Dy ditë pasi SHBA regjistroi rastin e parë të koronavirusit, Donald Trump tha se situata ishte “plotësisht nën kontroll” dhe siguroi publikun se “do të shkonte mirë”. Shpejt kaluan katër muaj dhe virusi është përhapur në të 50 shtetet, duke lënë një numër vdekjesh prej 100,000 nga më shumë se 1.6 milion raste të konfirmuara. Kemi hedhur një vështrim se si këto shifra krahasohen me vendet e tjera të botës dhe se si situata mund të zhvillohet gjatë disa muajve të ardhshëm.
Numri i të vdekurve në SHBA u bë më i larti në botë në fillim të prillit dhe është rritur në mënyrë dramatike që nga ajo kohë. Presidenti Donald Trump fillimisht tha se “50 deri në 60,000” njerëz mund të vdisnin gjatë shpërthimit, por në maj ai tha se ishte me shpresë se numri i tyre do të ishte më i ulët se 100,000. Kjo pikë referimi tani është arritur, megjithëse ka ende rreth 1.000 vdekje në ditë mesatarisht. Në vend që të përqendrohet te vdekjet, zoti Trump ka preferuar të citojë shkallën e vdekshmërisë – ky është numri i njerëzve që kanë vdekur në lidhje me popullsinë e vendit – si dëshmi që SH.B.A.-ja ka trajtuar virusin në mënyrë më efektive se disa vende të tjera.
Belgjika, me një popullsi prej 11.5 milion, ka parë 82 njerëz në çdo 100,000 të vdesin gjatë shpërthimit të koronavirusit ndërsa SHBA, me një popullsi prej rreth 330 milion, ka parë gati 30 njerëz në çdo 100,000 të vdekur.
Por nëse shikoni Nju Jorkun – shteti i goditur më keq në SH.B.A. – shkalla e vdekshmërisë është afër 150 njerëz në çdo 100,000, gjë që tregon se ka shumë ndryshime në të gjithë SHBA.
Një nga problemet me krahasimin e vendeve është se shumë prej tyre raportojnë vdekjet në mënyra të ndryshme. Për shembull, Belgjika përfshin edhe vdekjet kur koronavirusi dyshohej të ishte i pranishëm. Disa shtete amerikane i regjistrojnë vdekjet në këtë mënyrë, por jo të gjitha.
Ka pasur gjithashtu pikëpyetje nëse të dhënat zyrtare nga disa vende mund të besohen. Kritikët e Kinës në veçanti e kanë akuzuar atë për nën-raportim të shkallës së shpërthimit të saj.
Një çështje tjetër është që vendet mund të jenë në faza të ndryshme të një shpërthimi. Në shumë vende evropiane është e qartë se numrat e rasteve ditore po bien ndjeshëm dhe ato po kalojnë kulmin. Por nuk mund të thuash të njëjtën gjë për SHBA për momentin.