Burim kryesor i kanabisit të paligjshëm, Shqipëria synon legalizimin për përdorim mjekësor

0

Një nga burimet më të mëdha të kanabisit të paligjshëm në Evropë prej pothuajse tre dekadash, Shqipëria tani po mendon të legalizojë drogën për përdorim mjekësor. Por ekspertët paralajmërojnë se nuk do të jetë e thjeshtë.

Nga Fatjona Mejdini, Balkan Insight*

Ishte nëntori i vitit 2014 kur Shqipëria mbajti debatin e parë publik për legalizimin e kanabisit për përdorim mjekësor, me shtysë nga biznesmeni Koco Kokedhima, atëherë deputet i Partisë Socialiste, i cili besonte se vendi do të kishte përfitime të mëdha.

Megjithatë, ish kolegët e tij të partisë vendosën që Shqipëria nuk ishte gati.

Pothuajse gjashtë vjet më vonë, më 9 maj, Kryeministri dhe kryetari i Partisë Socialiste të Shqipërisë, Edi Rama, njoftoi se qeveria e tij kishte punuar në heshtje gjatë vitit të kaluar për një projektligj që do t’i hapte rrugë pikërisht legalizimit të kanabisit mjekësor.

“Drafti do të jetë gati shumë shpejt dhe i hapur për diskutim publik”, tha Rama.

Por, pavarësisht se 22 vende të Evropës tashmë lejojnë përdorimin e kanabisit për qëllime mjekësore, ky njoftim i Shqipërisë ka ngritur disa pikëpyetje.

Mbështetësit e idesë thonë se vendi i Ballkanit, i goditur nga një tërmet shkatërrimtar në nëntor të vitit të kaluar dhe i destinuar për një rënie të madhe ekonomike për shkak të COVID-19, duhet të marrë pjesën e tij në tregun global të kanabisit mjekësor me vlerë prej më shumë se 16 miliardë dollarë që shënoi vitin e kaluar.

Sidoqoftë, të tjerë tregohen të kujdesshëm ndërsa theksojnë se për gati tre dekada Shqipëria ka qenë një nga prodhuesit më të mëdhenj të kanabisit të paligjshëm në Evropë. Projektligji i qeverisë pritet të përmbajë mekanizma për të ndihmuar në uljen e prodhimit të paligjshëm, por shumë kanë frikë se nisma rrezikon të dërgojë mesazh të gabuar dhe të inkurajojë më tej paligjshmërinë.

Manovër elektorale?

Pasi mori pushtetin në vitin 2013, Rama bëri deklarata të fuqishme kunder kultivimit ilegal te kanabisit. Policia vitin qe pasoj nisi një operacion masiv për të çrrënjosur prodhimin e kanabisit në fshatin famëkeq jugor të Lazaratit, ku qindra tonelata prodhoheshin çdo vit, dhe më vonë në zonën malore të Dukagjinit, që ishte një tjetër pikë e nxehtë e prodhimit të kanabisit.

Operacionet policore mbushën titujt e gazetave në të gjithë botën, por kultivimi i kanabisit diku tjetër në Shqipëri nuk u ndal. Në fakt, kritikët e kësaj nisme të qeverisë thanë se prodhimi ishte rritur. Prokuroria e Përgjithshme dhe opozita paralajmëruan për një bashkëpunim të fshehtë midis policisë, politikanëve dhe bandave të drogës.

Gjatë tre viteve të fundit, shifrat tregojnë se kultivimi i kanabisit të paligjshëm ka rënë, por kundërshtarët politikë të Ramës thonë se plani i tij për të legalizuar kanabisin mjekësor është i menduar mirë. Disa e konsiderojnë një manovër cinike për të fituar votat e shumë shqiptarëve të përfshirë në industrinë e paligjshme të kanabisit, të cilët mendojnë se do të mund të përfitojnë nga çdo hap i hedhur drejt legalizimit.

“Rama po përgatitet për ‘ri-kanabizimin’ e Shqipërisë për përfitime zgjedhore”, tha Monika Kryemadhi, kryetare e partisë opozitare, Lëvizja Socialiste për Integrim, LSI.

Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha ngriti një pretendim të ngjashëm, duke akuzuar Ramën se po përpiqet të manipulojë zgjedhjet e ardhshme më 2021.

Grupet e shoqërisë civile kanë shprehur gjithashtu skepticizëm. 

Sotiraq Hroni, drejtor i Institutit për Demokraci dhe Ndërmjetësim, IDM, e ka shikon nismën si një përpjekje për të fituar më shumë vota dhe për të larguar vëmendjen nga sfidat e vërteta me të cilat përballet vendi.

