Qeveria Braziliane ka hequr nga faqja zyrtare të gjithë të dhënat për Covid-19. Ky veprim erdhi pas rritjes së kritikave për mënyrën e trajtimit të pandemisë që ka bërë Presidenti Jair Bolsonaro.
Ministria e shëndetësisë tha se tani do të raportonte vetëm rastet dhe vdekjet që do ndodhnin në 24 orët e fundit, duke mos dhënë më një shifër totale siç bëjnë shumica e vendeve. Bolsonaro tha që të dhënat kumulative nuk pasqyrojnë figurën aktuale. Brazili zë vendin e dytë për numrin më të lartë të infeksioeneve në botë, dhe kohët e fundit ka pasur më shumë vdekje të reja se çdo komb tjetër. Vendi i Amerikës Latine ka më shumë se 640,000 infeksione të konfirmuara, por numri besohet të jetë shumë më i lartë për shkak të testimit të pamjaftueshëm. Më shumë se 35,000 njerëz kanë vdekur, numri i tretë më i lartë në botë. Udhëheqësi i ekstremit të djathtë është kritikuar për refuzimin e masave të bllokimit të rekomanduara nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH). Presidenti u është bashkuar vazhdimisht mbështetësve në protesta muajt e fundit, duke injoruar këshillat për distancimin shoqëror.
Çfarë thonë autoritetet Braziliane?
Të Shtunën, Ministria e Shëndetësisë hoqi nga faqja e saj zyrtare të dhënat për Covid-19 që kishte dokumentuar me kalimin e kohës nga shteti dhe bashkitë. Në vend të kësaj, ministria vetëm deklaroi se kishte 27.075 raste të reja dhe 904 vdekje në 24 orët e kaluara. Ministria gjithashtu tha se 10.209 pacientë ishin shëruar.
Në Twitter, Z. Bolsonaro tha “të dhënat kumulative … nuk pasqyrojnë momentin në të cilin ndodhet vendi”, por nuk shpjegoi pse informacioni duhej të hiqej ose nuk mund të lëshohej. Ai tha se po merren masa shtesë për “përmirësimin e raportimit të rasteve”.
Vendimi është kritikuar gjerësisht nga gazetarët dhe anëtarët e Kongresit. Heqja e të dhënave ndodhi pasi Brazili raportoi më shumë se 1.000 vdekje për katër ditë rresht.