Mesazhi që publikoi Presidenti mbrëmë në Opinion, e delegjitimoi akoma më shumë procedurën e kompletimit të Gjykatës Kushtetuese dhe gjithë institucionet e Drejtësisë, vecanërisht Këshillin e Emërimeve në Drejtësi (KED).
Në hyrje të mesazhit, Drejtori i Kabinetit të Presidentit, Arben Cici, informohet nga një diplomat se disa ambasadorë janë mbledhur dhe kanë folur me Edi Ramën. Është momenti kulmor i përplasjes President – Parlament për vakancën e Gjykatës Kushtetuese. Parlamenti Votoi për Elsa Tosken dhe Fiona Papajorgjin, ne 11 nëntor 2019 duke konsumuar 2 nga 3 vakancat. Nuk u mjaftua me kaq, por, duke e konsideruar të përfunduar afatin e presidentit për vakancën, njohu Arta Vorpsin si anëtare, më argumentin e mekanizmit zhbllokues, që parashikon se, nëse Presidenti nuk e zgjedh brenda 30 ditëve, i pari në listën e KED emërohet automatikisht.
Ilir Meta nga ana tjetër, menjëherë pas zgjedhjes së anëtarëve nga Parlamenti, zgjodhi me dekret Marsida Xhaferllarin, duke e injoruar vendimin për Arta Vorpsin, me argumentin se afati i Presidentit fillonte pasi parlamenti zgjidhte vakancën sipas radhës. Kjo përplasje i detyroi ambasadorët të mblidheshin të nesërmen në 12 nëntor dhe të negocionin.
Sipas kësaj negociate, Edi Rama dhe ambasadorët kanë vendosur të njihet zgjedhja e Arta Vorpsit në Kushtetuese. Ambasadori e njofton Cicin për këtë dhe ofron në emër të kolegëve, por edhe të Kryeministrit një pakt; Meta të pranojë Vorpsin këtë herë dhe në vakancën tjetër, do të ketë emrin e Xhaferllarit për ta bërë anëtare.
Po si do të ndodhte kjo?
Ligji “PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E GJYKATËS KUSHTETUESE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË”, e parashikon qartë procedurën e plotësimit të vakancave, edhe për Presidentin. Në nenin 7/b thuhet qartë se Preidenti hap një thirrje të re për cdo vakancë. Bëhen aplikime të reja, lista me aplikantët i kalon KED që bën renditjen dhe ia paraqet Presidentit, i cili zgjedh 1 nga 3 të parët në reditje. E zëmë se Presidenti do ta pranonte, Xhaferllari do të aplikonte përsëri, bashkë me të mund të aplikonin edhe dhjetëra të tjerë. Kush garantonte se nga dhjetëra kandidatët, ajo e Presidentit do të ishte në 3 të parat edhe nëse nuk do ta meritonte?
Renditja në listë bëhet vetëm nga KED, kush do ndikonte tek KED, Edi Rama apo ambasadorët?
A është kjo e ligjshme? Sigurisht që kemi të bëjmë me një skandal, jo vetëm se përzgjedhja e emrave, që u shit si totalisht jashtë ndikimit të politikës, në fakt është nën kontrollin e plotë të saj, vecanërisht të Ramës, por se paligjshmëria e procesit, ofrohet si zgjidhje. Shkelja e të gjitha parimeve të reformës, ofrohet për kompromis.
Për këtë arsye, ky mesazh diskretiton KED, si institucion i varur nga Edi Rama dhe ngre pyetje të tjera? Si u bë renditja e parë?
Kush ndikoi që KED të ngatërronte radhën e vakancave me qëllimin që Presidenti të vihet përpara faktit të kryer? Me siguri që shefi i vërtetë, Edi Rama, ai që do t’i garantonte Ilir Metës renditjen në 3 të parët, të Marsida Xhaferllarit.