150 mijë euro investim për ta lënë të lirë, ja kur largohet Shkurtaj nga Kukësi

0

Vasil Shkurtaj do të largohet nga Kukë si, pasi nuk ka pranuar të rinovojë kontratën. Lajmin e konfirmoi dje vetë drejtori sportiv i klubit verilindor, Nderim Nexhipi. Bomberit të kampionatit shqiptar i skadon marrëveshja me Kukësin pas përfundimit të këtij sezoni dhe gjatë ditëve të fundit ka pasur bisedime intensive me drejtuesit e klubit për të rinovuar. “Panorama Sport” ka mësuar se Shkurtajt i është ofruar një kontratë e re 2-vjeçare me një rritje të vogël page, por ai nuk ka pranuar.

Në lidhje me këtë, vetë Nexhipi sqaroi se autori i 16 golave këtë kampionat nuk kishte dëshirë të vazhdonte. “Shkurtajt i skadon kontrata në fund të sezonit dhe kemi pasur bisedime këto ditë për ta rinovuar atë. Por, dëshira e lojtarit është të largohet dhe nuk do ta rinovojmë kontratën. Sa u përket lojtarëve të tjerë, i kemi nën kontroll dhe mund të përfitojmë një shumë të madhe nga ata, siç ishte rasti i Sindrit Gurit që e transferua në Belgjikë”, deklaroi Nexhipi për situatën e kontratave në ekip.

DETAJET

Sulmuesi do të luajë pjesën e mbetur të sezonit me verilindorët, e më pas do të ikë me parametër zero. Ai u afrua nga Kukësi në janar të vitit 2019, teksa u ble bashkë me Eduard Rrocën nga Luftëtari. Kukësi derdhi në arkën e gjirokastritëve rreth 70 mijë euro në total për të dy lojtarët. Me një llogari të thjeshtë, duke pasur parasysh edhe pagën prej 8 milionë lekësh në muaj të sulmuesit, klubi verilindor ka shpenzuar vetëm për Shkurtajn rreth 150 mijë euro. Tashmë ka humbur mundësinë të përfitojë diçka nga shitja e mundshme e tij në një klub të huaj. Ofertat për sulmuesin kanë qenë konkrete, por Kukësi nuk ka mundur ta shesë në janar, pasi nuk i ka pëlqyer shifra që jepnin klubet e interesuara.

Me shtyrjen e kampionatit, Shkurtaj do të luajë deri në fillim të gushtit me fanellën e verilindorëve, gjithnjë nëse Kukësi i shkon deri në fund Kupës (finalja është programuar për më 2 gusht). Nuk përjashtohet mundësia e një transferimi në një ekip tjetër shqiptar të bomberit, teksa Partizani e Tirana mund të përfitojnë në këtë moment. Gjithsesi, dëshira e Shkurtajt është që të luajë jashtë Shqipërisë. Gazeta pyeti lojtarin edhe pak ditë më parë për të ardhmen, por ai nuk dha detaje, duke theksuar se dëshiron që të mbyllë sezonin si kampion me Kukësin. Shkurtaj luajti për herë të parë në Superiore me fanellën e Luftëtarit nga janari i 2018-ës deri në janarin e 2019-ës./panorama sport

Artikulli i mëparshëmKlosi: Plazhet hapet në 1 qershor, pandemia nuk do të shtrenjtojë ofertën turistike
Artikulli i radhës“Mund të marr kosto për këtë që po them”, Duka kundër Bashës: S’jemi në një linjë me të, nuk ka vullnet të ndryshojë sistemin. I shkel syrin Ramës