Presidenti amerikan Donald Trump nxitoi të dilte në një konferencë për shtyp ditën e sotme, pas një lajmi që bëri shumë bujë në SHBA.
Papunësia në vend ishte ulur nga 14.7 përqind në 13.3 përqind. Plot 2.5 milionë vende të reja pune u shtuan në SHBA gjatë muajit maj, që duhej të ishte muaji ku ekonomia do merrte një goditje të fortë për shkak të krizës së koronavirusit.
Presidenti, që krenohet me arritjet ekonomike gjatë presidencës së tij në SHBA, tha se ekonomia po ristarton edhe më mirë se një raketë.
Ai parashikoi se muajt në vazhdim do jenë akoma më spektakolarë sa i përket rritjes ekonomike.
Por kjo ishte një fitore e Donald Trump edhe ndaj ekspertëve, sidomos ndaj medias, që kishte parashikuar një trend të zi. Gazeta ‘Washington Post’ shkruante të premten se ekonomia do arrijë një rekord të zi, kur papunësia në vend do kërcejë afër 20 përqind.
Por teksa papunësia jo vetëm që nuk u ngrit, por u ul, presidenti Donald Trump tregoi edhe njëherë se shpesh po bëhet ‘shënjestër’ e sulmeve jorealiste.
Në një tjetër zhvillim, revista më e njohur dhe më prestigjioze në botën mjekësore, Lancet, tërhoqi për herë të parë në historinë e saj një studim për ilaçin hidroksiklorikinë. Në studim thuhet se ilaçi i promovuar nga presidenti Donald Trump shton rrezikun e vdekjes nga koronavirusi.
Gazeta britanike Daily Mail shkruan se studimi u prit me kritika dhe u tërhoq nga revista, e cila tanimë ka vënë në diskutim edhe reputacionin e saj.
Por Daily Mail shkruan se shkencëtarët i kanë ulur kaq shumë standardet, për shkak të urrejtjes që kanë ndaj presidentit Donald Trump.