Hiqen tarifat bankare për transfertat elektronike në vlerën deri në 20.000 lekë

0

Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë miratoi në mbledhjen e fundit, rregulloret “Për funksionimin e sistemit të klerimit të pagesave me vlerë të vogël – AECH” dhe “Për funksionimin e sistemit të pagesave ndërbankare me vlerë të madhe – AIPS”.

Rregulloret parashikojnë heqjen e tarifave për bankat për urdhër transfertat e klientëve në lekë të iniciuara në rrugë elektronike e që transmetohen në sistemet e pagesave AIPS dhe AECH me vlerë deri në 20.000 lekë. Për këto lloj urdhërpagesash nuk duhet të aplikohen komisione bankare, dhe për vlera mbi 20.000 lekë, komisionet bankare nuk duhet të jenë më të mëdha se 50% e komisioneve të aplikuara për pagesat e iniciuara në formë jo elektronike.

Ky ndryshim vjen si rezultat i një sërë analizash dhe studimesh, aktesh ligjore e strategjisë së hartuar nga Banka e Shqipërisë dhe të diskutuara e miratuara së bashku me sistemin bankar nëpërmjet Komitetit Kombëtar të Sistemit të Pagesave. Ai synon mbështetjen e klientëve të bankave dhe minimizimin e kostove për ta, në linjë me objektivat e Bankës së Shqipërisë për reduktimin e parasë fizike në ekonomi.

Këto rregullore janë një version i përmirësuar i rregulloreve ekzistuese për funksionimin e sistemit të shlyerjes së pagesave ndërbankare me vlerë të madhe dhe sistemit të klerimit të pagesave me vlerë të vogël, si rezultat i çështjeve të hasura në eksperiencën e Bankës së Shqipërisë gjatë operimit të këtyre sistemeve, plotësimeve më të fundit në kuadrin ligjor dhe rregullator të lidhur me aktivitete në fushën e pagesave, përputhshmërisë me parimet mbikëqyrëse, strategjisë kombëtare për pagesat me vlerë të vogël, si dhe nevojave për përshtatje e zhvillime të reja të pritura në tregun e pagesave.

Artikulli i mëparshëmSerie A/ Aprovohen 22 mln euro për të shpëtuar futbollin italian
Artikulli i radhësShenjat e horoskopit/ Zbuloni çfarë e lumturon secilën prej tyre