kanë krijuar përshtatje për prodhimin edhe të pajisjeve mjekësore dhe respiratorëve. Fabrikat shqiptare, me të njëjtën lehtësi që prodhojnë kabllot, mund të prodhojnë edhe tubat dhe maskat oksigjenike dhe pjesë të respiratorëve, që nuk kërkojnë aftësi dhe investime të mëdha.
Edhe pa ndodhur pandemia, aplikimet për patenta që kanë të bëjnë me shpikjet e aplikacioneve dhe teknologjisë mjekësore kanë qenë të larta në Europë.
Qendra Europiane për Nxitjen e Importeve nga Vendet në Zhvillim analizoi së fundmi se ka një trend në rritje për nënkontraktime në vendet në zhvillim
Trendi i nënkontraktimit për furnizime të sektorit shëndetësor po nxitet kryesisht nga nevoja e prodhuesve europianë për ulje të kostove të punës dhe energjisë. Shumica e nënkontraktimit për vendet në zhvillim kanë të bëjnë me produkte me vlerë të ulët, që i duhen sektorit të shëndetit. Por standardet e menaxhimit të cilësisë si certifikatat ISO dhe CE ndihmojnë në krijimin e besimit me partnerët europianë.
Një shembull i bashkëpunimit midis kompanive të krijuara europiane nga njëra anë dhe kompanive nga vendet në zhvillim, nga ana tjetër, është Medtronic, kompania më e madhe në botë e pajisjeve mjekësore me seli në Irlandë, duke bërë partneritet me kompani më të vogla, sipërmarrëse në vendet në zhvillim.
Sektori i prodhimit në fabrika në Shqipëri është në zgjerim. Fabrikat kontribuojnë në 10% të punësimit të përgjithshëm. Pjesët e automobilave dhe veshjet janë të integruara më mirë në tregjet ndërkombëtare, duke zënë më shumë se një të katërtën e eksporteve.
Kërkesa për prodhime organike do të jetë e lartë, si mund të përfitojmë
Tregjet europiane u përballën këtë vit me një kërkesë të lartë për prodhime organike, sidomos agrume. Çmimet e agrumeve me përmbajtje të lartë të vitaminës C panë rritje të lartë si në tregjet vendase, edhe në ato europiane.
Kërkesa për fruta dhe perime të gjalla dhe të përpunuara ka shënuar gjithashtu rritje të fortë. Pandemia edhe për disa vite do të diktojë një sjellje strikte të kujdesit për shëndetin e për rrjedhojë, të ushqyerit e shëndetshëm. Kjo tendencë mund të përbëjë një shans për Shqipërinë, e cila mund të rrisë më tej përfitimet nga eksportet bujqësore.
Struktura e bujqësisë shqiptare me ferma të vogla dhe me një nivel të ulët industrializimi, me klimë mesdhetare, e bën atë të përshtatshme për të prodhuar fruta dhe perime organike, vlera e të cilave po rritet gjithnjë e më shumë.
Bujqësia është kontribuuesi më i madh në PBB me rreth 19% të saj, sipas të dhënave të INSTAT në vitin 2017, teksa kontribuon me rreth 36.4% të punësimit në vitin 2019. Duke qenë punëdhënësi më i madh, me prodhueshmërinë më të lartë, bujqësia dhe agrobiznesi mund të luajnë rol shumë më të madh në nxitjen e eksporteve në të ardhmen.
Aktualisht, prodhimet bujqësore zënë 15% të totalit të eksporteve shqiptare, një vlerë shumë e ulët po ta krahasojmë me madhësinë që ka sektori në ekonomi. Prodhimet shqiptare shiten të papërpunuara dhe me vlerë të ulët. Adi Haxhiymeri, nga Industria e Blojës, tha se, një projekt për kultivimin e grurit në vend dështoi për shkak të mungesës së mbështetjes me subvencione nga qeveria. Një hapësirë e re për biznese në bujqësi është sektori i agropërpunimit, i cili duke përpunuar prodhimet e fushës dhe duke i konservuar ato, do të mund të rrisë vlerën e eksporteve të bujqësisë, duke shfrytëzuar edhe kërkesën e re nga pandemia.
