Ndërsa pritet arritja e një marrëveshje për Reformën Zgjedhore mes palëve politike, e negociuar me ambasadorët e SHBA-ve, Yuri Kim, atë të BE-së, Luigi Soreca dhe Duncan Norman i Mbretërisë së Bashkuar në selinë e PD-së ka lëvizje.
“Topi” sic ka deklaruar edhe ambasadorja amerikane është në fushën e Lulzim Bashës dhe pritet me padurim qëndrimi i opozitës.
E ndoshta për të marrë vendimin final opozitarët janë takuar sërish. Teksa ora shënon 18:05 minuta i mandatuari i LSI-së në Këshillin Politik, Petrit Vasili po zhvillon në këto momente një takim me kreun e PD-së, Lulzim Basha. Sic raporton për “BalkanWeb” gazetari i News 24, Osman Stafa, në takim është edhe bashkëkryetari i Komisionit për Reformën Zgjedhore, Oerd Bylykbashi.
Burime të PD-së, konfirmojnë për gazetarin Stafa se palët janë në prag të arritjes së marreveshjes së shumëpritur për reformën zgjedhore. Madje në selinë e PD-së, për t’ju bashkëngjitur takimit ka shkuar edhe kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi, (ora 18:30).
Nuk dimë nëse opozitarët do dalin publikisht me një qëndrim, por ajo që dihet është fakti se rreth orës 19:30 kur është parashikuar të mblidhet Këshilli olitik, mund dalë “tym i bardhë” nga Pallati i Kongresve.