Ora shënonte 22:30 e mbrëmjes të së shtunës kur 4 persona të veshur me uniformë policie, të maskuar dhe të armatosur rëndë zbarkuan përpara hotel A&A në Laç, ku në pak sekonda ekzekutuan biznesmenin e njohur Paulin Gjergji Marku dhe Bujar Hasani Likën.
Pjesëtarë të grupit të hetimit thanë se fillimisht ata u vunë armët në kokë dy fëmijëve të biznesmenit të njohur, të cilët ndodheshin pranë makinës së tyre, në parkingun e hotelit, raporton BW. Teksa njëri prej tyre ruante djemtë e Paulin Markut, të cilëve u kishin marrë edhe celularët, të tjerët u nisën drejt hyrjes kryesore të hotelit.
Në hollin e tij ndodhej Marku dhe Lika. Ky i fundit i pa atentatorët dhe qëlloi në drejtim të tyre. Në këtë moment, ekzekutorët, që nga jashtë hotelit derdhën dhjetëra plumba blindshpuese mbi 2 biznesmenët.
Në vend mbeti i vrar Lika, ndërsa Gjergji u plagos rëndë. Ai humbi jetën më vonë në spitalin e Traumës, pasi nuk mundi t’u mbijetojë plagëve.
E gjithë skena e krimit është filmuar nga kamerat e hotelit në pronësi të Ari Allamanit, i cili mbahet në burg për llogari të Italisë. Ndërsa policia rrethoi zonën dhe nisi hetimet për atentatin që tronditi Laçin, në spitalin rajonal, mbërrin Kreshnik Tusha, për të cilin hetuesit dyshojnë se është një nga katër ekzekutorët.
I sapoliruar nga burgu, Tusha ka mohuar të ketë lidhje me krimin, porse është plagosur në shtëpi. Alibia e tij është duke u verifikuar nga grupi i hetimit, i cili ende nuk ka përcaktuar se kush ishte shënjestra e atentatit. Burimet thanë se janë duke hetuar rreth aktivitetit të biznesmenit Paulin Gjergji Marku, i cili njihej më së shumti si pronari i ish-bar Nikolinos në Tiranë, që u shkatërrua vite më parë.
Ai zotëron disa kompania si “Antoni New-York”, “Intertronic” apo “Petro Gaz Albania-n”. Hetuesit konfirmuan faktin se janë duke hetuar edhe lidhjet e tij të biznesit me Maltën, si dhe disa konflikte për një pronë në një nga zonat e njohura në Tiranë. Viktima tjetër, Bujar Hasani (Lika) është një kontingjent i njohur për policinë, pasi më herët ka qenë i përfshirë në ngjarjen ne Linzë, ku mbeti i vrarë Enton Nikaj. Ai kishte në pronësi lokalin “Dea Cafe” në ish-Bllok. E kaluara e tij dhe përplasjet me grupet kriminale, janë gjithashtu një pistë që po hetohen me qëllim zbardhjen e atentatit të mirë organizuar.