INSTAT, për herë të parë gjatë këtij viti, do të zhvillojë një anketë për prodhimet organike në vendin tonë. Na bazë të saj do të ndërtohen të dhëna për sasinë dhe llojet e prodhimeve organike. Kjo anketë do të ndihmojë në certifikimin e tyre dhe më pas, në eksportin e tyre me vlerë më të lartë se sa eksportohen aktualisht.
Pandemia, turizmi mund të përballet me kërkesë të re
“Edhe në pikëpamjen e turizmit, besoj se do të ketë një ridimensionim të industrisë në favor të Shqipërisë”, thotë eksperti Pano Soko. Sipas tij, europianët, për një kohë të konsiderueshme, do të orientohen në resurset turistike brenda kontinentit, ku kultura, rregullat, kulinaria të jenë të ngjashme, të njohura. Për ta thënë më thjesht do të shmangin maksimalisht vendet ku lakuriqi i natës shërbehet si ushqim, apo ku kultura sanitare është e ndryshme, tha ai. Në këtë pikë, me një politikë të zgjuar nxitëse dhe marketingu, shumë prej këtyre turistëve mund të devijojnë destinacionin drejt Shqipërisë.
Turizmi malor, veçmas mund të jetë para një perspektive më të mirë. Bujtinat në Theth dhe në Valbonë, tradicionalisht vizitohen nga turistë që vijnë nga Europa Qendrore me rrugë tokësore. Pandemia do të nxisë turizmin me udhëtime nga rrugë tokësore dhe atë malor, ndaj kjo kërkesë ka gjasa të jetë më e lartë për Alpet tona në kohën e pandemisë.
Në Raportin e Këshillit Botëror të Udhëtimeve dhe Turizmit 2019, thuhet se turizmi në Shqipëri kontribuon me 27.3% të PBB-së (direkt dhe indirekt), 56% e eksporteve të përgjithshme dhe 25% e punësimit të përgjithshëm. Vlera e shtuar e sektorit është e ulët, me turistë që kryesisht janë emigrantë shqiptarë dhe turistë me shpenzime të ulëta. Frika që ka nxitur pandemia për udhëtime ndërkontinentale mund të nxisë në periudhë afatmesme një kërkesë në rritje për turizëm në Shqipëri.
Një mundësi e artë për Teknologjinë e Informacionit
Nëse bota nuk do të prekej nga pandemia COVID-19, Europës do t’i duheshin vite e ndoshta dekada për të zhvendosur mësimet nga klasat në shtëpi online. Por emergjenca që krijoi COVID-19 nxiti shumë projekte të teknologjisë dhe informacionit të zhvillohen me shpejtësi, që në periudha të zakonshme as që mund të mendoheshin.
Sektori i TIK-ut po përgatitet të bëhet një pjesë më e madhe e PBB-së. Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko tha se, sfida e madhe në këto kohë pandemie është rishikimi i modelit të biznesit dhe rritja e fleksibilitetit operacional. Sejko tha se një nga mësimet e kësaj krize është se secili nga ne mund të bëjë më shumë për adoptimin e Teknologjisë së Informacionit, për zhvendosjen e një pjese të biznesit online, si dhe për rritjen e fleksibilitetit dhe të eficiencës operacionale. Vënia në praktikë e këtyre mësimeve është veçanërisht e dobishme në rast të zgjatjes në kohë të pandemisë.
Industria IT pritet të ketë bum kërkesash për shërbime në vitin 2021. Armand Shara, administrator i përgjithshëm i “Infosoft Systems”, thotë se, arsyeja e rritjes së kërkesës do të jetë për shkak të efektivitetit që dëshmoi përdorimi në masë të gjerë i teknologjisë në këtë periudhë pandemie. Por për zotin Shara, të “Infosoft Solutions”, rritja e kërkesave për shërbime të Teknologjisë të Informacionit do të jetë edhe për arsye të nisjes së zbatimit të procesit të fiskalizimit në shtator të këtij viti. Rritja e kërkesave do të sjellë zgjerimin e sektorit, por pritet të rrisë fitimet e kompanive.
