Presidenti Donald Trump i quajti të enjten vdekjet më të larta në botë nga koronavirusi në Shtetet e Bashkuara “një moment historik shumë të trishtuar”.
Në fillim të vitit, Trump shpesh e minimizonte kërcënimin e koronavirusit, duke thënë se numri i rasteve në SHBA do të zvogëlohej shumë shpejt. Por ai e pranoi numrin e vdekjeve – një shifër më e lartë nga numri i vdekjeve amerikane në luftërat e Vietnamit dhe Koresë të marra së bashku – në një koment në Twitter.
“Për gjithë familjet dhe miqtë e atyre që janë ndarë nga jeta,” tha ai, “dua të shpreh simpatinë dhe dashurinë time nga zemra për të gjitha vlerat që mishëronin dhe përfaqësonin këta njerëz të mëdhenj. Zoti qoftë me ju!”
Të mërkurën, ish-nënpresidenti Joe Biden tha në një mesazh të postuar në Twitter “Ka momente në historinë tonë kaq të zymta, kaq të dhimbshme, saqë ato janë fiksuar përgjithmonë në secilën prej zemrave tona si ngushëllim i përbashkët. Sot është një nga ato raste”. Biden, kundërshtari i presidentit Trumpit në zgjedhjet e nëntorit, i dha fund mesazhit duke thënë “Për ata që vajtojnë, më vjen shumë keq për humbjet tuaj. Kombi trishtohet me ju”.?
Me SHBA që kaloi 100,000 vdekje në më pak se katër muaj, një grup senatorësh nga të dyja partitë ripërsëritën thirrjen e tyre për një moment heshtjeje që do të mbahej të hënën për të nderuar të vdekurit.
“Kombi duhet ta kujtojë këtë moment të errët me unitet dhe qartësi,” tha senatori Brian Schatz, një demokrat nga Hauai. “Në këtë kohë dhimbje gati të paimagjinueshme, është thelbësore që të ndalemi për të nderuar çdo jetë të humbur dhe që të ngushëllohemi së bashku”.
“Pandemia” COVID-19 “ka shkatërruar vendin tonë,” tha senatorja republikane Lisa Murkowski nga Alaska. “Shumë familje kanë parë të dashurit e tyre të vuajnë. Për shkak të masave të rrepta të izolimit, shumë prej atyre që kanë humbur dikë nga sëmundja nuk kanë mundur të japin lamtumirën e tyre të fundit në spitale. Shumë gjithashtu nuk kanë qenë në gjendje të kenë ceremoni të duhura për të nderuar njerëzit që kanë humbur. “
Një propozim tjetër në Dhomën e Përfaqësuesve kërkon një moment të përditshëm heshtjeje sa herë që dhoma të fillojë një seancë, si dhe një ditë kombëtare zie pasi të përfundojë pandemia dhe krijimi i një memoriali kombëtar për viktimat.
Shtetet e Bashkuara kanë parë njëfarë përmirësimi në numrin e përditshëm të vdekjeve, por ky përparim bëri një hap të mprehtë prapa të mërkurën me 1.400 vdekje të reja të raportuara.
Sipas statistikave të Universitetit Johns Hopkins, në të gjithë botën, më shumë se 356,000 njerëz kanë vdekur nga COVID-19. Ka rreth 5.7 milion raste të konfirmuara, me gati 30% në Shtetet e Bashkuara.
Koreja e Jugut raportoi 79 raste të reja të enjten ndërsa vazhdon të punojë për të parandaluar një ringjallje të përhapjes së virusit. Me shumicën e rasteve të reja të vendosura në zonën e Seulit, Ministri i Shëndetësisë Park Neung-hoo u bëri thirrje njerëzve të shmangin tubimet e panevojshme dhe kompanive të mbajnë punëtorët e sëmurë në shtëpi.
Ka shqetësime edhe në shumë vende të Amerikës Latine, ku Programi Botëror i Ushqimit thotë se pandemia mund të lerë 14 milion njerëz të uritur.
“Ne po hyjmë në një fazë shumë të ndërlikuar,” tha Miguel Barreto, drejtori rajonal i WFP për Amerikën Latine dhe Karaibet. “Ne po e quajmë këtë një epidemi urie.”
Brazili ka patur goditjen më të fortë në rajon, me 411,000 rastet e saj, duke u radhitur vetëm pas Shteteve të Bashkuara. Peruja ka parë gjithashtu një rritje të mprehtë të rasteve, përfshirë raportimin e të mërkurës me një rritje rekord ditore prej 6.154 rastesh të reja.
India raportoi një kërcim të ngjashëm të enjten me 6.566 raste të reja, një rekord për vendin që tani renditet e 10 në botë për nga numri i rasteve të konfirmuara.