Një situatë aspak e këndshme është regjistruar në Maqedoninë e Veriut.
Teksa kampionati ishte planifikuar të rifillonte mes datave 14 dhe 21 qershor, zhvillimet e ditës së sotme e kanë vënë ndjeshëm në rrezik fillimin e tij.
LEXO EDHE:Një pandemi shumë më e frikshme se koronavirusi na pret, ja paralajmërimi i doktorit amerikan
Plot 6 futbollistë nga 2 skuadrat shqiptare që marrin pjesë në elitën e futbollit maqedonas kanë rezultuar pozitivë me Koronavirus.
Bëhet fjalë për Shkëndijën e Tetovës dhe klubin e Renovës.
Mësohet se 2 anëtarë janë nga klubi kuqezinj dhe 4 nga ai i Renovës.
Lajmi është konfirmuar nga Sindikata e Futbollistëve në Maqedoni dhe klubi i Shkëndijës, nëpërmjet postimeve në faqen zyrtare.
“Për këtë shkak, seancat stërvitore të këtyre klubeve janë anuluar. Lojtarët do të vendosen menjëherë në vetizolim dhe karantinë shtëpiake”, shkruan Sindikata e Futbollistëve të Maqedonisë.
Ndërkohë që në reagimin zyrtar të Shkëndijës shkruhej: “Për fat të keq, gjatë ditës së sotme, nga Sindikata e futbollistëve, na kanë njoftuar se dy anëtarë të klubit tonë kanë rezultuar pozitivë me COVID-19. Në interes të besueshmërisë së rezultateve, klubi menjëherë ka nisur procedurat për të kryer testimet e dyta të dy anëtarëve që rezultojnë pozitivë.
Duke respektuar instruksionet e organeve kompetente, dy anëtarët me COVID-19 janë izoluar sipas rekomandimeve, ndërsa klubi hapat e radhës do t’i marrë në koordinim me Federatën e Futbollit të Maqedonisë dhe Institutin për Shëndetin Publik”.