Administratori i kompanisë “Infosoft Solutions” jep këto arsye për rritjen e lartë të kërkesave. “Pas pandemisë, shumë gjëra në botë pritet të ndryshojnë dhe do të përballemi me një tjetër realitet, dhe rrjedhimisht pritshmëritë për projekte të reja në sektorin tonë janë të shumta. Si shembull mund të sjell që nëse më parë, ne mundoheshim shumë për t’u rekomanduar klientëve për të punuar në largësi, për të përdorur shërbime dhe aplikime në ‘cloud’, shërbime dhe aplikime mobile, për të komunikuar në distancë, për të qenë të sigurt në sistemet e tyre të IT, krejt si papritur ata janë bërë një realitet i domosdoshëm.
Kjo do të thotë më shumë mundësi për projekte dhe biznes në të ardhmen e afërt për ne dhe komunitetin e bizneseve të IT. Parashikohet që në sektorin e teknologjisë së informacionit, do të ketë një rënie të volumit të shitjeve për këtë vit, por vitin e ardhshëm do të ketë një rritje të madhe të kërkesave, si dhe një ndryshim cilësor të tyre. Në këtë tendencë do të ndikojë dhe procesi i fiskalizimit që pritet të nisë në muajin shtator.
Pas zbatimit të këtij projekti, mënyra e të bërit punë dhe biznes do të ndryshojë tërësisht dhe nevoja për investime, si në sektorin publik dhe atë privat do të rritet me fokus shërbimet online, mobile, në cloud dhe shërbime të sigurta. Kjo do të krijojë një efekt ortek, sa më shumë përdoret teknologjia, aq më shumë rritet besimi në të, rrjedhimisht dhe kërkesa për shërbime të reja.”
Zgjerimi i kërkesave në sektor pas pandemisë nënvizohet edhe nga administratori i kompanisë “Ritech Solutions”, Aleksandër Risilia. “Pandemia i ka detyruar njerëzit të punojnë në distancë dhe rrjedhimisht të jenë shumë të varur nga teknologjia për komunikimin. Efekti për kompanitë IT do të jetë pozitiv në afatgjatë, për shkak të kësaj të fundit”, tha Risilia.
Gjithashtu Agjencia Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) u bën thirrje bizneseve të investojnë në teknologji. “Kam vetëm një këshillë; të investojnë në teknologji! Më mirë të kursehet në diçka tjetër, se sa në investimet në teknologji. Pandemia e tregoi se bizneset e përshtatura me teknologjinë, jo vetëm mbijetuan, por edhe po krijojnë avantazhe të reja. Kemi nevojë për investime në teknologji, një trend që qeveria shqiptare e ka nisur prej vitesh në sektorin publik. Sot është më se e domosdoshme të aplikohen format e reja të “smart-working”, tha drejtoresha e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) Linda Karçanaj.
Kohët e fundit ka pasur një rritje të konsiderueshme në aktivitetet e sipërmarrjes së përbashkët ndërmjet vendit tonë dhe kompanive të huaja, duke sinjalizuar një interes në rritje për sektorin e TIK. Kostot e lira të punës edhe në këtë sektor janë një avantazh për Shqipërinë. “Axhenda Dixhitale 2015-2020” dhe “Strategjia Kombëtare e Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit 2017-2022” e vendosin TIK-un në qendër të fokusit të qeverisë. Sfidat kryesore me të cilat përballet sektori përfshijnë infrastrukturë të dobët, veçanërisht mbulim i ulët dhe i dobët i rrjetit të fibrave optike në zona rurale dhe ndër-urbane, dhe një bazë e kufizuar aftësish teknike.
Nga Blerina Hoxha/monitor.al