Pas më shumë se tre orë aksion policia greke ka mundur të kapë “Përbindëshin e Kavos”… por në pamundësi për t’i vënë prangat, e morën me barelë.
Duket si një histori e shkëputur nga ndonjë film horror, por për fat të keq është një histori e vërtetë, viktima të së cilës janë bërë më shumë se 100 femra, mes tyre dhe një shqiptare.
Dimitris Aspiotis, një 47-vjeçar nga Korfuzi, ishte në kërkim pasi dy javë më parë kishte rrëmbyer dhe përdhunuar për ditë më radhë një 34-vjeçare shqiptare.
Denoncimi u bë në polici nga partneri i saj shqiptar, i cili pohoi se një natë para se ajo të zhdukej, kishin qenë të tre së bashku në banesën e tyre.
Por ndërsa policia ishte vënë në ndjekje, në tentativë për t’i shpëtuar, ai ra nga një shkëmb në Lefkimmi, me një lartësi prej 30 metrash, duke marrë lëndime të shumta, por mbijetoi.
Por kush është Dimitris Aspiotis, i njohur me nofkën “Dragoi i Kavos”?!
Ai është autor i më shumë se 100 përdhunimeve, kryesisht femrave turiste që vinin në ishull. Ai është dënuar në vitin 2011 me 52 vite burg, por pas 7 vitesh është liruar falë një ndryshimi në legjislacion dhe me pretendimin nga autoritetet përkatëse se sjellja e tij kishte qenë shumë e mirë si dhe varësia që kishte pasur nga lëndët narkotike, tashmë kishte marrë fund. Kushti i vetëm që i ishte vënë, ishte të mos largohej nga Korfuzi.
Mbi supet e tij rëndojnë më shumë se 100 akuza për të njëjtën vepër penale, rrëmbim dhe përdhunim. Mes viktimave janë disa turiste britanike të cilat kanë pranuar që të flasin publikisht për përjetimin e tmerrshëm, pas lajmit se ai ishte liruar nga burgu.
Një nga vajzat që ka rënë pre e tij vite më parë, është britanikja 32-vjeçare Kayleigh Morgan, e cila gjatë një intervistë për mediat britanike, pak ditë pasi ai kishte fituar lirinë, u shpreh e tronditur.
“Nuk e kuptoj sesi mund të lirohet nga burgu një person i tillë. Nuk mundem kurrë të besoj se ai ka ndryshuar. Jam e tmerruar kur kujtoj ç’më ka bërë dhe se po të njëjtën gjë mund t’ua bëj edhe femrave të tjera.
Aspiotis, një i pastrehë dhe i varur nga lëndët narkotike, i rrëmbente femrat nën kërcënimin e thikës, i çonte në një kasolle në një pyll pranë qytetit dhe për disa ditë rresht i përdhunonte. Më pas i linte të lira.
Një tjetër viktimë britanike, e cila punonte në një agjenci udhëtimesh, rrëfeu se para se të përdhunohej prej tij në 2010, pak ditë më parë ishte përdhunuar një tjetër turiste që ajo e njihte.
“Isha duke shëtitur pranë plazhit kur më rrëmbeu, më kapi prej flokësh dhe më tërhoqi zvarrë drejt një pylli, ndërsa më kërcënonte me një thikë, vënë në fyt… sapo i pashë tatuazhin, e dija çfarë më priste. Mikesha ime që ishte përdhunuar pak ditë më parë ma kishte përshkuar. Ai kishte një tatuazh që shkruante ‘F*** the police’”.
Ajo tregon se pasi e kishte përdhunuar për disa ditë, në fund i kishte dhënë 10 euro duke e këshilluar që të shkonte në një spital nëse i duhej ndihmë.
Mediat greke raportojnë se tashmë 47-vjeçari ndodhet në spital dhe pas përmirësimit të tij, do të përfundojë sërish në burg.
E reja shqiptare, në polici ka rrëfyer se edhe në rastin e saj, autori kishte përdorur po të njëjtën mënyrë… duke e rrëmbyer nën kërcënimin e një thike dhe duke e dërguar në një kasolle në pyll.