Tirana, më e pasura e Shqipërisë, Kukësi më i varfri/ Shifrat sipas rajoneve

0

Ata që banojnë në Tiranë kishin të ardhura për frymë më të lartat në vitin 2018, ndërsa Kukësi vijon të jetë rajoni më i varfër i Shqipërisë, sipas të dhënave të INSTAT për Prodhimin e Brendshëm Bruto rajonal, 2018. Për frymë, të ardhurat janë sa 31.1% e mesatares së Bashkimit Europian, që sipas Eurostat, është ndër më të ulëtat në Europë.

I gjithë veriu vijon të jetë më i varfëri në vend, ndërsa Qendra më e pasura.

Sipas INSTAT, në vitin 2018, niveli i PBB-së për frymë në rajonin statistikor nivel 1 (Republika e Shqipërisë), arriti në 571 mijë Lekë. Krahasuar me vitin 2017, PBB për frymë në terma nominale u rrit me 5,75%.

Në vitin 2018, sipas rajoneve statistikore në nivel 2, në rajonin statistikor Veri, PBB për frymë është 462 mijë lekë, duke shënuar një rritje nominale me 4,7%, krahasuar me vitin 2017. PBB për frymë e këtij rajoni është 19,1% nën mesataren e vendit.

Në rajonin statistikor Qendër, PBB për frymë është 692 mijë Lekë dhe pati një rritje me 5,6%, krahasuar me vitin 2017. PBB për frymë e këtij rajoni rezultoi 21,2% mbi mesataren e vendit.

Në rajonin statistikor Jug, PBB për frymë është 511 mijë Lekë, duke shënuar një rritje me 6,3%, krahasuar me vitin 2017. PBB për frymë e këtij rajoni është 10,4% nën mesataren e vendit.

Niveli më i lartë i PBB-së për frymë sipas rajoneve statistikore në nivel 3 (Qark), në vitin 2018, ishte në Qarkun e Tiranës, me 783 mijë lekë dhe shënoi një rritje në terma nominale prej 5,1% krahasuar me vitin 2017. PBB për frymë e këtij qarku ishte 37,3% mbi mesataren e vendit. Më pas renditet Qarku i Fierit, me 599 mijë lekë, duke shënuar një rritje në terma nominale prej 8,4% ndaj vitit 2017. PBB për frymë e këtij qarku ishte 5,0% mbi mesataren e vendit.

Niveli më i ulët i PBB-së për frymë sipas rajoneve statistikore në nivel 3 (Qark) në vitin 2018, u vlerësua në Qarkun Kukës me rreth 362 mijë Lekë duke shënuar një rritje në terma nominale me 7,3%, krahasuar me vitin 2017. PBB për frymë e këtij qarku ishte 36,6% nën mesataren e vendit. Më tej, me PBB-në për frymë më të ulët vijon Qarku Elbasan me rreth 398 mijë Lekë duke shënuar një rritje me në terma nominale 5,9% ndaj vitit 2017. PBB për frymë e këtij qarku ishte 30,3% nën mesataren e vendit.

Standardi i Fuqisë Blerëse

PBB e Republikës së Shqipërisë e shprehur në Standardin e Fuqisë Blerëse (Purchasing Power Standard – PPS) në vitin 2018 është 27.581 PPS.

PBB për frymë në PPS për vitin 2018 për Republikën e Shqipërisë është 31,1% e mesatares së Bashkimit Evropian BE28 = 100. Sipas të dhënave të tjera të Eurostat, në këto nivele Shqipëria renditet ndër më të varfrat në Europë, së bashku me Bosnjën e Kosovën.

Sipas rajoneve statistikore në nivel 2, në rajonin Qendër, PBB për frymë në PPS për vitin 2018 ishte 37,7%, në rajonin Veri 25,1% dhe në rajonin Jug 27,8%. /Monitor/

Artikulli i mëparshëmAplikimi për pasaportë dhe kartë identiteti në e-Albania/ Hapat që duhet të ndiqni
Artikulli i radhësÇmimet e naftës bien pas deklaratave të Rusisë për tu rikthyer në nivelet e prodhimit të para marrëveshjes OPEC +. Bursa për datën 27 Maj 2020