“Nismat si kjo duhet të merren pasi të jetë garantuar se institucionet janë në gjendje të zbatojnë plotësisht ligjin dhe të kontrollojnë siç duhet territorin dhe informalitetin në ekonomi dhe shoqëri”, tha Hroni për BIRN. “Raportet e pavarura tregojnë se ky nuk është rasti në Shqipëri”.

Lëvizje të tilla, shtoi ai, duhet të gëzojnë një konsensus të gjerë publik dhe politik dhe madje mund të meritojnë të vihen në një referendum.

Shpresa të mëdha, realitet i ndërlikuar

Përkrahësit e kësaj nisme thonë se kjo do të nxisë punësimin, eksportet dhe të ardhurat nga taksat dhe tërheqjen e investimeve të huaja.

Nëse kryhet si duhet, Shqipëria do të përfitojë në mënyrë të konsiderueshme, tha profesori i ekonomisë Adrian Civici.

“Nëse do ta trajtojmë këtë proces bazuar në praktikat më të mira ndërkombëtare dhe kontrollojmë rreptësisht kultivimin vetëm për qëllime mjekësore, kozmetike dhe ushqimore, atëherë mund të shpresojmë për përfitime të mëdha ekonomike”, Civici kishte thënë për gazetën ‘Fjala’ në maj.

Por, Tom Blickman, një ekspert për reformat në fushën e drograve në Institutin Transnacional me qendër në Amsterdam, tha se djalli fshihet në detaje.

“Detajet e propozimit shqiptar janë ende të paqarta, por përfshirja e ‘këshilltarëve të huaj’ [në hartimin e draftit] më bën të dyshoj se nga legjislacioni do të përfitojë korporatat e huaja të kanabisit… dhe jo kultivuesit e vegjël që janë të përfshirë në tregun e paligjshëm”, tha ai.

Blickman tha se kanabisi mjekësor për tregjet evropiane duhet të përputhet me standarde të larta rregullatore dhe se, me një numër në rritje të shteteve që përpiqen të futen në këtë treg, çmimet mund të bien dhe fitimet për shtetet të zvogëlohen.

Janaki Mitrovski, një avokat maqedonas dhe përfaqësues i shoqatës Bilka, i cili mbron idenë e legalizimit të kanabisit, tha se Shqipëria duhet të prioritizojë të sëmurët dhe ekonominë vendase.

Duke iu referuar përvojës së Maqedonisë së Veriut, Mitrovski tha se “njerëzit në Shqipëri duhet të mësojnë nga gabimet tona në mënyrë që të mos i përsërisin ato dhe të shfrytëzojnë plotësisht potencialin mjekësor dhe ekonomik të kësaj bime të mrekullueshme”.

“Katër vjet pas ‘legalizimit’ të kanabisit mjekësor, përpjekja ka dështuar për të përmbushur objektivin themelor — t’u sigurojë qytetarëve maqedonas kanabis të ligjshëm për qëllime mjekësore. Kjo pasi vetëm një nga 51 kompani ka produkte për tregun maqedonas. Të gjitha të tjerat janë të orientuara drejt eksportit”.

Blickman tha se Shqipëria duhet të mendojë të shkojë më larg se kanabisi mjekësor dhe të furnizoj vende si Hollanda ose Luksemburgu, i cili ka njoftuar planet për legalizimin dhe rregullimin e kanabisit për qëllime rekreative (argëtuese).

“Shumë familje në Shqipëri mbahen nga të ardhurat nga kanabisi”, tha ai.

“Vështirë se një industria në zhvillim e sipër e kanabisit mjekësor mund të jetë në gjendje t’i punësojë ata, kështu që ata do të vazhdojnë të prodhojnë për tregun e paligjshëm në mungesë të alternativave të licencuara. Të vetmet që përfitojnë nga kjo situatë janë grupet shqiptare të krimit të organizuar, dhe industria e ligjshme e kanabisit mjekësor në Shqipëri nuk do ta ndryshojë këtë”.

*Shkrimi origjinal: https://balkaninsight.com/2020/05/25/big-source-of-illicit-cannabis-albania-mulls-legalising-medical-use/

Artikulli i mëparshëmPërdhunoi 100 turiste, “Dragoi i Kavos” i dënuar me 52 vite burg bie nga shkëmbi dhe mbijeton
Artikulli i radhësTronditet futbolli, ish-futbollisti i Romës vdes nga ataku kardiak