Ish-sulmuesi legjendar i Milanit Andrij Shevçenko rendit triumfin në finalen e Ligës së Kampioneve kundër Juventusit në vitin 2003 si “kujtimin më të bukur të jetës së tij”.
Në një intervistë për “DAZN”, “Cari kuqezi” flet gjithashtu dhe për periudhën 7-vjeçare të qëndrimit të tij në “San Siro”, ku u dallua si njëri prej sulmuesve dhe lojtarëve më të mirë në botë.
“Finalja e Ligës së Kampioneve në 2003- Nuk do t’i harroj kurrë ato 12-15 sekonda që shkova drejt topit për të gjuajtur penalltinë e fundit. Në ato momente të kujtohet e gjithë jeta jote, nga momenti kur ëndërron si fëmijë deri në momentin kur kupton se ëndrra është bërë realitet në çastin e duhur. Në kokën tënde mendon për gjithça që duhet të realizosh. Pashë arbitrin, topin dhe Bufonin. Dëgjova vërshëllimën e gjyqtarit dhe godita topin ashtu si dëshirova.
Numri 7 në fanelën e Milanit dhe Ançeloti – Ishte një moment i veçantë. Ibrahim Ba që më tha nëse dëshiroja të merrja numrin 7. Dy ditë më vonë mbaj mend që një miku im i fëmijërisë më telefonoi dhe më tha se numri 7 në gjuhën hebraike quhet ‘Sheva’. Nuk mund ta besoja. Më tha se ky numër mund të sillte fat. Mbi të gjitha, ishte marrëdhënia e veçantë me Karlo Ançelotin. Ai është një trajner dhe mik. Karlo është një njeri i jashtëzakonshëm. Të kesh atë si trajner është fat. Ai dinte si të menaxhonte marrëdhëniet me lojtarët. Karlo i bazonte raportet në besim dhe harmoni. Ai nuk fliste shumë, por gjithmonë kishte të drejtë.
Karriera – Historia ime në futboll nisi që në momentin kur u stërvita nga Valeri Lobanovski. Ai më ka mësuar shumë gjëra. Gjatë dimrit, ne bënim 3 seanca stërvitore në ditë. Ngriheshim në mëngjes në orën 06:30. Kaladze mundohej shumë. Metoda e punës së Lobanovskit solli rezultate të mëdha deri te momenti kur fitova ‘Topin e Artë’ në vitin 2004.
Berluskoni? Është një president i madh, një njeri që ka bërë 25 vite histori te Milani. Nuk e di nëse do të përsëritet e njëjta histori sërish”, deklaroi ish-sulmuesi legjendar ukrainas Andrij Shevçenko.